Një mikroskop me realitet të shtuar, në gjendje të njohë menjëherë qelizat kancerogjene në indet e njeriut. Ky është projekti i prezantuar nga Google gjatë asamblesë së përvitshme të Shoqatës Amerikane për Kërkimin mbi Kancerin që po zhvillohet në Çikago. Një pajisje që do të ndihmojë në përshpejtimin e kohërave dhe diagnozave, duke u lehtësuar punën mjekëve dhe patologëve nëpërmjet deep learning dhe aksesit në një arkivë vazhdimisht të azhurnuar.
Bëhet fjalë për një teknologji me kosto të ulët – shpjegon Google. Pajisja, në fakt, është një mikroskop optik, i modifikuar, i cili lidhet me një rrjet nervor artificial: kjo i lejon platformës të analizojë në kohë reale imazhet dhe të shfaqë rezultatet menjëherë nëpërmjet aplikacioneve AR.
Ndërkohë që skanohen indet, duke lëvizur pajisja dhe duke modifikuar zmadhimin deri në 40X, mikroskopi AR ia dërgon imazhet sistemit qendror me shpejtësinë 10 fotogramë në sekondë, algoritmet analizojnë imazhet e marra dhe japin një feedback vizual.
Google deklaroi që mikroskopi AR, aktualisht në versionin prototip, ka potencial me ndikim të madh në shëndetin në mbarë botën dhe mund të përdoret, për shembull, për diagnozën e sëmundjeve infektive, si malaria apo tuberkulozi, në vendet në zhvillim për të thelluar kërkimin në fushën shkencore.