Industria përpunuese, një vit të vështirë edhe për 2018-n

19/01/2018 11:05 PM 0 komente

Nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn më 2018 për të ndaluar konkurrencën e pandershme të importeve, situata do të përkeqësohet dhe falimenti do të përfshijë edhe fabrikat e mëdha të blojës, teksa operatorë të mëdhenj tashmë janë duke finalizuar shitjet e kompanive

 

Industria përpunuese në vend, sidomos ajo agroushqimore, pritet të kalojë një vit të vështirë edhe për vitin 2018, për shkak të kostove të larta, rënies së konsumit dhe konkurrencës së mallrave të importit. Administratorët e sipërmarrjeve përpunuese shqiptare lajmërojnë se situata është përkeqësuar edhe më tej në 2017-n, teksa pohojnë të njëjtat zhvillime edhe për 2018. Adi Haxhiymeri, nga Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Miellit, raportoi se së paku 50 linja të përpunimit në vend kanë mbyllur aktivitetin gjatë dy viteve të fundit dhe situata po vështirësohet për operatorët e mëdhenj.

Punësimi në sektor është reduktuar ndjeshëm, teksa i gjithë zinxhiri i lidhur me këtë industri është vënë në vështirësi për shlyerjen e kredive. Ai tha se, nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn më 2018 për të ndaluar konkurrencën e pandershme të importeve, situata do të përkeqësohet dhe falimenti do të përfshijë edhe fabrikat e mëdha të blojës, teksa operatorë të mëdhenj tashmë janë duke finalizuar shitjet e kompanive. Haxhiymeri pret një situatë më të dobët për vitin 2018 dhe për këtë arsye do të merret në konsideratë shkurtimi i numrit të punonjësve dhe uljes së kapaciteteve. Për këtë situatë, shkak sipas tij janë bërë importet e pandershme të miellit serb nga Kosova.

Dominimi në treg i miellit të importit, sipas industrialistëve shqiptarë, po vjen për shkak të çmimit më të lirë që ky produkt hyn në tregun shqiptar. Sipas prodhuesve, çmimi i lirë, është krijuar për dy arsye kryesore. Së pari, mungesa e standardit të miellit. Niveli i proteinave në miell është treguesi kryesor për cilësinë e tij. Njësoj si karatët për arin dhe oktavët për naftën. Në Shqipëri, mielli serb që hyn nga Kosova ka standardin 9% të proteinave, teksa mielli për bukë duhet ta ketë 12% nivelin e proteinave, deklaron Haxhiymeri. Mielli me standard 9% zakonisht është i lejueshëm për biskotat, pasi ato gjatë gatimit pasurohen me lëndë të tjera si sheqer dhe yndyrë, për të arritur një nivel të pranueshëm ushqimor.

Për të njëjtat arsye vënë në vështirësi edhe industrinë e Birrës. Luan Bregasi, një nga aksionerët kryesorë të Birrës Tirana, tha se prodhimi vendas po bëhet gjithnjë e më tepër jo konkurrues, për shkak të rritjes së kostove. Bizneset prodhuese në Shqipëri paguajnë energji gati sa dyfishi i rajonit dhe gjithashtu kemi taksat më të larta në rajon. Për rrjedhojë prodhimi vendas po bëhet gjithnjë e më pak konkurrues, jo vetëm në tregjet e huaja, por edhe në tregun vendas.

Për këto arsye, Bregasi tha se industria përpunuese do të operojë në një ambient të vështirë edhe më 2018, nëse nuk parandalohet konkurrenca e pandershme e importit. Ai kërkoi të zbatohen rregulla të barabarta për industri që operojnë në të njëjtin sektor.
Sipas të dhënave të doganave, importet e birrës janë rritur me 22% gjatë tetëmujorit 2017. Në treg janë futur nga import 4700 tonë birrë më shumë se viti i kaluar. Prodhuesit janë ankuar se birra që hyn nga Kosova po i konkurron fort ata, pasi paguan akcizë për nivelin e prodhimit nën 200 mijë hektolitra.
Ka një angazhim të qeverisë për të mbrojtur prodhimin vendas nga importi, tha Bregasi, por nëse nuk materializohet, industria e birrës në vend do të përjetojë ditë të këqija më 2018.

Parashikimin më të zymtë e jep Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, i cili është i alarmuar nga lehtësia me të cilën qeveria shqiptare po e merr krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Shpejtësia dhe lehtësia me të cilat do të vijnë mallrat nga rajoni dhe më gjerë do të shkallmojnë tërësisht industrinë, – paralajmëron Arben Shkodra, dhe përveçse humbasim vendet e punës, rrezikojmë të kthehemi në importues.

“Por po të marrim në analizë kostot për çdo produkt, do të shohin se produktet tona janë më të shtrenjta. Në momentin e qasjes së zonës së lirë, normalisht mbreti i tregut është çmimi. Produkti më i lirë do të dominojë tregjet, pasi rregulli i artë i tregut të lirë është çmimi. Produktet shqiptare nuk do të jenë të afta të mbijetojnë më shumë se gjashtë muaj pas produkteve të importit. Pas gjashtë muajsh, tregu vendas do të kapet tërësisht, pasi mallrat e importit për të njëjtën cilësi do të ofrojnë çmime më të lira. Atëherë kemi disa detyra shtëpie për të bërë. Shteti duhet të ulet me prodhuesit urgjentisht”, paralajmëron ai.

 

Bregasi:
Ka një angazhim të qeverisë për të mbrojtur prodhimin vendas nga importi, por nëse nuk materializohet, industria e birrës në vend do të përjetojë ditë të këqija më 2018

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of