Alternativë investimi edhe për individët; Interesi i bonove prek nivelin më të lartë që nga marsi

07/12/2017 10:00 AM 0 komente

Interesat në ankande për bonot me afat maturimi 12 mujor kanë regjistruar rritje gjatë muajve të fundit. Bëhet fjalë për interesin mesatar (yield-i) me të cilin qeveria siguron borxhin nga tregu dhe që në ankandin e fundit të zhvilluar në 5 dhjetor shënoi 2.63%. Ky është interesi mestar më i lartë me të cilin qeveria ka blerë borxhin përmes emetimit të bonove 12 mujore që nga 7 marsi i këtij viti. Në fakt interesi mesatar hyri në një cikël rënës që nga dhjetori i 2016-ës duke shënuar nivelin më të ulët të këtij 1.79% në prill të këtij viti. Por nga ky moment e në vijim interesi mesatar ka shënuar vetëm rritje. Gjithsesi kjo është shoqëruar me një raport mbulimi të ulët duke treguar një interes anemik të bankave që janë edhe pjesëmarrëset kryesore në ankande për të financuar borxhin e qeverisë.

Ekspertë në sektorin bankar vlerësojnë se kjo është një tendencë që ka kohë që ka nisur. Ka një kufizim të kërkesës nga bankat që janë edhe pjesëmarrëset kryesore dhe duke ndjekur rregullat e tregut të një kërkesë më të lartë dhe një oferte më të kufizuar normalisht interesi do të ketë rritje. Të njëjtët ekspertë vlerësojnë se kjo mund të jetë një sinjal indirekt i masave të paralajmëruara të Bankës së Shqipërisë për deeuroizimin e ekonomisë.

“Mund të ketë një zhvendosje nga fondet e investimit tek kreditimi. Pra bankat po reflektojnë atë që u kërkua nga BSH për më shumë kredi në monedhën vendase dhe nuk po paraqiten më në ankande. Arsyet mund të jenë disa por kryesisht rrotullohen rreth këtyre zhvillimeve. Edhe në vijim pritet që të shohim të njëjtën tendencë por se me çfarë hapi dhe çfarë intensiteti kjo mbetet për t’u parë” pohojnë ekspertët.

De-euroizimi nënkupton që ka një orientim të bankave drejt kredive në lekë. Nga ana tjetër edhe rritja e depozitave është ngadalësuar, çka lë më pak fonde të lira për bankat për të investuar në bono (letrat me vlerë të qeverisë). Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë, për strukturën e aktiveve të sistemit bankar treguan se zëri i veprimeve të letrave me vlerë (investimet e bankave në bono) shënoi një ulje prej 3% në fund të shtatorit, në krahasim me dhjetorin 2016, ndërsa për të njëjtën periudhë stoku i huasë dhënë për sektorin privat (duke përfshirë fshirjet e huasë që nuk kthehet për të paktën tre vjet), u rrit me 1.2%.

Alternativë investimi

Bonot e thesarit janë një aletrnativë e mirë investimi edhe për individët dhe rritja e interesave është një lajm i mirë për kursimtarët, në krahasim me depozitat,  kthimi nga të cilat është mesatarisht 1% në vit.

Çdo individ mund të blejë bono thesari, duke iu drejtuar bankave që janë të licencuara për një aktivitet të tillë.

Vitet e fundit, interesi i ulët i depozitave ka bërë që individët të mos preferojnë të mbajnë kursimet në banka. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit tetor arriti në  995 miliardë lekë, me një rënie prej 0.3% në krahasim me muajin e mëparshëm. Totali i depozitave të individëve në lekë, ka zbritur në 260 miliardë lekë në fund të muajit tetor 2017, nga 373 miliardë lekë që ishin në dhjetor të vitit 2012. Vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti, individët kanë tërhequr rreth 27 miliardë lekë, apo gati 200 milionë euro.

BSH për tregun primar

Tendencën për një rritje të yield-eve në tregun primar të letrave me vlerë e ka konfirmuar edhe Banka e Shqipërisë në raportin e saj të Politikës Monetare që i korrespondon tremujorit të tretë të vitit. Referuar këtij raporti thuhet se yield-et kanë ardhur në rritje si për bonot edhe për obligacionet.

“Rritja e yield-eve ka vijuar prej tremujorit të kaluar dhe ka ndjekur ritme të ngjashme edhe në këta muaj. Raporti i kërkesës së investitorëve ndaj ofertës së qeverisë në ankandet e bonove, ndonëse më i lartë se 1, ka rezultuar në rënie në krahasim me tremujorin e mëparshëm, duke qenë kështu faktor në prirjen rritëse të yield-eve në këtë periudhë. Analiza e ecurisë së yield-eve tregon se rritja ka qenë e përmbajtur dhe e shpërndarë tek të gjitha maturitetet e tregtuara, duke u reflektuar në zhvendosjen lart të nivelit të kurbës së yield-eve, por jo në ndryshimin e pjerrësisë së saj” thuhet në raport.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz