Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015 shkalla e papunësisë arriti në 17.5%, duke shënuar rritje në krahasim me tremujorin e mëparshëm, kur ky treguesi ishte 17.3%. Edhe në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, papunësia është rritur lehtë (në tremujorin e tretë 2014 ishte 17.4%). Efektin kryesor në rritjen e papunësisë në raport me një vit më parë e kanë femrat, shkalla e papunësisë tek të cilat është rritur me 3.2 pikë përqindjeje.
Sipas INSTAT, referuar publikimit të Anketës së Forcave të Punës, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç për të njëjtën periudhë ishte 1.063.692 persona, ndërsa i të papunëve (mosha 15-64 vjeç) ishte 226.281 persona.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015 në Shqipëri:
Për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,5 %.
Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32,3 %.
64,7 % e popullsisë 15-64 vjeç është aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim
aktiv të një pune.
Shkalla e punësimit për popullsinë e moshës 15-64 vjeç është 53,3 %.
Shkalla e punësimit për meshkujt është 16,4 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç:
Numri i të punësuarve është rritur me 20.634 persona.
Numri i personave të papunë është rritur me 6.695.
Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 25.252.
Shkalla e papunësisë për femrat është rritur me 3,2 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt ka
rënë me 2,2 pikë përqindje.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2015 për popullsinë 15-64 vjeç:
Numri i të punësuarve është rritur me 14.784 persona.
Numri i personave të papunë është rritur me 6.118.
Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës është ulur me 17.985.
Shkalla e papunësisë ka rënë me 0,1 pikë përqindje për meshkujt dhe është rritur me 0,5 pikë
përqindje për femrat.
Anketa dhe të dhënat administrative
INSTAT publikon dy tregues për forcat e punës, anketën e forcave të punës, që realizohet përmes mbledhjes në terren të të dhënave përgjatë gjithë vitit nga punonjësit e INSTAT dhe të dhënat administrative të forcave të punës, përmes mbledhjes së të dhënave zyrtare. (Në familjet e zgjedhura anketohen nëpërmjet intervistës së drejtpërdrejtë të gjithë pjesëtarët në moshë 15 vjeç e lart).
Si rrjedhojë Anketa e Forcave të Punës nuk ka reflektuar efektin e formalizimit në treguesit e punësimit, por jep një tendencë më reale në ecurinë e treguesve të punësimit e papunësisë (shënim i Monitor).
Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit 2015, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 64,7 %. Për femrat shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 54,7 % ndërsa për meshkujt 74,4 %, për rrjedhojë shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për meshkujt është 19,7 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë
15-29 vjeç është 45,0 %. Shkalla e punësimit të të rinjve është 30,4 %.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 30-64 vjeç është 75,1 %. Shkalla e punësimit
për këtë grup-moshë është 65,4 %.
Gjatë tremujorit të tretë 2015, 39,7 % e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç janë të angazhuar në
sektorin e bujqësisë dhe 23,9 % e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia
me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe
komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme).
Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 17,2 % të punësimit total të grup-moshës 15-64 vjeç. Të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 9,4 % të të punësuarve 15-64 vjeç.
Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i dytë 2015 në tremujorin e tretë 2015 është: 6% në aktivitetet e shërbimeve të tregut (tregti, transport, hoteleri, ndërmjetësim monetar dhe financiar); 2,8 % në industrinë përpunuese; 1,1 % në sektorin e ndërtimit; dhe 1 % në grup-aktivitetet e shërbimeve jo të tregut. Pati rënie të numrit të të punësuarve në aktivitetet bujqësore me 1,1 % dhe me 0,7 % në grup-aktivitetet industri nxjerrëse, energji, gaz dhe furnizim me ujë.
Sipas INSTAT, në terma vjetorë, punësimi për popullsinë 15 vjet e lart u rrit me 1,7 % (krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014).
Rritje më të madhe vjetore në punësim patën sektorët: industri përpunuese me 10,3 %;
ndërtim me 9,8 %; grup-aktivitetet industri nxjerrëse, energji, gaz dhe furnizimi me ujë me 9,4 %;
shërbime jo të tregut me 7,4 %; dhe shërbime e tregut me 2,8 %.
Në terma vjetorë punësimi pësoi një rënie prej 3,5 % në aktivitetet bujqësore.
Gjatë tremujorit të tretë 2015, në grup-moshën 15-64 vjeç, pesha që zënë në punësimin total të
punësuarit me pagë është 41,6 %. Të vetë-punësuarit (punëdhënës ose të vetë-punësuar pa të
punësuar të tjerë me pagë) përbëjnë 29,0 % të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të
familjes përbëjnë 29,4 % të punësimit total.
Shkalla e punësimit (grup-mosha 15-64 vjeç) është më e lartë për të punësuarit me arsim të lartë
(64,5 %) pasuar nga ata me arsim profesional (61,5 %). Të dhënat tregojnë se përqindja e të
punësuarve me pagë është më e lartë për personat me arsim të lartë dhe e kundërta vërehet tek të
punësuarit me arsim 8/9 vjeçar ku mbizotërojnë punëtorët pa pagesë të familjes.
Po të analizojmë të punësuarit me arsim të mesëm, shkalla e punësimit është më e lartë për personat
me arsim të mesëm profesional krahasuar me personat që kanë kryer shkollën e mesme të
përgjithshme, përkatësisht 61,5 % dhe 47,0 %.
Pesha që zënë të punësuarit me pagë rritet me rritjen e nivelit arsimor. Nga të punësuarit me arsim të
lartë 81,6 % janë të punësuar me pagë dhe vetëm 5,2 % janë të punësuar si punëtorë pa pagesë të
familjes. Tek të punësuarit me arsim të mesëm profesional dhe me arsim të mesëm të përgjithshëm
përqindjet që zënë të punësuarit me pagë janë përkatësisht 42,4 % dhe 47,4 %.
Papunësia
Gjatë tremujorit të tretë 2015 në Shqipëri, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në
mënyrë aktive është 226.281 persona. Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç është
17,5 %. Për këtë grup-moshë, shkalla e papunësisë është 0,3 pikë përqindje më e lartë për femrat
(17,7 %) sesa për meshkujt (17,4 %).
Krahasuar me tremujorin e pararendës, shkalla e papunësisë ka pësuar në rritje të lehtë prej 0,2 pikë
përqindje. Për meshkujt shkalla e papunësisë ka pësuar një rënie prej 0,1 pikë përqindje, ndërsa për
femrat ka një rritje prej 0,5 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 23,6 % ose 6,1 pikë
përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar. Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie
prej 18,4%. Për personat me arsim të mesëm profesional dhe ato me arsim deri në 8/9 vjeçar shkalla e
papunësisë është përkatësisht 16,6 % dhe 13,6 %.
Gjatë tremujorit të tretë 2015 për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32,3 %.
Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka rënë me 1,9 pikë përqindje.
Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e tretë 2015 shkalla e papunësisë është 12,9 %.
Popullsia ekonomikisht jo-aktive
Gjatë tremujorit të tretë 2015 numri i personave të moshës 15-64 vjeç jashtë tregut të punës dhe që
nuk po kërkojnë punë ose nuk janë të gatshëm për të punuar (popullsia ekonomikisht jo-aktive) është
704.885.
Krahasuar me tremujorin pararendës, numri i personave ekonomikisht jo-aktivë ka rënë me 2,5 %. Për
grup-moshën 30-64 vjeç numri i personave ekonomikisht jo-aktivë ka rënë me 2,5 %.
Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014, popullsia ekonomikisht jo-aktive e moshës 15-64 vjeç
është reduktuar me 3,5 %.
Popullsia e moshës 15-64 vjeç e klasifikuar si ekonomikisht jo-aktive përbën 35,3 % të popullsisë në
moshë pune. Gjatë tremujorit të tretë 2015, 18,2 % e popullsisë ekonomikisht jo aktive e moshës 15-64
vjeç është duke përmbushur detyrat shtëpiake.
Nga ATFP rezulton se 12 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive e moshës 15-64 vjeç janë në pension
ose pension të parakohshëm, ndërsa 9,9 % janë në paaftësi të përhershme.
11,5 % e personave ekonomikisht jo-aktivë të moshës 15-64 vjeç janë të papunë të dekurajuar.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 65,8 % të
të rinjve ekonomikisht jo aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo aktivë, 8,4 %
klasifikohen si të papunë të dekurajuar ndërsa në popullsinë më të rritur të moshës 30-64 vjeç ky grup
përbën 15,1 % të popullsisë ekonomikisht jo aktive të kësaj grup-moshe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.