Industria me kosto të larta dhe fitime të ulëta

09/10/2017 2:16 PM 0 komente

Në një sektor me risk të lartë, marzhe të ulëta fitimi, kompanitë e vezëve po përpiqen që të ruajnë pozitën në një treg ku konkurrenca është e fortë.
Aktorët kryesorë të tregut tregojnë se operojnë me kosto të larta, ndërsa informaliteti ka tkurrur tregun. Në vitin e tretë me rënie, kompanitë deklarojnë se eksportojnë nën kosto në periudhat e mbiprodhimit…

 

Nga Ledina Loga

 

Veza, qumështi, buka janë produktet bazë të shportës së ushqimeve, të cilat, pavarësisht ciklit në të cilin ndodhet ekonomia e një vendi, njerëzit do t’i konsumojnë. Si produkte të konsumit të shpejtë, në përgjithësi kjo kategori prodhohet nga industria vendase, e cila e krahasuar me industrinë e rajonit, nuk është aspak konkurruese.

Kompanitë të cilat operojnë me rritjen e pulave për prodhimin e vezëve janë pjesë e tregut prej kohësh, megjithatë kanë marzhe shumë të ulëta fitimi, si rrjedhojë e kostove të larta të lëndës së parë.

Në vitin 2016, pjesa më e madhe e kompanive që operojnë në këtë sektor raportuan rënie të qarkullimit vjetor dhe thonë se dhe gjatë 2017-s, tendenca ka qenë e njëjtë. Sipas tyre, shkak për këtë tendencë negative, është bërë konkurrenca e pandershme dhe informaliteti.

Sipas pasqyrave financiare të depozituara nga kompanitë kryesore të tregut në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se të ardhurat e operatorëve kryesorë të vezëve, në total kanë rënë me 4% me bazë vjetore.

AIBA, kompania më e madhe në vend, ka parë një rënie të të ardhurave me 10% krahasuar me një vit më parë, duke zbritur në 1.2 miliardë lekë të ardhura.
Rënie të të ardhurave ka deklaruar dhe kompania Rea, e dyta më e madhe në vend për sa i përket xhiros. Krahasuar me të ardhurat e 2015-s, xhiroja ka pësuar një rënie me 32%, duke raportuar një qarkullim vjetor prej 283 milionë lekësh.

Në ndryshim me kompaninë e parë dhe të dytë, kompania e tretë dhe e katërt për nga madhësia e xhiros, përkatësisht kompania Veza e Mëngjesit dhe Ovvital, kanë shënuar rritje të qarkullimit vjetor me 34 dhe 16%.

Megjithatë Adriatik Liço, menaxher i shitjeve i kompanisë Veza e Mëngjesit, tha për Monitor se viti 2017 nuk ka qenë po aq i mirë sa 2016-a për sa u përket shitjeve. Rënien e xhiros në vitin aktual, zoti Liço e argumentoi me faktin se është rritur numri i kompanive të vogla, të cilat punojnë në informalitet.

E pesta në renditje është kompania Beata, që gjithashtu ka njohur rritje të xhiros me 23% krahasuar me një vit më parë, në 148 milionë lekë.

Kompanitë e tjera kanë raportuar një xhiro më të ulët, por në rritje krahasuar me një vit më parë.
Megjithëse, në ndryshim nga dy kompanitë më të mëdha, AIBA dhe Rea, të cilat janë tkurrur në treg, kompanitë më të vogla kanë qenë me rritje. Gjithsesi në total, tregu i vezëve, duke marrë aktorët kryesorë të tregut, ka njohur një tkurrje prej 4%.
Sipas aktorëve të tregut, kjo ka ardhur nga shtimi i informalitetit.

 

Prodhimi, 830 milionë vezë në vit

Gjatë 2016-s u prodhuan 830 milionë kokrra vezë në të gjithë vendin, sipas të dhënave të vëna në dispozicion për “Monitor” nga Ministria e Bujqësisë. Niveli i prodhimit ka qenë i njëjtë përgjatë katër viteve të fundit.

Nga të dhënat historike që janë raportuar në 10-vjeçarin e fundit, prodhimi arriti në nivelin më të lartë për këtë periudhë në 2012-n, kur u shënua një nivel rekord prej 887 milionë kokrra vezë. Të gjitha mblidhen nga punonjësit e Drejtorive të Bujqësisë.

 

 

Peshën më të lartë në prodhimin e vezëve e ka Qarku i Durrësit me 33% të prodhimit total, Qarku i Shkodrës me 12% të prodhimit, qarku i Fierit me 11% të Prodhimit, Elbasani dhe Berati me përkatësisht 9 dhe 8% të prodhimit të total të vezëve. Në fakt, në këto qarqe, ku prodhimi është dhe më i lartë janë të vendosura dhe kompanitë kryesore.

 

 

Informaliteti i lartë

Shqetësimi që ngrenë disa prej aktorëve kryesorë të tregut të vezëve është se tregu, megjithëse i konsoliduar deri diku, ka shumë informalitet.

Lilo Seraj, menaxher shitjesh i kompanisë Ovvital, tha për “Monitor” se rreth 25% e tregut është informal.

“Shumë kompani të vogla nuk e deklarojnë qarkullimin real, të cilat e deformojnë disi tregun e vezëve”, – tha Seraj.
Edhe zoti Adriatik Liço, i kompanisë së tretë më të madhe në vend, thotë se kompanitë e vogla kanë deformuar tregun duke luajtur në mënyrë të padrejtë me çmimin dhe me marketing jo fort të ndershëm.

“Kjo gjë na ka penalizuar, të cilët jemi të rregullt me shtetin”, – tha zoti Liço.
“Monitor” ka bërë një përllogaritje të prodhimit të vezëve nga kompanitë kryesore që operojnë në treg, duke marrë si çmim referencë nga kompanitë, çmimin mesatar prej 10 lekë për kokërr, të gjitha kompanitë kryesore të tregut kanë pasur një prodhim prej 210 milionë kokrrash gjatë 2016-s. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi gjatë 2016-s ka qenë 810 milionë kokrra.

 

Eksportet me rënie

Sipas të dhënave nga doganat, eksportet e vezëve me jashtë kanë qenë në rënie. Aktorët e tregut e argumentojnë këtë me natyrën që ka produkti i vezës, i cili nuk mund të durojë një kohë të gjatë dhe ka kosto të larta shpenzimesh, por edhe me barrierat tregtare që krijohen.
Lilo Seraj, i kompanisë Ovvital, thotë se tregu rajonal e plotëson kërkesën për vezë me ofertë të brendshme, ndërsa për destinacione më të largëta vezët, edhe pse transportohen në kushte shumë të mira, humbin freskinë.

Të dhënat nga Dogana tregojnë se eksportet në vitin 2016 përllogariteshin 842 mijë dollarë, me një rënie prej 35% krahasuar me një vit më parë.

Sipas operatorëve të tregut, përveç veçantisë së produktit, faktor për rënien e eksporteve me jashtë janë edhe barrierat që i janë vendosur industrisë, kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian. Operatorët shqiptarë thonë se mund të çojnë vezë jashtë vetëm në kategorinë B, që janë vezë të cilat përdoren për pastiçeri dhe jo vezë që shkojnë për konsum tavoline.

Sipas eksportuesve, veza që prodhohet në vend është cilësore dhe për të qenë konkurrues jashtë duhet të ulin çmimin nën kosto. Aktorët e tregut thonë se nuk iu leverdis aspak që të çojnë jashtë vezë, por detyrohen që ta bëjnë në rastet e mbiprodhimit.
Adriatik Liço tregon për “Monitor” se kur kompania e Veza e Mëngjesit ka mbiprodhim, e çon jashtë, kryesisht në Itali dhe në Greqi, ku produkti eksportohet jo si vezë tavoline, por si produkt industrial.

“Në mënyrë që të mos ta kem të gjithë prodhimin me humbje, parapëlqej që ta çoj jashtë dhe ta shes nën kosto për të minimizuar humbje më të mëdha”.

Për sa u përket importeve, në dy vitet e fundit, të dhënat nga dogana tregojnë se nuk ka pasur import të vezëve nga jashtë. Në përgjithësi, kërkesa vendase për vezë plotësohet nga prodhuesit lokalë, pa pasur nevojë që të importohet vezë nga jashtë.
Importet kanë pasur një rritje të lehtë me daljen e operatorit Floryhen nga tregu, gjë që më pas u stabilizua nga tregu vendas.

 

Çmime njësoj, konkurrojmë me shërbim

Sipas të dhënave që dhanë menaxherët e shitjeve të disa prej kompanive kryesore, çmimi me të cilin operojnë kompanitë është thuajse i njëjtë për të gjitha kompanitë kryesore dhe variojnë nga 9.5 në 10 lekë për kokërr. Duke qenë se çmimet janë thuajse të njëjta në të gjitha kompanitë, diferenca midis kompanive bëhet vetëm me shërbim dhe marketing të fuqishëm.

Në fakt, sikurse argumentoi edhe menaxheri i shitjeve të kompanisë Ovvital, Lilo Seraj, nga kompania tek konsumatori final, veza kalon në dy distributorë të tjerë. Në fillim, vezët blihen nga kompania që merret me logjistikën e tyre, kryesisht shpërndarjen në rrethet më të largëta, të cilët dhe ata vendosin marzhin e vet të fitimit dhe bëjnë tregtimin me shumicë të tyre dhe më pas kalojnë në supermarkete ku bëhet tregtimi me pakicë, te konsumatorët, ku edhe këtu i shtohet një marzh fitimi.

Më 14 maj të 2015-s, Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin e tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të vezëve. Për shkak të daljes së një prej kompanive kryesore të tregut, Floryhen, çmimi për një kokërr vezë u rrit në treg nga 10 në 15 lekë, duke nxitur kështu Autoritetin e Konkurrencës që të ndërmarrë një hetim të thelluar të tregut të vezëve.
Autoriteti doli në përfundimin se rritja e çmimit në fakt kishte ardhur prej mungesës së ofertës në treg dhe se çmimi më i lartë ishte ndikuar prej kërkesës për produkt.

 

Operatorët kanë shumë kohë në treg

E themeluar që në vitin 1993, kompania AIBA zë vendin e parë në treg sipas xhiros duke qenë përgjegjëse për më shumë se 50% të tregut të vezëve në vend.

Dalja e Floryhen nga tregu, kompani e themeluar që në vitin 1994 që përgjigjej për pothuajse 20% të tregut të vezëve në vitin 2011, la hapësirë për të hyrë në treg konkurrentë të rinj.

Megjithatë për shkak të kostove tepër të larta, rreziqeve të larta po ashtu, ku investimi në këtë sektor kërkonte minimalisht 3 milionë euro, hapësira e lënë në treg u zëvendësua nga konkurrentët e vjetër.

Rea është kompania e dytë më e madhe sipas xhiros, e themeluar që në vitin 2002, me 15 vite përvojë në treg.

Me po aq vite përvojë në treg është edhe kompania Veza e Mëngjesit, e cila sipas ekstraktit historik është themeluar që në vitin 2001. Veza e Mëngjesit renditet e treta.
Edhe kompania Beata, e cila është e vendosur në Qarkun e Shkodrës dhe përgjigjet për një pjesë të konsiderueshme të tregut, operon prej shumë vitesh në treg. Për shkak të ndërrimit të pronarëve, kjo e fundit ndryshoi dhe emër nga Veza Elvis në Beata.

Aktorët e mëdhenj të tregut thonë se iu është rritur konkurrenca nga operatorët e vegjël, që në të shumtën e rasteve punojnë dhe në informalitet.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Konkurrencës, që ka marrë në hetim sektorin, tregu ka rreth 20 operatorë që tregtojnë vezë. Kohët e fundit është ringjallur interesi për të investuar në këtë sektor.

 

Kosto të larta të lëndëve të para (me TVSH 20%)

Megjithëse ka pasur diskutime që të ketë lehtësim të kostove për lëndën e parë të kompanive që operojnë në sektorin e bujqësisë, kompanitë vazhdojnë të operojnë me kosto të larta.

Edhe pse në 2014-n u diskutua për të zeruar të gjitha tarifat doganore për ushqimin e shpendëve, asgjë nuk është bërë.

Thuajse 99% e lëndëve të para, sipas Lilo Seraj, i kompanisë Ovvital merren nga jashtë, veçanërisht nga Serbia. Kjo sigurisht që rrit kostot. Kosova operon me një TVSH 8%, ndërsa ne kemi një TVSH prej 20%, njëjtë me të gjithë sektorët e tjerë, – thotë ai për “Monitor”.
Ndërkohë bujqësia është një ndër sektorët me më shumë risk.

Edhe zoti Adriatik Liço mendon se rreziku i madh që kanë kompanitë, të cilat operojnë në këtë sektor, duhet të merret parasysh nga shteti. Veza, qumështi, mishi dhe produkte të tjera të sektorit tonë, janë të domosdoshme për konsumatorin dhe kostot e larta prekin direkt xhepin e tij. Duhet të theksojmë se bëhet fjalë për produkte të konsumit të përditshëm – shton ai për “Monitor”.

Sipas operatorëve të tregut, kostot për lëndë të para janë të larta. Nuk mund të fusësh një ushqim të dobët në vlera ushqyese për shpendët, pasi kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në rendimentin e pulave. Ndërkohë që interesi i kompanive është që një pulë të bëjë sa më shumë vezë.

Operatorët e tregut thonë se për kompanitë e rajonit, falë subvencionimit dhe TVSh-së së ulët për lëndët e para, kostot për një kokërr vezë përllogariten të jenë rreth 7 lekë, ndërkohë që në vend, kostot për një kokërr vezë përllogariten të jenë 9 lekë. Veza shitet në treg me një çmim që varion nga 9.5 në 10 lekë për kokërr.

Në qoftë se do të marrim në analizë marzhin neto të fitimit të aktorëve kryesorë të tregut të vezëve, kompania më e madhe në treg AIBA ka një marzh prej vetëm 1%.
Kompania Rea, e dyta më e madhe në vend pas AIBA-s, e uli marzhin e fitimit nga 2015 në 2016 nga 2 në 1%, si dhe përgjysmoi të ardhurat sipas pasqyrave financiare të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Kompania e tretë e tregut, Veza e Mëngjesit, ka një marzh neto fitimi prej 4%.
Marzh më të lartë fitimi ka kompania Ovvital, ku në 2016-n ka një marzh prej 11% (më të lartin e aktorëve kryesorë të tregut). Sipas menaxherit të shitjeve, Lilo Seraj, marzhi i lartë ka ardhur prej shkurtimit të kostove në logjistikë, pasi kompania ka operuar kryesisht në qytetin e Tiranës dhe të Durrësit.

 

Pas stallave, bizneset i turren investimeve në pulari

Pak vite më parë u përvijua në treg një tendencë drejt ndërtimit të stallave dhe mbarështimit të kafshëve sidomos të derrit, por edhe dhi, viça apo dele.

Modeli hasi në vështirësi për shkak të mungesës së zinxhirit, që nga sigurimi i lëndës së parë deri te produkti i gatshëm.

Sidomos ata që investuan në industrinë e përpunimit të qumështit po hasin me probleme të shumta.

Që nga tregtimi i racës së bagëtive e gjedhëve, rendimenti e cilësia e tyre e deri te fermat e vogla të copëzuara, që nuk mundësojnë krijimin e ekonomisë së shkallës, janë shumë hallka që nuk funksionojnë në zinxhirin e përpunimit të qumështit, duke e bërë këtë industri, që ka tërhequr investime të shumta vitet e fundit, jokonkurruese.

Së fundmi, investimet po bëhen drejt pularive, për prodhim mishi e veze. Vetëm në muajin korrik të këtij viti, rezultojnë katër kërkesa për leje për të ndërtuar pulari. Konkretisht është subjekti “Hymar Group” sh.p.k., që ka aplikuar për të zhvilluar një projekt që lidhet me mbarështim intensiv të zogjve për mish dhe thertore, – në zonën e Voskopojës në Korçë. Për zhvillimin e veprimtarisë operatori ka ndërtuar 4 kapanone për rritjen e shpendëve me një kapacitet 40 mijë krerë.

Operatori SAREND sh.p.k. është i dyti që ka aplikuar dhe synon të ndërtojë një kompleks njëkatësh për rritjen e shpendëve (zogj dhe pula) me qëllim tregtimin e tyre, duke furnizuar në këtë mënyrë kërkesat e tregut të brendshëm, me produkte cilësore dhe të shëndetshme. Objekti që do të ndërtohet në zonën e Durrësit për rritjen intensive të shpendëve do të ketë sipërfaqe 600 m², me kapacitet 1 mijë krerë.

I treti që ka aplikuar është subjekti Ovvital sh.p.k., në Durrës. Sipas subjektit, kapanonet e rritjes intensive të pulave, si dhe ai i rritjes së zogjve janë projektuar për një kapacitet prej rreth 60 mijë krerësh secili. Edhe në këtë rast mbarështimi në një pjesë të saj është për mish. Pranë biznesit do të ndërtohet edhe një dhomë frigoriferike.
Biznesi i katërt që ka aplikuar për një pulari është në zonën e Shushicës në Vlorë. Kapaciteti i parashikuar për këtë biznes është 20 mijë krerë pula që rriten për vezë dhe 1 mijë që rriten për mish.

Në dokumentet e paraqitura nuk bëhet e ditur vlera e plotë e investimit për të katërta pularitë, ndërkohë që ky treg po njeh gjithmonë e më shumë interes pasi ka një kërkesë në rritje të cilën vendi e plotëson me importe sa i përket mishit të pulës, ndërkohë që dalja e një aktori të rëndësishëm nga tregu ka sjellë nevojën për plotësim të konsumit të vezëve.

 

Nuk ka më treg për pulari të reja

 

Flet Albana Ndreka, drejtor shitjesh AIBA CO.

Nëse do të kemi një balancë logjike midis kërkesës dhe ofertës, kam bindjen se nuk ka më vend për pulari të tjera

Si ka qenë ecuria e tregut?

AIBA Co. vazhdon të ketë qëndrueshmëri në treg, si përqindje ndaj totalit të tregut, ashtu edhe për zonat e shitjes/shpërndarjes që ajo mbulon në të gjithë Shqipërinë.
Ndërkohë që në zonën e Tiranës, ka një rritje të ndjeshme të peshës së tregut të saj dhe për rrjedhojë, volumit të shitjes.

Nga të dhënat e bilanceve të publikuara në QKB shikojmë se AIBA ka një tkurrje të vogël për sa i përket tregut, kjo ka ardhur si një ndryshim i sjelljes konsumatore apo është shtuar konkurrenca në këtë sektor?

Tkurrja ka ardhur si rrjedhojë e luhatjes së çmimit në treg. Gjatë 2014-s, për shkak të mangësisë në prodhim, çmimi u rrit shumë dhe kjo ndikoi në hapje pa kriter të pularive të vogla gjatë 2015-s. Më pas, kjo rriti ofertën, për prodhimin mbi kërkesën dhe rrjedhimisht ky mbiprodhim uli çmimin.

Cilat janë disa nga problematikat që ka sektori?

Në këtë sektor, problematikat janë të shumta, por dy janë më kryesoret.

Së pari, është informaliteti, i cili është rritur ndjeshëm dhe na ul neve si industri konkurrueshmërinë në treg. Operatorët informalë kërkojnë që të punojnë në pikat fundore të shitjeve dhe kjo na vështirëson të gjithë zinxhirin e shitjes.

Së dyti, mungesa e vëmendjes nga ana e shtetit. Mungon kontrolli ndaj cilësisë së ushqimit të pulave. Ne, si industri, kosto kryesore kemi lëndën e parë që është ushqimi për pulat. Për të ulur sa më shumë këto kosto, kompanitë përdorin ushqim me cilësi më të ulët. Cilësia e ushqimit ndikon direkt në cilësinë e produktit final, kontrolli për të cilin, mungon gjithashtu nga shteti.

Së treti, mungojnë standardet për prodhimin dhe tregtimin e vezëve.
Të gjitha këto arsye çojnë në konkurrencë të pandershme, pasojat e të cilëve ndikojnë te biznesi.

Nga të dhënat që kemi nga Ministria e Bujqësisë në lidhje me prodhimin e vezëve, ka pasur një rënie në dy vitet e fundit me rreth 50 milionë kokrra vezë, në mendimin tuaj nga ka ardhur kjo?

Rënia në prodhimin e vezëve ka ardhur kryesisht prej mbylljes së disa prej pularive të vogla në vend dhe cikli i pularive.

Si janë kostot e operimit, veçanërisht të lëndës së parë?

Kostot e operimit janë të larta po të kemi parasysh edhe çmimin e karburantit, por edhe të faktit që AIBA është një kompani që punëson më shumë se 200 punonjës dhe nuk ka bërë asnjëherë kompromis në emër të kostove apo të cilësisë së produktit final.

Nga të dhënat për tregun, kompanitë që operojnë në këtë sektor kanë norma të ulëta të fitimit, nga vjen kjo?

Në përgjithësi, normat e ulëta të fitimit diktohet nga kostot e larta operacionale, por veçanërisht nga çmimi i lëndës së parë, si për zogjtë, e cila importohet, ashtu edhe për çmimin e lëndëve të para të ushqimit të pulave.

A ka më treg për operatorë të rinj, duke qenë se vetëm gjatë muajit korrik janë bërë katër kërkesa për pulari?

Nëse do të kemi një balancë logjike midis kërkesës dhe ofertës, kam bindjen se nuk ka më vend për pulari të tjera, pasi në periudha të caktuara të vitit, si pasojë e mbiprodhimit dhe kërkesës së ulët në tregun vendas (p.sh. gjatë verës) AIBA eksporton vezë, shpeshherë dhe nën kosto, vetëm që të mund të sigurojmë vazhdimësinë dhe ruajtjen e tregut. Për sa i përket kërkesës për pulari të tjera, mendoj se do të jenë për rritjen e broiler-ave, d.m.th. pula për mish dhe jo për vezë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of