Sipas Gartner, Inteligjenca Artificiale përfaqëson një treg gjigant, i destinuar që këtë vit të arrijë diku rreth 1901 miliardë dollarë në nivel botëror, në rritje me 62% krahasuar me 2018, ku edhe qarkullimi u rrit me 70% krahasuar me vitin e kaluar.
Inteligjenca Artificiale po përjeton një rritje të paprecedentë. Në katër vitet e fundit, kompanitë që kanë përqafuar përdorimin e IA janë rritur me 270%, me Chief Information Officer – CIO (drejtuesit e IT në kompani) të cilët e kanë bërë atë prioritet, siç tregon një analizë e fundit, e kryer nga Gartner te 3000 CIO në 89 vende të botës. Inteligjenca Artificiale, thonë njëzëri drejtuesit IT të kompanive, është bërë pjesë përbërëse e çdo strategjie dixhitale dhe përdoret në një numër të madh aplikacionesh.
Ajo është një nga shtyllat e transformimit dixhital në çdo lloj kompanie: 52% e kompanive të telekomunikacioneve, për shembull, përdorin chatbot (softuerë të krijuar për të “dialoguar” me qeniet njerëzore), 38% e shoqërive të sektorit shëndetësor mbështetet te diagnozat në të cilat kompjuterët kanë një rol jo dytësor. Në aspektin e Inteligjencës Artificiale, problemi numër një i raportuar nga pjesa më e madhe (54%) e drejtuesve IT të kompanive është mungesa e talenteve, të profesionistëve. Kjo po detyron kompanitë të investojnë në programe trajnimi për punonjësit që zotërojnë aftësitë bazë të statistikave dhe data management, ndonjëherë duke bashkuar forcat edhe me kompani të tjera.
Bumi i Inteligjencës Artificiale është i tillë sa është bërë thuajse një modë, një fiksim, ku ndonjëherë harrohet se teknologjitë duhet të jenë në shërbim të një strategjie të kompanisë, dhe jo e kundërta. “Është e rëndësishme që drejtuesit IT dhe menaxherët në një kompani të kuptojnë se ku krijon vlerë Inteligjenca Artificiale dhe cilat janë limitet – shpjegon Alexander Linden, zv.president i Gartner – duke pasur parasysh që IA duhet të përdoret në mënyrë korrekte dhe në shërbim të një strategjie të përgjithshme”. Gartner i ka kushtuar një raport specifik pesë miteve false mbi Inteligjencën Artificiale.
Miti i parë: IA punon si truri njerëzor
Krahasimi i Inteligjencës Artificiale me inteligjencën njerëzore është i pavend, shpjegon Gartner, pasi bëhet fjalë thjesht për një degë të inxhinierisë informatike që zhvillon softuerë për të zgjidhur probleme të veçanta. Sigurisht, disa aplikacione të machine learning (një pjesë e IA) janë befasuese – për shembull softuerët e njohjes së fytyrës japin rezultate shpesh më të sakta se ato të njeriut – por nuk duhet të harrojmë që bëhet fjalë për teknologji që mund të kryejnë vetëm atë funksion të veçantë. Ato nuk mund të zgjidhin, për shembull, një problem të thjeshtë në matematikë.
Miti i dytë: Makinat inteligjente mësojnë vetë
Mos mendoni kurrë që IA kërkon pak mirëmbajtje. Për zhvillimin e një sistemi të Inteligjencës Artificiale është e nevojshme një punë e madhe nga shkencëtarët, të cilët duhet të identifikojnë problemin të cilit duhet t’i përgjigjet IA, të përcaktojnë bazën e të dhënave të rëndësishme për këtë detyrë dhe mbi të gjitha, të vazhdojnë të zhvillojnë softuerë për të integruar teknologji dhe të dhëna të reja në ciklin e të mësuarit të makinës.
Miti i tretë: Inteligjenca Artificiale është e lirë nga paragjykimet
Çdo teknologji IA mbështetet te të dhënat, rregullat dhe në përgjithësi inpute të vendosur nga qeniet njerëzore. Si rezultat, analizat që kryen nga Inteligjenca Artificiale mund të jenë të pjesshme, ashtu siç është gjykimi i njeriut. Për të zvogëluar këtë problem, shpesh bëhen përpjekje për të krijuar një skuadër heterogjene profesionistësh për të punuar për IA, në mënyrë që të kenë qasje të ndryshme, si në zgjedhjen e databazës, ashtu edhe te zgjidhjet teknologjike të adoptuara.
Miti i katërt: Inteligjenca Artificiale do të zëvendësojë vetëm punët përsëritëse
Ne mendojmë se Inteligjenca Artificiale do të shërbejë për të zëvendësuar njeriun në detyra të thjeshta dhe përsëritëse, siç kanë bërë në të kaluarën robotët në linjat e montimit të industrive automobilistike. Në sektorin shëndetësor, për shembull, teknologjitë e imaging janë në gjendje të analizojnë një radiografi me shpejtësi dhe saktësi shumë më të madhe se vetë radiologu. Në sektorin financiar, robadvisor janë gjerësisht të përhapur në menaxhimin e portofolit dhe softuerëve të tjerë për identifikimin e anomalive në operacionet e online banking. Kjo nuk do të thotë që Inteligjenca Artificiale do të zëvendësojë mjekët apo menaxherët e financave, por do të punojë gjithnjë në krah të tyre, duke i detyruar të përditësojnë aftësitë e tyre personale.
Miti i pestë: Jo të gjithë kompanitë kanë nevojë për Inteligjencë Artificiale
A jemi të sigurt se ekzistojnë kompani që nuk kanë nevojë për ndonjë aplikacion të Inteligjencës Artificiale? Sipas Gartner, çdo kompani duhet të vlerësojë ndikimin potencial të Inteligjencës Artificiale në strategjinë e vet të sipërmarrjes – drejtuesit në fushën e Teknologjisë së Informacionit janë të vetëdijshëm se ata që e lënë pas dore inovacionin teknologjik, ua dhurojnë të ardhmen e tyre konkurrentëve.
Burimi: Il Sole 24 Ore