“Interesi për bregdetin mbetet i madh, shitjet më mirë se parashikimi”

29/01/2019 3:33 PM 0 komente

Flet Ledia Telhai, Drejtore Ekzekutive e “Balfin Real Estate”

Shitjet e vilave dhe apartamenteve brenda komplekseve turistike në bregdet duket se po përjetojnë një periudhë lulëzimi. Drejtorja ekzekutive e “Balfin Real Estate”, Ledia Telhai, konfirmon në një intervistë për “Monitor” se në të paktën dy projekte që kompania ka në bregdet, ecuria e shitjeve ka qenë më mirë se parashikimet. Blerësit janë kryesisht shqiptarë të diasporës, por së fundmi nuk kanë munguar as të huaj nga vendet nordikë, rusë apo izraelitë që interesohen për të blerë një pasuri të paluajtshme në bregdet. Me ritmet që po ecin me shitjet, Telhai konfirmon se projekti në Hamallaj do të mbyllë shitjet, ndërsa ai në Palasë është 35% i shitur, edhe pse ende në fazë zhvillimi.

 

“Balfin Real Estate” ka disa projekte të rëndësishme në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku mund të përmendim “Green Coast Resort” në Palasë dhe “Vala Mar Residences” në Hamallaj, Gjiri i Lalëzit. Në çfarë faze janë sot këto dy projekte nga pikëpamja e ndërtimit? Si ka qenë ecuria e shitjeve të vilave apo apartamenteve?

“Green Coast Resort” është një projekt ndër më të mëdhenjtë në Ballkan dhe ndërtimi i tij kalon në tri faza. Aktualisht jemi në përfundim të fazës së parë të projektit, e cila përfshin rreth 1/3 e ndërtimit të pjesës rezidenciale të projektit, e përbërë nga vila elitare, vila individuale, vila twin dhe vila 4 familjare. Krahas pjesës rezidenciale, edhe shëtitorja buzë detit e përbërë nga njësi shërbimi, është funksionale nga vera e vitit të kaluar.

“Green Coast Resort”, është investimi më i rëndësishëm i grupit Balfin në fushën e turizmit, me vlerë rreth 100 milionë euro. Ka një pozicionim strategjik në Palasë, në një nga zonat më të bukura të Rivierës Shqiptare si dhe sjell programet risi të menaxhimit dhe qiradhënies së pronës, të cilat garantojnë një kthim të shpejtë investimi. Si rrjedhojë e këtyre elementeve, shitjet në “Green Coast Resort” kanë rezultuar të suksesshme, me një numër njësish të shitura rreth 35% të totalit, rezultat i cili tejkalon edhe parashikimet e bëra.

“Vala Mar Residences” është funksional dhe në këtë kompleks ka filluar jetesa që prej muajit janar të vitit 2018, ndërkohë që janë drejt finalizimit detajet e fundit të projektit. Sipas parashikimeve, brenda sezonit veror të këtij viti, projekti do të jetë i përfunduar me të gjithë elementet e tij.

Pozicionimi shumë afër me Tiranën dhe njëkohësisht në një vendndodhje të qetë, shumëllojshmëria e tipologjive të vilave, si dhe një sërë elementesh të tjera kanë bërë që shitjet e vilave dhe apartamenteve edhe të këtij projekti të kapërcejnë parashikimet. Aktualisht janë shitur rreth 86% e vilave dhe 74% e apartamenteve. Ecuria e shitjeve me këto ritme, garanton që brenda vitit të ardhshëm, ky projekt do të jetë plotësisht i shitur.

 

Ata që kanë blerë vila apo apartamente në këto projekte, janë blerës shqiptarë apo të huaj?

Për projektin “Green Coast”, interesimet vijnë nga shumë vende të botës, jo vetëm gjeografikisht pranë nesh si Zvicër, Austri, Itali por edhe nga vende më larg si: Izrael, Rusi, Shtetet e Bashkuara, Angli etj.

Nga shitjet e deritanishme rezulton që rreth 60% e blerësve janë shtetas shqiptarë. Një pjesë të rëndësishme zë edhe Diaspora Shqiptare, shtetas të Kosovës, Amerikës, Ukrainës dhe vendet nordike.

Në “Vala Mar Residences”, rreth 75% janë shtetas shqiptarë dhe pjesa tjetër është nga diaspora, shtetas të Kosovës, si edhe vendet nordike.

 

Cilat janë format e marketimit që ju po përdorni duke qenë se target nuk është vetëm grupi i shtetasve shqiptarë apo brenda territorit?

Format e marketimit që ne përdorim janë të shumëllojshme dhe përfshijnë si marketimin tradicional, ashtu edhe “Content marketing”, duke i dhënë rëndësinë e duhur tendencës, gjithmonë e më shumë në rritje, të komunikimit dixhital. Aktualisht jemi të fokusuar jo vetëm në tregun shqiptar por edhe tregun ndërkombëtar, pasi vihet re një tendencë në rritje e interesit për projektet tona, nga vende të ndryshme të botës.

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of