Përmes uljes së normës bazë të interesit, Banka e Shqipërisë synon të nxisë ekonominë përmes uljes së kostos së lekut, që do të përkthehet në rënie të interesave të kredisë dhe reduktim të normave të depozitave, çka do t’i bënte individët më të prirur për të shpenzuar paratë e tyre dhe jo për të kursyer.
Ndërsa kjo lëvizje nuk ka arritur të nxisë shumë kredinë, (që në gusht ra 1.3% me bazë vjetore, ndërkohë që kosto e huasë në lekë nuk ka rënë dukshëm), depozituesit po përfitojnë gjithnjë e pak kthim nga kursimet e tyre.
Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, në gusht, interesi i depozitave në lekë me afat maturimi 12 mujor zbriti në 3.83%, nga 4.26% që ishte në korrik dhe rreth 5.2% në janar.
Edhe fitimi që mund të merret nga investimi i eurove në depozita ka rënë ndjeshëm, duke zbritur në 1.86% në gusht, në raport me 2.85% që mund të përfitohej në dhjetor 2012.
Të dhënat e mëparshme të Bankës së Shqipërisë treguan se në gusht 2013 stoku i depozitave në fund të muajit gusht arriti në 948 miliardë lekë, duke shënuar rritje prej 13 miliardë lekësh, apo 1.4%, në raport me korrikun e po këtij viti (rreth 90% e rritjes erdhi nga kursimet në valutë).
Me bazë vjetore (gusht 2013/gusht 2012), depozitat janë zgjeruar me 18 miliardë lekë, apo 1.9%. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin 84 miliardë lekë dhe 10%, çka tregon se ritmet e rritjes së depozitave janë reduktuar ndjeshëm këtë vit, pjesërisht si rrjedhojë e rënies së remitancave, pjesërisht nga tërheqja e kursimeve në valutë që u konstatua në muajt përpara zgjedhjeve të qershorit, ndërkohë që dhe kriza ekonomike ka bërë punën e vet, teksa individët kanë më pak para për të kursyer.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.