Nga lufta kundër ndryshimeve klimatike te përmirësimet e kurave kundër tumoreve. Inteligjenca Artificiale premton të revolucionarizojë shoqërinë dhe t’i japë armë të reja për të zgjidhur sfidat globale.
Por gjithçka, duke diktuar rregulla etike
Bill Gates e pati thënë në vitin 1997, kur hapi në Cambridge qendrën e parë për kërkime jashtë Shteteve të Bashkuara: “Një ditë kompjuterët do të mund të shohin, të dëgjojnë, të flasin e të kuptojnë qeniet njerëzore”. Dhe në qytetin britanik, inxhinierët dhe shkencëtarët u përqendruan në zhvillimin e atij që sot – 20 vjet më pas – është shndërruar një ndër sektorët në të cilin Microsoft po investon më shumë: Inteligjenca Artificiale.
Kjo teknologji, sipas kompanisë me bazë në Redmond, Uashington, duhet të fitojë sfidat më të ndërlikuara të shoqërisë sonë. Algoritme, Cloud dhe analiza Big Data – këto janë copëza të vogla të puzzle që bën që makinat të mund të “mësojnë”. Në Londër, Microsoft i ka prezantuar për herë të parë Europës vizionin se si Inteligjenca Artificiale do të revolucionarizojë gjithë shoqërinë.
Inteligjenca Artificiale ka të bëjë me njerëzit – tha Harry Shum, zëvendëspresidenti i Microsoft dhe përgjegjës për kërkimet në këtë sektor – kjo do të thotë të plotësosh zgjuarsinë e njeriut nëpërmjet një teknologjie inteligjente që mund të arsyetojë, kuptojë dhe të ndërveprojë me ne”. Por që kjo të ndodhë, është e rëndësishme që pjesëtarët e kësaj shoqërie të kuptojnë potencialin e saj.
Në shtator, kompanitë më të mëdha që janë duke punuar me Inteligjencën Artificiale, vendosën që të bashkohen për të formuar një partnership ekskluzivisht për kërkimin dhe zhvillimin e një etike për makinat inteligjente të së ardhmes. Nga Google e Facebook tek Microsoft, Ibm dhe Amazon. Kësaj i janë bashkuar edhe akademikë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
Por në Redmond dëshirojnë të bëjnë një hap më tej dhe për këtë është krijuar një grup pune për një studim më të thelluar – Aether Advisory Panel. Ky grup përbëhet nga 100 inxhinierë dhe kërkues, detyra e të cilëve do të jetë studimi i Inteligjencës Artificiale në mënyrë të thelluar (për të kuptuar më mirë atë artificiale), krijimi i teknikave të reja të bashkëpunimit njeri-makinë dhe gjetja e një mënyre më të mirë për t’i shpjeguar shoqërisë se cilat do të jenë ndryshimet që do të vijnë nga kjo teknologji e re. Për të krijuar besim dhe në të njëjtën kohë, siguri.
Mes analizimit të automatizuar të kartelave klinike, kërkimeve në gjenetikë dhe robotëve në përmirësimin e komunikimit me pacientët, në Microsoft Research Lab të Cambridge janë duke punuar për të përmirësuar procesin e diagnozave dhe kurimin e sëmundjeve.
Këtu, sasia e të dhënave të disponueshme është jashtëzakonisht e madhe, ndërsa teknikat për t’i analizuar janë ende – shpesh – manuale. Mendjet e angazhuara në këtë sektor vijnë nga e gjithë bota.
Antonio Criminisi, i lindur në Palermo, ka studiuar për inxhinieri elektronike, për të përfunduar më pas në Oksford dhe më tej në laboratorët e Microsoft ku punon tashmë prej 17 vitesh. I specializuar në “machine learning” dhe “computer vision”, ai drejton një grup që po zhvillon një program që do të lejojë përgjysmimin e kohës dhe kostot e trajtimit të kancerit.
“Për momentin jemi përqendruar tek radioterapia, por i njëjti sistem i përshtatet edhe kimioterapisë dhe kirurgjisë”, – tregon me një theks sicilian. Pasi të realizojmë imazhin tredimensional të zonës së trupit ku ndodhet tumori, për t’i siguruar të dhënat e nevojshme krahut robotik, duhet të evidentojmë dhe të ndajmë çdo organ që do t’i ekspozohet rrezatimit.
“Pjesa e dytë është tashmë e automatizuar, ndërsa e para bëhet ende manualisht – vijon Criminisi. – Ne e ndajmë pamjen në Voxel (ekuivalenti i piksel por në 3D) dhe falë Inteligjencës Artificiale në 20 sekonda jemi në gjendje të përfundojmë një proces për të cilin sot duhen disa orë”.
Sistemi është duke u eksperimentuar në spitale europiane dhe amerikane. Megjithatë, kontrolli mbetet gjithnjë në duart e mjekut, që mund të ndryshojë rezultatin nëse e konsideron të arsyeshme, “sepse Inteligjenca Artificiale, po ashtu si ajo e njerëzve, nuk është e pagabueshme”. Dhe zgjidhja më e mirë vjen nga një bashkëpunim mes të dyjave” – përfundon Criminisi.
Microsoft ka investuar 2 milionë dollarë për programin e tij të ri “AI for Earth”. Një grup kërkuesish do t’u ofrojë organizatave joqeveritare dhe grupeve të tjera ambientaliste instrumentet dhe suportin teknik për krijimin e sistemeve më efikase për luftën kundër ndryshimeve klimatike – nëpërmjet Inteligjencës Artificiale. Në fokus qëndrojnë: biodiversiteti, agrikultura dhe zgjidhje për mungesën e ujit të pijshëm në vendet në zhvillim.
Inteligjenca Artificiale shërben edhe për të komunikuar. Nëse nga një anë, Google po e bën gjithnjë e më të sofistikuar programin e tij të përkthimit, edhe Microsoft është duke u angazhuar në këtë sektor. Një investim në afat të gjatë, i cili ka nisur në vitin 1991, me studimin e gjuhës dhe i konkretizuar më parë në vitin 2015 – data e prezantimit të Skype Translator – dhe më pas në vitin 2016 me aplikacionin Microsoft Translator. Shoqëria, po ashtu, ka realizuar edhe Presentation Translator, një zgjerim i PowerPoint, i menduar për ata që duhet të mbajnë konferenca dhe diskutime para një publiku shumetnik.
Studimet mbi Inteligjencën Artificiale të Microsoft kanë çuar në realizimin e projekteve të rëndësishme prej vitesh me radhë. Në 2014-n, për shembull, ata realizuan Windflow, i cilësuar si treguesi më i mirë i motit që ekziston.
Bëhet fjalë për një hartë që paraqet gjithë rrymat dhe erërat, duke përfshirë edhe drejtimin dhe shpejtësinë. Të dhënat vijnë direkt nga avionët. Kërkuesit kanë zhvilluar një algoritëm që shfrytëzon të dhënat e FAA (Federal Aviation Administration) duke i shndërruar avionët në sensorë gjigantë nga ku mund të nxjerrin përfundime për parashikimet motit. Për momentin, harta Windflow mund të përdoret vetëm në qiejt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një aplikacion që u “tregon” botën atyre që kanë probleme me shikimin. “Seeing AI” është një aplikacion falas i disponueshëm në Apple Store.
Falë Inteligjencës Artificiale dhe sistemit të njohjes së objekteve, aplikacioni i përshkruan përdoruesit atë që inkuadrohet në fotokamerën e smartphone, çfarëdo qofshin, persona, peizazhe apo tekste të shkruara. Po ashtu, aplikacioni njeh edhe imazhe në aplikacione të tjera si WhatsApp apo Twitter.
Në shkurt të vitit 2016, Microsoft bleu SwiftKey, një shoqëri e specializuar në prodhimin e software-ve për tastiera. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale u përqendrua në përmirësimin e komunikimit për ata që kanë vështirësi, si për shembull njerëzit me aftësi të kufizuara dhe veçanërisht autikët.
Së bashku kanë krijuar një “keyboard” për Android, me simbole, që shfrytëzon teknologjinë parashikuese dhe ndihmon në krijimin e fjalive.
Burimi: Corriere della Sera