Sektori industrial në Kinë gjatë muajit mars ka rënë me 0.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas raportit më të fundit.
Gjatë tremujorit të parë të vitit, fitimet regjistrohen në një rënie prej 2.7%, për një vlerë totale prej rreth 175 miliardë dollarësh. Pavarësisht rënies jo edhe aq drastike të fitimeve, gjendja operacionale e ndërmarrjeve industriale në Kinë vazhdon të paraqitet e rënduar. Kërkesa anemike e brendshme, si dhe rënia e çmimeve, kanë qenë shkaktarët kryesorë të tkurrjes së fitimeve.
Sipas Institutit të Statistikave në vend, ulja e kostove të financimit pas ndërhyrjes së Bankës Qendrore për uljen e normave të interesit, si dhe rënia e çmimit të materialeve të ndërtimit, kanë sjellë zbutje të rënies së fitimeve, në një kohë që trendi ishte ndryshe. Çmimet e materialeve të ndërtimit kanë rënë me 5.7% në terma vjetorë gjatë muajit mars, duke ndihmuar bindshëm në marzhet e fitimit, raporton Instituti i Statistikave në vend.
Nga ana tjetër, indeksi i çmimeve të prodhimit është regjistruar në kontraktim prej 4.6% gjatë muajit mars, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky indeks qëndron në territor negativ tashmë prej tre vitesh, duke shtuar edhe presionin mbi ndërmarrjet industriale në Kinë, sidomos ato të industrisë së rëndë.