Interesi i obligacionit tre vjeçar ulet ndjeshëm në 1.8%, shkak Eurobondi

15/04/2019 11:01 PM 0 komente

Interesat e  letrave me vlerë të qeverisë kanë pësuar ulje jo të zakonte në këtë fillim vit. Me datën 11 prill interesi i obligacionit tre vjeçar arriti në 1.89 për qind me një rënie 0.2 pikë përqindje në raport me ankandin paraardhës, teksa në raport me një vit më parë interesi gati është përgjysmuar. Në prill të vitit 2018 interesi i maturimeve tre -vjeçare ishte 3.4 për qind.

Rënia e interesave po udhëhiqet nga oferta më e larta e bankave për blerjen e borxhit në raport me kërkesën e qeverisë. Kërkesa për financim nga Ministria e Financave ishte 3 miliardë lekë, teksa bankat kanë ofruar 4.5 miliardë lekë, duke siguruar një raport mbulimi 1.5 në raport me kërkesën e qeverise.

Burimet nga Ministria e Financave sqaruan për Monitor se ulja e interesave po ndikohet nga emetimi i Eurobondit vitin e kaluar me vlerë 500 milionë euro. Nga kjo shumë 350 milionë euro shkuan për rifinancimin e Eurobondit aktual, ndërsa pjesa tjetër prej 150 milionë eurosh po përdoret për financimin e deficitit buxhetor.

Për rrjedhojë qeveria ka më pak hapësirë se vitin e kaluar për financim nga tregu i brendshëm, teksa oferta e bankave ka mbetur e njëjtë. Ky fenomen ka sjellë rënien e interesave për të gjitha maturimet.

Interesat e obligacioneve afatgjata, me maturim 3, 5 dhe 7 vjeçar janë duke rënë me shpejtësi. Në ankandin e datës 28 mars obligacioni 5 vjeçar me interes fiks u shit nga qeveria kundrejt 2.90 për qind me një rënie prej 0.90 pikë përqindje në krahasim me ankandin paraardhës të datës 28 shkurt.

Në krahasim me një vit më parë interesi i obligacionit pesëvjeçar gati është përgjysmuar, duke rënë me 2.55 %.

Në përmasa të ngjashme ka rënë edhe interesi i obligacionit 7 vjeçar. Ankandi u zhvillua me 13 mars kundrejt një interesi fiks prej 3.75 %, me një rënie 1.27 pikë përqindje në raport me ankandin e mëparshëm, që u zhvillua në dhjetor të 2018-ës. interesi i obligacionit 7-vjecar ju afrua nivelit të bondit 7 vjeçar në euro (3.55%). Në raport me një vit më parë interesat në këtë maturim kanë rënë në   2.11 pike përqindje.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of