Numri i ndërmarrjeve aktive gjatë vitit 2017 ka rënë me 0.8% në raport me 2016, njoftoi sot INSTAT në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve.
Në vitin 2017, operuan 107.671 ndërmarrje aktive, duke u ulur me 0,8%, krahasuar me vitin 2016, ndërsa numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 4,9%.
Në prodhuesit e të mirave, numri i ndërmarrje ka pësuar rënie me 1,3% krahasuar me vitin 2016, ndërsa treguesit e tjerë kanë shënuar rritje; numri i të punësuarve me 5,9%, shitjet neto me 7,7% dhe investimet me 1,0%.
Në prodhuesit e shërbimeve, numri i ndërmarrje ka pësuar rënie me 0,7% krahasuar me vitin 2016, ndërsa treguesit e tjerë kanë shënuar rritje, numri i të punësuarve me 4,4%, shitjet neto me 7,9 % dhe investimet me 13,4 %. Gjatë vitit 2017, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përbëjnë 0,6% të ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e shërbimeve dhe realizuan 37,2 % të shitjeve neto.
Në vitin 2017, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.030 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar rritje me 7,9% krahasuar me vitin 2016. Investimet e realizuara arritën vlerën 231 miliardë lekë nga 221 miliardë lekë në 2016, duke shënuar një rritje prej 4,5 %.
Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (41,4 %) i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (20,8 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (18,2 %). Gjatë 2017, sektori i industrisë nxjerrëse pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,5 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.
Gjatë 2017, nga vrojtimi rezulton se ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar japin kontributin kryesor në ekonomi dhe realizuan 46,5 % të shitjeve neto, 41,5 % të të punësuarve gjithsej dhe 70,1% të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,2% të ndërmarrjeve aktive.
Nga rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve vërehet se ndërmarrjet me 50 edhe më shumë të punësuar kanë kontributin më të madh të shitjeve neto me +5,7 pikë përqindje të ndjekura nga ndërmarrjet me 10-49 të punësuar me +5,4 pikë përqindje në ndryshimin vjetor gjithsej të shitjeve neto.
Ndërmarrjet, kontributin më të madh në rritjen prej 7,9 % të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me +5,3 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me +2,6 pikë përqindje. Gjatë vitit 2017, sektori i tregtisë zë peshën më të lartë të shitjeve neto me 46,8%, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 12,0%. Sektorët me peshën më të vogël janë sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,5%) dhe sektori i industrisë nxjerrëse (3,4 %)
Situatë e ngjashme paraqitet për treguesin e punësimit. Në rritjen prej 4,9% të punësimit, prodhuesit e shërbimeve dhanë kontributin më të madh me +2,8 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuuan me +2,1 pikë përqindje.
Sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2017 janë sektori i tregtisë me 24,6% të punësimit dhe sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 21,4 %, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,4 % të të punësuarve gjithsej.
Gjatë vitit 2017, investimet e realizuara u rritën me 4,5%, ku prodhuesit e shërbimeve kontribuuan pozitivisht me 3,8 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuuan pozitivisht me 0,7 pikë përqindje. Prodhuesit e shërbimeve zunë 30,7% të investimeve nga 28,3% që zinin vitin e kaluar.
Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2017 ka investuar 99 miliardë lekë duke zënë 42,9 % të investime gjithsej.
Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restoranteve (2,7 %) dhe industria nxjerrëse (4,0%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.