Shpenzimet për pushime dhe ushqime kanë rritur çmimet me 2.3 % në muajin korrik sipas metodologjisë së EUROSTAT nëpërmjet të cilave u mat ndryshimi i çmimeve në muajin korrik.
Sipas publikimit zyrtar, rritja më e madhe e çmimeve prej 4,2 %, vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3,0 %, “Transporti” me 2,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 2,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” 2,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 % secili, “Shërbimi arsimor” me 0,9 %, “Komunikimi” me 0,7 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,6 %, etj.
Në muajin korrik 2018, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,5 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,0 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,4 % secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Transporti” me 0,2 % secili.
Ndërsa, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” u rritën me 0,3 %, krahasuar me muajin e mëparshëm. Në grupet e tjera nuk pati ndryshime krahasuar me muajin e mëparshëm.
INSTAT vitin e kaluar ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.