Inspektorati Shtetëror i Punës bën të ditur se do të vazhdojë me kontrollin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre gjatë sezonit turistik, në luftë kundër informalitetit dhe punës ilegale, si dhe në zbatimin e masat teknike që duhen marrë për sigurinë dhe shëndetin në vendet e punës.
Nga konstatimet e viteve të mëparshme rezulton se gjatë sezonit turistik kryejnë aktivitet sezonal, shumë subjekte nga të cilët një pjesë jo e vogël, e zhvillojnë aktivitetin në shkelje të legjislacionit të punës.
Përmes një urdhri të posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm Z. Dritan Ylli, të gjitha degët rajonale kanë përgatitur plan masash për përmbushjen me sukses të këtij proçesi.
Ky kontroll ka në fokus të detajuar, zbatimin e legjislacionit të punës në drejtim te kohëzgjatjes ligjore të saj, punës së kryer në turnin e dytë dhe të tretë, në ditët e pushimit javor, ditëve të festave, etj.
Nëpërmjet kontrolleve do të synohet; minimizimi i punës informale, duke evidentuar cdo punonjës që punon në kushte informale, jashtë rregullave të mbrojtjes së sigurisë dhe shëndetit në punë, punësimin e punëmarrësve nën 18 vjec, punës me kohë të pjeshme, etj.
Në rastet kur do të konstatohen shkelje flagrante të dispozitave ligjore të marrëdhënieve të punës, do të merren masa urgjente për pezullimin e punës, si dhe do vendosen sanksione rast pas rasti, siç parashikon ligji.
Ndërkohë, duke dashur të jemi gjithnjë transparent me opinionin publik, sic dhe ju kemi bërë me dije dhe me parë, për kontrollin e ushtruar në sektorin minerar në Qarkun e Dibrës, i kryer nga një grup në përbërje të të cilit mernin pjesë dhe inspektorë nga Drejtoria Qëndrore e Inspektoratit të Punës, konstatojmë se ka një reflektim nga punëdhënësit për përmirësimin e situatës në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Rezultatet e kontrollit :
Në 33 subjekte të inspektuara, jane zbuluar 42 punëmarrës të padeklaruar dhe të pasiguruar, tashmë të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore.
Në 11 subjekte u vendos shërbimi me mjek pune, të munguar deri tani, i cili ka një rol shumë të rëndësishëm sidomos në këtë sektor.
Në 17 subjekte u ngritën Këshillat e Sigurisë dhe Shendetit ne Pune, në përbërje të të cilëve janë dhe vetë minatorët.
Për mosrespektimin e dispozitave ligjore, janë lënë detyra për t’u realizuar me afate kohore te percaktuara qarte.
Janë paralajmëruar për sanksion 26 subjekte dhe në 2 subjekte jane vënë sanksione penalizuese, për shkelje të përsëritura të legjislacionit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.