Shqetësimi i studentëve për rritjen e tarifave të studimit është konfirmuar edhe nga INSTAT, i cili gjatë gjithë vitit ka raportuar se, rritja e tarifave në shërbimet arsimore ka ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve.
Në muajin shkurt 2015 shërbimet arsimore ishin 10% më të shtrenjta se, në shkurt të vitit 2014. Por rritja me terma dy shifrore ka ndodhur prej tetorit 2013, kur qeveria e re që erdhi në pushtet në këtë kohë reformoi kuotat dhe tarifat e studimit në universitet publike.
Sipas INSTAT, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje në inflacionin e muajit shkurt të këtij viti.
Rritja e tarifave vijoi edhe në këtë vit akademik me 2014 -2015 me 14 deri në 20 %. Studentët që u regjistruan për herë të parë në këtë vit po paguajnë paguajnë 65 000 deri 135 000 lekë për një vit në Masterin e Shkencave, dhe deri 64 000 lekë në vit për studimet e Masterit Profesional.
Rritja e tarifave është diktuar edhe nga mbyllja e universiteteve private këtë vit akademik. Për të përpunuar studentet nga universitetet e mbyllura qeveria rriti tarifat publike për këtë kategori.
Shpenzimet arsimore po zënë një vend të konsiderueshëm në shportën e shpenzimeve të shqiptarëve. Në vitin 2013 sipas të dhënave të përpunuara të Monitor, të ardhurat në universitet private arritën në 40 milionë dollarë.
Këto ditë një grup studentësh u përfshi në një grevë disa ditore pikërisht për tarifat e larta të studimit në universitet publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.