Industria e vajit të lulediellit në krizë; “Përgjysmohet” xhiro

08/05/2016 7:01 AM 0 komente
 

Me kompanitë më të mëdha të industrisë së vajit të lulediellit në vendin tonë, që po raportojnë tkurrje të aktivitetit të tyre dhe me importet në rritje, sektori po gjendet në vështirësi. Prodhuesit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit, pasi po shënojnë humbje dhe ndodhen në kushtet e ekzistencës…

 

Nga Deada Hyka

 

Në pikat e pakicës në vend, një shishe vaj luledielli, e importuar direkt (thjesht e ambalazhuar në Shqipëri) kushton 10-15% më pak se vaji që përpunohet në vend. Për këtë të fundit, kostoja është më e lartë, sikurse tregojnë edhe kompanitë, të cilat që të çojnë produktin e tyre në tavolinën e konsumatorëve shqiptarë, importojnë lëndën e parë, rafinojnë vajin dhe bëjnë paketimin.
Konkurrenca nga importi dhe rritja e kostove ka bërë që tre prodhuesit e përpunuesit më të mëdhenj, “Olim”, “Erbiron”, “Crystal”, të shohin rënie të ndjeshme qarkullimit vjetor në 2014-n, përkatësisht me 47%, 58% dhe 52%. Vetëm “Vajra Bimore” ka arritur të frenojë rënien (-2%), sipas bilanceve përkatëse të 2014-s. Të dhënat për 2015-n nuk janë të disponueshme ende, por operatorët e tregut pohojnë se ata vijojnë të jenë në vështirësi.
Shqipëria konsiderohet një treg shumë i vogël edhe për këtë produkt, duke marrë në konsideratë kushtet ku prodhimi vendas i lëndës së parë mungon, kjo bën që industria e përpunimit të vajit, të mos jetë konkurruese.
Sipas drejtuesve të kompanive agro-ushqimore, ndonëse tregjet e Europës Lindore janë prodhues të rëndësishëm dhe nuk mund të krahasohemi me to, prodhimi vendas i lëndës së parë do të ishte konkurrues të paktën në tregun e brendshëm. Por, sipas tyre, edhe një tentativë e disa viteve për të suportuar me lëndë të parë kompanitë vendase, nuk rezultoi efikase.
Aktualisht, sipas tyre, nuk ka prodhim të brendshëm të farave të lulediellit. Farat e importuara kanë një kosto transporti të lartë, ndaj kompanitë tregojnë se importojnë vaj të papërpunuar dhe më pas, e procesojnë në fabrikën e rafinerisë, nga ku del vaji i konsumueshëm. E gjitha përkthehet në kosto, e cila sipas tyre, nuk po arrihet të përballohet, duke “kërcënuar” aktivitetin e tyre tregtar, vit pas viti.

 

Problematikat e industrisë së vajit

Mosprodhimi i lëndës së parë në vend, konkurrenca e vajit të gatshëm të importit dhe “lufta” mes kompanive vendase konsiderohen problematikat kryesore që kanë çuar në tkurrje të aktivitetit të kompanive kryesore shqiptare.

Aktualisht, ndërmarrjet e vajit në vend importojnë vaj të papërpunuar grexho) dhe e përpunojnë atë duke e kthyer në vaj ushqimor. Importi i lëndës së parë ka vënë në vështirësi të mëdha industrinë e përpunimit të vajit të lulediellit, ndaj duhet konsideruar domosdoshmëria e nxitjes së investimeve në sektorin e bujqësisë për mbjelljen e lulediellit në vend, sikurse pohojnë edhe kompanitë.
Ndërmarrjet që merren me përpunimin e vajit vegjetal punojnë pothuajse të gjitha me lëndë të parë importi. Sipas të dhënave, para viteve ‘90, për këtë lloj industrie ishte pothuajse i zgjidhur problemi i sigurimit të lëndës së parë, pasi në vend kultivoheshin rreth 21 mijë hektarë me luledielli, me një prodhim vjetor prej rreth 17,000 tonë. Momentalisht, kultivimi i lulediellit në vend nuk arrin të përmbushë nevojat e tregut, sipas kompanive.

Informaliteti dhe konkurrenca e pandershme janë një kërcënim i vazhdueshëm, sipas burimeve nga kompania e vajit Olim, e cila pohon se po kërkon një treg ku të respektohen të gjitha rregullat pa përjashtime e “të mos ketë marrëveshje të fshehta që dëmtojnë e cenojnë konkurrencën në treg.”
Të gjithë kompanitë, në fakt tregojnë për ‘Monitor’ se janë të shumtë konkurrentët e huaj që po penetrojnë në tregun tonë, duke konkurruar produktet vendase dhe duke i rrezikuar ato dhe se shteti duhet të ndërhyjë, që t’i japë mundësi kompanive shqiptare që të operojnë në një mjedis me konkurrencë të ndershme.

 

Kërkohet ndërhyrje

Të gjitha kompanitë, tregojnë për ‘Monitor’ se janë të shumtë konkurrentët e huaj që po penetrojnë në tregun tonë, duke konkurruar produktet vendase dhe duke i rrezikuar ato dhe se shteti duhet të ndërhyjë, që t’i japë mundësi kompanive shqiptare që të operojnë në një mjedis me konkurrencë të ndershme.

“Tentativat për të prodhuar lëndën e parë në vend do të mund të japin një perspektivë për të ardhmen, ku kostot do të uleshin ndjeshëm dhe do të ndihmojë në realizimin e ciklit të mbyllur”,- pohojnë nga kompania Olim.

Burime nga Vaji Kristal në Elbasan tregojnë se tregu i vajit në Shqipëri është shndërruar në një vorbull të vërtetë, ku secili konkurron ashpër me njëri-tjetrin.

“Problematika kryesore është se secili kërkon të ruajë pozitat në treg, të ruajë klientelën dhe për ta arritur këtë, në mesin e shumë konkurrentëve, ul edhe çmimin. Kjo na bën që të operojmë edhe me humbje”,- tregon menaxheri i Vajit “Crystal” në Elbasan.

Të tjerë aktorë tregu konfirmojnë problematikat në këtë sektor, nga kompania “Vajra Bimore” që ka si produkt vajin “Fiol”, tregojnë se konkurrenca e importit dhe mungesa e lëndës së parë i ka bërë që të përballen me një situatë shumë problematike lidhur me shitjet.

“Vaji që vjen nga importi është me çmim më të lirë dhe me një cilësi shumë të dobët në krahasim me vajin tonë, kjo sjell dhe prishjen e tregut”, thotë Arjan Nuhu, menaxher i firmës “Vajra Bimore”.
Ai tregon problematikat e tregut aktual, që sipas tij i ka detyruar që të ulin çmimin me 5 lekë/litër, por që nuk mund të vijohet në të njëjtin trend, ndryshe do të sjellim falimentim të biznesit.

“Aktualisht po shohim rënie të konsumit në produktet tona. Kjo vjen nga rritja e konkurrencës së pandershme. Ne jemi kompani që importojmë vajin e papërpunuar dhe që kemi fabrikën tonë të rafinerisë. Ndërkohë, na konkurrojnë ambalazhuesit të cilët, nuk e dimë se çfarë origjine e kanë vajin, ata veçse e ambalazhojnë dhe dalin në treg me një çmim shumë të lirë”- tregon për ‘Monitor’, Arjan Nuhu. Ai thekson se janë hapur kompani pa cilësi, të cilat duhet të kontrollohen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Duke vijuar të tregojë arsyet që kanë sjellë vështirësim të kushteve të tregtimit, z. Nuhu pohon se kanë shumë kosto të larta dhe më tej vështirësi për shitjen, pavarësisht se operojnë prej 20 vitesh në treg. “Lënda e parë mungon, ne importojmë kryesisht nga Europa Lindore. Përveç kësaj, nuk kemi lehtësi fare në taksa. Është një biznes që po vështirësohet së tepërmi”. – tregon menaxheri i kompanisë Fiol.

 

Tkurret aktiviteti i kompanive

Nga të dhënat e bilanceve të kompanive kryesore në treg, xhiroja vjetore ka rënë dukshëm për kompanitë kryesore tregtare, duke u përgjysmuar në 2014.
Janë të pakta kompanitë që kanë fabrikën e rafinerinë me të cilën përpunojnë dhe nxjerrin për konsum vajin, ndryshe nga kompanitë thjesht ambalazhuese. Sipas të dhënave të bilanceve të kompanisë, në vitin 2013, qarkullimi vjetor ka qenë rreth 1 miliard lekë, ndërkohë që në vitin 2014 (të dhënat e fundit të disponueshme) ka pësuar një rënie drastike me 47%, duke arritur në 578,7 mln lekë. Kompania ka pasur rënie të ndjeshme të fitimeve, sipas bilanceve vitin 2014 e ka mbyllur me -3.3 mln lekë humbje neto.

Thuajse të njëjtën panoramë shikon edhe në bilancet e kompanisë Floriol (Erbiron sh.p.k.), si operatori i dytë. Në vitin 2013 ka pasur një xhiro totale prej 1.26 mld lekë, ndërsa në 2014 ka pësuar përgjysmim, duke arritur në 527 mln lekë. Ndërsa fitimi ka pësuar tkurrje prej rreth 13%.
Kompania Vajra Bimore sh.a. (Fiol), ka raportuar një xhiro vjetore në 2014 rreth 483.5 mln lekë, e krahasuar me një vit më parë ka rënie të lehtë.

Kompania Crystal sh.p.k ka pasur sakaq një qarkullim vjetor prej 546 mln lekë në 2014, e përgjysmuar nga një vit më parë, ku ishte rreth 1.14 mld lekë.

xhiro vjetore e vajit

 

Importet në rritje, kryesojnë shtetet fqinje

Ukraina dhe Maqedonia kryesojnë në furnizimin e tregut shqiptar me vaj. Më pas e ndjekin edhe shtete të tjera të Europës, sikurse Hungaria, Italia, Greqia dhe Bullgaria.

Sipas të dhënave të INSTAT, sasia e vajit të importuar ka ardhur në rritje në dy vitet e fundit. Në vitin 2014, flitet për një total prej rreth 6.3 mld lekë importe, ndërsa vitin e shkuar ka shënuar një rritje që arrin shifrat e 6.5 mld lekë.

Tregje furnitorë potencialë rezultojnë të jenë vendet e afërta, sipas tendencës së dy viteve të fundit. Kryesojnë Maqedonia, Greqia e Italia, por edhe Serbia, Turqia kanë peshë të konsiderueshme.

 

Importi “Vajra dhe dhjamra kafshore apo vegjetale”
vajra kafshore

 

Taksat, barrë për kompanitë vendase

Për vitin 2004, një “problem” që iu shkaktua industrisë së prodhimit të vajit në Shqipëri ishte hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Organizatën Botërore të Tregtisë, me anë të së cilës taksa doganore me të cilin vaji i rafinuar hyn në Shqipëri është zero. Kjo u shkaktoi problematika kompanive, të cilët posedojnë vetë fabrikën e rafinerisë në vend dhe që nxirrnin një produkt final me brand shqiptar. Operatorët e tregut tregojnë për ‘Monitor’ se kjo i vë përballë një konkurrence të pandershme, duke qenë se kompanitë që e marrin vajin e përpunuar veçse bëjnë ambalazhimin në Shqipëri.
“Shteti duhet të mendojë pak më tepër për kompanitë shqiptare. Ne po mbahemi fort në treg përballë kësaj konkurrence të pandershme”,- thotë z. Nuhu nga Fiol.
Krahasuar me rajonin, në Kosovë, taksa doganore e vajit të rafinuar (të përpunuar) është 10%, në Maqedoni 15%, në Turqi 39% etj.
Kjo marrëveshje u solli konsumatorëve shqiptarë mundësi për të gjetur në dyqane vaj me çmim më të lirë, por “penalizoi” kompanitë prodhuese shqiptare.

 

Tregu

Sipas shifrave nga një raport i fundit i Ministrisë së Bujqësisë, konsumi i vajit të lulediellit të ardhur nga importi në 2013 arriti mbi 34 mijë tonë, ndërsa sipas të dhënave të kompanisë Olim, kapaciteti i saj vjetor për prodhim vaji të rafinuar shkon deri në 36 mijë tonë. Kompanitë tregojnë se vaji i importit po “kërcënon” aktivitetin e tyre tregtar.

 

Apeli për ndihmë

“Shteti duhet të mendojë pak më tepër për kompanitë shqiptare. Ne po mbahemi fort në treg përballë kësaj konkurrence të pandershme”,- thotë z. Nuhu nga Fiol.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of