Flet Drejtori Ekzekutiv i DIHA-s, Bledar Mankollari
Hapja e disa fabrikave që prodhojnë sisteme kabllore apo pjesë të tjera për makinat në vendin tonë vjen, së pari, si efekt i ngopjes së tregut të fqinjëve tanë konkurrentë me këtë lloj industrie dhe si efekt i krahut të lirë të punës.
Kështu e vlerëson Bledar Mankollari, drejtor ekzekutiv i DIHA-s dhe njohës i mirë i sektorit, praninë gjithmonë e më të madhe të kompanive të këtij sektori në vendin tonë.
Ai nënvizon se ky është padyshim një shans për Shqipërinë që ka ndikim social, por që sjell me vete edhe njohuri që në afatgjatë mund të kthehet në avantazh. Por, para së gjithash, Mankollari thekson se ka ende elemente frenues siç janë problemet e pronësisë apo mungesa e një korridori transporti që lehtëson qarkullimin drejt Europës Qendrore.
Tre vitet e fundit ka një dinamikë zgjerimi të industrisë automotive në vendin tonë, ku kompani të mëdha ndërkombëtare po hapin fabrika. Ju si një njohës i sektorit, si e konsideroni këtë tendencë? A është ky një shans për Shqipërinë?
Shanset e kësaj industrie për Shqipërinë janë shumë të mëdha, por duhet të kuptojmë që e madhe është edhe konkurrenca që Shqipërisë i bëhet nga Serbia dhe Maqedonia. Përtej kësaj, mendoj se ka kapacitete dhe potencial për t’u rritur në këtë drejtim të industrisë së lehtë apo fasonit të automobilistikes. Sigurisht ka disa probleme që mund të jenë frenues dhe ajo që shoh janë probleme të brendshme, së pari të pronësisë.
Së dyti, ne si vend jemi pak të larguar nga tregu qendror që është Europa Qendrore që është Gjermania, jemi në skajin më të larët të mundshëm. Këtë pastaj e vështirëson edhe konkurrenca që kemi nga Serbia, e cila ofron kushte shumë të mira për bizneset që shkojnë aty dhe Maqedonia që është një nga zonat ekonomike më të favorshme. Këto dy vende kanë know how dhe kanë ngritur këtë industri së bashku me industrinë tjetër mbështetëse në funksion të saj.
Kanë treg për pjesë këmbimi të kësaj industrie, kanë shërbime në funksion të saj. Këtu tek ne, ky treg është inekzistent dhe kompanitë që operojnë në vend shërbimet nga palët e treta në disa raste i marrin në Maqedoni. Këto vende kanë kulturë dhe industri të kësaj natyre shumë më të hershme, thjesht e kanë vazhduar dhe plotësuar sipas zhvillimit që kanë pasur, që do të thotë që në nivel ekspertize janë goxha më lart.
Një tjetër problem që hasin kompanitë është transporti. Pjesa e korridoreve të transportit duhet të zgjidhen. Sot, edhe pse një kompani mund të prodhojë në Shqipëri, rritja që ndjek nëse tregu i saj është Gjermania kalon në Maqedoni, në Nish të Serbisë dhe vazhdon në Europë. Pjesa e detit për këtë lloj industrie nuk është favorizuese, pasi ka më shumë kosto. Kjo industri ndjek rrugë tokësore, pasi precizoni i dorëzimit të mallit në kohë është i një rëndësie shumë të madhe, në të kundërt sjell pasoja dhe kosto të mëdha. Mungon pra një korridor i mirë që kalon nga Mali i Zi në Kroaci dhe vijon në Europë, e cila do të lehtësonte shumë pjesën e transportit.
Cilat janë arsyet, sipas jush, që po shtyjnë këtë lloj industrie të kthejë sytë nga Shqipëria?
E para është pozitive që vendet tona konkurrente janë duke u ngopur me këtë pjesë investimesh, sepse kompani të rëndësishme kanë hapur dy apo tre fabrika. Investitorët gjithashtu mund të kenë nuhatur një rritje potenciale të përgjithshme pagash në vende, për shembull si Serbia dhe janë duke i paraprirë kësaj, duke shkuar në vende ku kostoja është më e ulët. Po kështu një element tjetër është edhe fakti që kompanitë e mëdha po kalojnë procese më të komplikuara, apo më të rëndësishme në kompanitë e mëparshme që tashmë kanë fituar know how-n pra teknologjitë inovative, për shembull qarqet për makinat elektrike dhe këtu zhvendos pjesën më të thjeshtë të sistemeve kabllore.
Cilat zona janë potenciale në Shqipëri, ku mund të zhvillohet ky aktivitet, flasim për zona të lira ekonomike dhe çfarë mund të bëhet për t’i dhënë prioritet?
Hapja e kompanive të kësaj natyre, pra fabrika të mëdha, ndikimin më të madh e ka në aspektin social, pasi punësojnë një numër të konsiderueshëm njerëzish që në fund të ditës marrin një pagë për familjet e tyre. Fitim të drejtpërdrejtë vetë ekonomia nuk ka, pasi fitimi i kompanive transferohet tek kompanitë mëmë. Janë disa zona të lira ekonomike, që mund të nxisin zhvillimin e këtij lloj aktiviteti. Sigurisht nuk po flasim këtu për atë të Koplikut që cilësohet si e tillë, por në fakt nuk ka kushte. Kopliku është zonë e lirë në tokë arë. Nuk ka infrastrukturë të nevojshme as për energji as për ujë apo kanalizime.
E dyta është kufizimi që lidhet me numrin e banorëve. Vetë Kopliku nuk e plotëson dot kërkesën për këtë lloj drejtimi. Spitalla që është një tjetër zonë e lirë, ka problematikën me ujin, pra është në ujë. Si zona ekonomike për këtë lloj aktiviteti mund të shërbenin qytete si Elbasani që ndodhet në pozicion qendror dhe ka një popullsi të konsiderueshme, Fieri ka potencial për një zonë të vogël ekonomike, Korça gjithashtu, nëse marrëdhënia tregtare do të shkojë në drejtim të Greqisë, edhe Shkodra, por flasim për qytetin. Pra mundësi ka lidhur me zonat ku mund të zgjerohet, po kështu legjislacioni që rregullon regjimin e përpunimit aktiv është goxha i mirë.
E vetmja problematikë është mungesa e një korridori komunikimi direkt, duke mos mbetur peng i kalimit nga Maqedonia. Është një korridor që flitet i njohur si korridori blu, por më së shumti ai duket se ka terma turizmi në fokus.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.