Edhe pse në një periudhë jo shumë të favorshme për kërkimin e naftës për shkak të çmimeve të ulëta në tregjet ndërkombëtare, kompani të huaja me emër si Shell i janë përgjigjur ftesës së qeverisë shqiptare për të zhvilluar nxjerrjen e naftës në blloqet e paaktivizuara ende, kryesisht në zonën e Dumresë.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka administruar dhe përcjellë drejt Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë kompanitë aplikuese për Bllokun nr. 4 dhe Bllokun Dumre.
Për Bllokun Dumre kanë aplikuar tri kompani, ndërsa për Bllokun Nr. 4 kanë aplikuar dy kompani.
Në bllokun Nr. 4 kanë aplikuar Shell Upstream Albania B.V dhe Petromanas Albania GmbH dhe Interland Investment SA.
Në Blloku Dumre ka aplikuar Shell Upstream Albania B.V dhe Petromanas Albania GmbH Interland Investment SA dhe Navitas Petroleum Limited.
Shell, një ndër shtatë kompanitë më të mëdha në botë në fushën e naftës, ka depozituar aplikimin për të dyja blloqet, ndërsa për Bllokun Dumre, ka aplikuar edhe gjiganti izraelit Deleg Group LTD përmes kompanisë së saj Navitas Petroleum Limited. Ajo listohet gjithashtu si një ndër kompanitë me vlerën më të madhe të të ardhurave në botë. Shell është aktive në çdo fushë të industrisë së naftës e gazit, duke përfshirë kërkimin dhe prodhimin, rafinimin, shpërndarjen dhe tregtimin. Shell ka operacione të saj në 90 vende të botës përfshirë edhe Shqipërinë, ku aktualisht është në fazë kërkimi së bashku me Petromanas në zonën e Shpiragut.
Kompania Navitas Petroleum Limited kontrollohet nga Delek Group LTD, e cila është e regjistruar në Netanya të Izraelit, e listuar në Tel Aviv Stock Exchange. Delek Group LTD rezulton se është një nga kompanitë lider në botë, duke ushtruar aktivitetin në shumë industri përfshirë energjinë, naftën e gazin, kërkim dhe prodhim, rafineri, infrastrukturë, parqe energjetike, sigurim dhe shërbime financiare. Kompania ka zbuluar më shumë se 40 TCF gaz natyral në vitet e fundit dhe ka një Market Cap prej më shumë se 5 miliardë USD. Aktiviteti lider i Delek Group përqendrohet aktualisht në Mesdheun Lindor, në kërkimin dhe shfrytëzimin e rezervave të naftës dhe gazit në Izrael dhe Qipro.
Procedurat që ndiqen:
- Subjektet e interesuara paraqesin pranë MEI, AKBN, një aplikim për të hyrë në Marrëveshje Hidrokarbure, që në rastin konkret deri më datën 15 korrik 2015 për dy blloqe kërkimi.
- AKBN e shqyrton aplikimin sipas procedurës së mëposhtme:
– Në rastin kur në AKBN ka aplikim nga një subjekt i vetëm për një bllok, AKBN, brenda 10 ditëve nga marrja e aplikimit, i paraqet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë (MEI) dokumentacionin e nevojshëm dhe kërkesën për miratimin e fillimit të negocimeve. MEI jep aprovimin ose jo për fillimin e negociatave brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit nga AKBN ose Albpetrol.
-Në rast se ka më shumë se një aplikim për një bllok ose vendburim të lirë, AKBN do të përcjellin në MEI dokumentacionin e shoqërive aplikuese dhe vlerësimin e AKBN, bazuar në kapacitetin teknik, financiar si dhe termat dhe kushtet kryesore të marrëveshjes hidrokarbure. Mbi këtë dokumentacion të paraqitur, MEI miraton ose jo shoqërinë fituese.
-Në rast miratimi nga MEI të kërkesës së AKBN, përfaqësuesit e AKBN fillojnë negociatat me subjektin e përzgjedhur fitues nga MEI për termat dhe kushtet kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure, në bazë të aplikimit të paraqitur nga subjekti fitues. Me urdhër të ministrit, në grupin negociator do të caktohen përfaqësues nga MEI ose ekspertë të jashtëm. Pasi palët bien dakord, dokumenti nënshkruhet nga të dy palët dhe i përcillet MEI për miratim.
-AKBN përcjell në ministri për miratim termat dhe kushtet kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit.
-Në rast miratimi të termave dhe kushteve kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure nga ministri fillon procedura për negocimin e Marrëveshjes Hidrokarbure. Ky proces përfundon kur drafti përfundimtar firmoset faqe më faqe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.