Rekord të ardhurash për Interin, me rastin e derbit ndaj Milanit të dielën, më 15 tetor. Derbi Inter – Milan është gjithnjë emocionues. Dhe këtë fakt e vërteton edhe shitja e të gjitha biletave gjatë muajit shtator për ndeshjen që do të zhvillohet më 15 tetor.
Bëhet e ditur se klubi zikaltër, si ekip pritës do të fitojë 4,5 milionë euro nga kjo sfidë që do të luhet në stadiumin “San Siro”. Kjo shifër është 300 mijë euro më shumë nëse krahasohet me rekordin e një viti më parë më 15 prill (4,2 milionë euro). Përballja Inter – Milan sezonin e kaluar përfundoi 2-2 dhe ndeshja u luajt për herë të parë në orën 12:30 të drekës.
Në sezonin 2016/2017, derbi në “San Siro” ishte ndeshja me numrin më të madh të spektatorëve (78.328), një numër më i lartë krahasuar edhe me ndeshjen përballë Juventus në shtator 2016 me 76.484 spektatorë.
Kjo është hera e 219 (ndeshje zyrtare) që skuadrat përballen me njëra-tjetrën, dhe e 290-a duke përfshirë edhe ndeshjet miqësore.