Kompania INFOSOFT SYSTEMS sh.p.k. u përzgjodh nga Agjencia e Prokurimeve Publike si fitues për krijimin e regjistrit elektronik mjekësor kundrejt një shumë prej 57 milionë lekësh (mbi 400 mijë euro), nga 66 milionë lekë që vuri në dispozicion Ministria e Shëndetësisë në garë.
INFOSOFT do të realizojë projektin për sistemin e mbledhjes dhe raportimit të informacionit shëndetësor të regjistrave mjekësore për katër muaj, por Ministria e Shëndetësisë në projektstrategjinë 2016-2020 ka planifikuar që administrimi i këtij regjistri të bëhet me Partneritet Publik Privat. Kriteret e përzgjedhjes së fituesit morën në konsideratë çmimin e ulët dhe ofertën ekonomikisht më të favorshme.
Koncesionet me Partneritet Publik Privat janë vënë në themel të politikave shëndetësore.
Koncesionet e shërbimit laboratorik, monitorimit online të barnave, monitorimit online të recetave dhe regjistri elektronik i rekordeve shëndetësore do të nisin punë këtë vit.
Në Strategjinë e Shëndetësisë 2017-2020, ku bëhet e ditur se përveç implementimit të Checkup-ëve për popullatën e grupmoshës 40-65 vjeç, Partneriteti Publik-Privat do të shtrihet drejt programeve dhe shërbimeve madhore shëndetësore, si për shembull instrumenteve kirurgjikalë; dializa; paketa e trajtimit të SJT; shërbimeve laboratorike; mbetjeve spitalore, etj.
Gjithashtu Partneriteti Publik-Privat do të përfshijë edhe monitorimin online të barnave dhe të dhënave shëndetësore.
Regjistri Elektronik i Rekordeve Shëndetësore (Electronic Health Record (EHR) që do të funksionojë nga ky vit e në vazhdim. Ky regjistër do të jetë një portal mbi historikun e pacientit nga informacioni i sistemeve që Fondi disponon. Do të krijohet një databazë shëndetësore për çdo pacient dhe është parashikuar të administrohet nëpërmjet formës me Partneritet Publik-Privat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.