INSTAT, Pritet të botohet një raport gjithëpërfshirës me të gjitha të dhënat rajonale për Statistikat mbi Gjininë.
Ky ishte synimi i ditës së dytë të Konferencës, të organizuar nga INSTAT dhe UN Woman , mbi statistikat gjinore.
Në rolin e moderatores së eventit, Znj. Emira Galanxhi, kreu i Statistikave Sociale pranë INSTAT theksoi pikat kryesore të diskutimit dhe gjetjeve të ditës së djeshme, duke vlerësuar mundësinë e shkëmbimit të informacioneve mbi statistikat në rajon dhe duke përgëzuar pjesëmarrësit nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Ndër treguesit kryesor, sipas znj. Galanxhi që mund të fokusohen pritshmëritë për të ardhmen ishte fuqizimi i rolit të femrave në sipërmarrje dhe nuk la pa përmendur edhe shtimin e të dhënave për dhunën në familje.
“Kuptuam se ekziston legjislacioni në të gjitha vendet tona, për të patur një plan master dhe një monitorim të politikave, për sa i përket arritjes së barazisë gjinore. Të gjitha zyrat e statistikave të rajonit botojnë publikime të veçanta mbi meshkujt dhe femrat. Të gjitha këto vende nuk kanë kryer njësoj vrojtimet, si dhe të dhënat e censusve sigurisht janë shumë të ndryshme. Megjithatë, janë studime që duhen vlerësuar. ”
Z. Rezart Xhelo, Specialist i Politikave të Ndjeshme Gjinore dhe Statistikave, UN Women, Shqipëri, ofroi një panoramë të plotë mbi rezultatet e Censusit 2011, nga ku tregues të ndryshëm janë indikatorë të rëndësishëm, sipas tij, të studimeve të mëvonshme.
“Për sa i përket një ndër treguesve ekonomik mbi gjinitë, ai i tregut të punës, burrat mbizotërojnë këtë treg, femrat janë më të pakta të angazhuara në punësim dhe kryesojnë në profesione më pak të paguara. Gjithashtu, gratë pa fëmijë kanë shkallë më të lartë të aktivitetit ekonomik”, u shpreh më tej z. Xhelo.
Gjithashtu, në prezantimin e tij, z. Xhelo theksoi se punësimi sipas sektorëve tregon se gratë janë më të përqëndruara kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe mbajnë një pjesë prej 42 % të këtyre vendeve të punës. Hendeku më i madh është në sektorin e industrisë ku gratë kanë vetëm ¼ e punës. Dallime të mëdha në kohën e punësimit ishin në zonat rurale, pasi përgjithësisht gratë janë të vetëpunësuara në punë bujqësore.
“ Treguesit kryesorë të harmonizimit gjinor sipas fushave janë kuadri ligjor, fuqizimi ekonomik i grave, promovimi i grave dhe vajzave drejt një arsimi cilësor apo shërbime sociale cilësore, përmirësimi i shëndetit të popullsisë, roli i medias në arritjen e barazisë gjinore dhe dhuna në familje”, deklaroi Znj. Ani Plaku, Konsulente për Statistikat Gjinore pranë INSTAT.
Për sa i përket fuqizimit të grave në ekonomi, përpos të dhënave të bëra të ditura ditën e djeshme për punësimin e fëmrave 20% më pak , apo rritjen e numrit të femrave në pozicione menaxheriale, një element tjetër që kërkon studime të mëtejshme ishte, sipas znj. Plaku, dallimi në paga mes femrave dhe meshkujve brenda profesionit apo nivelit të profesioneve në të njejtin sektor. Ky do të ishte një ndër hapat e ardhshëm , së bashku me të tjerë tregues që duhen studiuar më tej, sikurse përqindja e grave dhe vajzave që kanë akses në kredimarrje, numri i raportimeve për ngacmime seksuale në vendin e punës apo atyre të ndjekura penalisht, si dhe përqindja e grave në role drejtuese në partitë politike. Një tjetër tregues sipas znj. Plaku që duhen patur në fokusin e synimeve të ardhshme, është numri i femrave apo meshkujve që përfitojnë shërbime sociale, ndihmë ekonomike : sipas zonës, gjendjes civile, arsimit, moshës; si dhe alokimi i burimeve financiare nga qeveria apo OJF-të për të ndihmuar aksesin e grave në asistencën sociale.
Në fund të konferencës, u zhvillua një debat me temë “Punësimi dhe gratë në vendimmarrje”, si dhe”Ndryshimet demografike në arsimim”, ku të gjithë ekspertët nga Europa Juglindore dhanë të dhëna dhe prespektiva nga vendet e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.