Instituti i Statistikave publikoi indeksin e Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që për muajin mars rezulton 1,4 %. Sipas analizës së INSTAT rritja më e madhe prej 2,5 %, vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transport” me 2,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,6 % secili, “Argëtim dhe kulturë” me 1,2 %, “Shërbimi arsimor” dhe “Komunikimi” me 0,9 % secili, etj. Ndërsa, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” u ulën me 0,5 %.
“Në muajin Mars 2018, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,0 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,6 % secili, etj. Ndërsa, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,9 %, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante “ me 0,4 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,2 %” thuhet në njoftimin e INSTAT.
Publikimi i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit bëhet nga ana INSTAT që nga janari 2017 duke dhënë kështu një panoramë të qartë të lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane dhe duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve, në ndryshim nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit që mat vetëm inflacionin zyrtar në Shqipëri.
Mes 28 vendeve ku shihet ecuria vjetore e inflacionit Shqiperia rendietet e 16 per nga niveli me i larte. Listen e udhëheq Rumania me 4 per qind dhe e mbyll Qipro me deflacion.
Ky është modeli që përdor edhe EUROSTAT duke përafruar kështu aspektin statistikor të matjes së inflacionit në vend me atë evropian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.