nteresi për tregun e ndërmjetësve financiarë edhe pse në në një fazë embrionale të zhvillimit të tij përsëri po vjen në rritje. I këtij mendimi është Ridvan Bode, nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Finanacve. Megjithatë problemet janë të shumta. Duke qenë pjesë dhe rrjedhojë e një ekonomie formale, ai e ka të vështirë të zhvillohet në një ekonomi e cila është me rreth 30% (sipas statistikave zyrtare) informale. Ndoshta edhe vetë përvoja dhe niveli kulturor i bizneseve apo edhe i publikut shqiptar lidhur me domosdoshmërinë dhe përfitimet që rrjedhin nga zhvillimi i këtij tregu, luajnë rolin e vet në këtë drejtim. Fakt është që bankat dhe institucionet e tjera financiare kanë filluar të konsolidojnë pozitat e tyre në treg, por roli i tyre duhet të rritet edhe më tepër, kushtëzuar kjo me vetë nevojat që ka ekonomia për kreditim e ndërmjetësim financiar. Shoqëritë e sigurimeve duket se kanë problemet e tyre, përsa i përket sigurimeve vullnetare, pasi me ato të detyrueshmet janë relativisht mirë. Ndërkohë për fondet private të pensioneve dhe për ato të investimeve, sapo ka filluar të diskutohet dhe deri në momentin që do të bëhen fakt, duket se duhet të kalojë edhe ca kohë. Sa mendoni që është i zhvilluar tregu i ndërmjetësve financiarë në Shqipëri?Një nga problemet kryesore të ekonomisë shqiptare është problemi i ndërmjetësve financiarë. Është e vërtetë që në tregu i ndërmjetësve financiarë nuk është shumë i zhvilluar, por sidoqoftë numri i operatorëve në të ka ardhur duke u rritur, po ashtu edhe interesi i tyre për këtë treg ka ardhur duke u shtuar. Po ashtu mendoj që nga ana e qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore po rritet gadishmëria për të garantuar një siguri më të madhe në këtë treg dhe për ta përdorur atë në funksion dhe në mbështetje të ekonomisë. Gjithsesi, ekonomia shqiptare sigurisht nuk ka si problem themelor atë të ndërmjetësimit të tregut nga ana e operatorëve financiarë, por atë të rivendosjes së rregullave për një funksionim normal, transparent dhe konkurrues në tërësi. Cilat janë problemet që e pengojnë zhvillimin e këtij tregu?Sikurse e thashë, në ekonominë tonë parësore janë probleme të tjera, që kanë të bëjnë me funksionimin e këtij tregu në tërësi, qoftë të tregut të konkurrentëve ekonomikë dhe tregtarë, qoftë të tregut të ndërmjetësve financiarë. Këto probleme lidhen me transparencën në këtë treg, me mosndërhyrjen, si edhe me kufizimin e abuzimeve që bëjnë vetë strukturat shtetërore në bllokimin e këtij tregu, nëpërmjet politikave monopol, nëpërmjet ndërhyrjeve arbitrare të administratës fiskale, nëpërmjet burokratizimit dhe vështirësimit të procesit të licensimit dhe dhënies së patentave, me nivelin e lartë të korrupsionit në administratë etj. Sidoqoftë mendoj që duhet kaluar gradualisht drejt një ekonomie formalisht më të kontrolluar, jo të kontrolluar shtetërisht, por të kontrolluar nga pikëpamja e lëvizjes së vlerave. Realiteti përballet me një ekonomi informale tepër të zhvilluar (sipas disa studimeve ekonomia shqiptare është ndër më informalet ndër vendet në tranzicion dhe mendohet që pjesa gri dhe e zezë e saj të jetë më shumë se gjysma) dhe mendoj që ndërmjetësit financiarë mund të jenë instrumenti për ta formalizuar gradualisht këtë treg. Ne mbetemi një vend që kemi nivelin më të lartë të ˜cash -it në të gjithë rajonin: kemi dyfishin e ˜cash -it për frymë në krahasim me Maqedoninë, 3-fishin në raport me disa vende të tjera si Bullgaria, Rumania etj., ndërkohë që niveli i Prodhimit të Përgjithshëm Bruto për frymë është më i vogli mes vendeve të rajonit (afro sa gjysma e mesatares së tyre). Kjo do të thotë se ekziston një treg i favorshëm për ndërmjetësit financiarë për të grumbulluar kursimet e popullatës, për të pakësuar ˜cash -in në qarkullim dhe për ta zëvendësuar atë me forma të tjera të ndërmjetësimit monetar dhe financiar, që gradualisht do të çonte drejt formalizimit të ekonomisë. Por, mendoj që problemi i formalizimit të ekonomisë, (ku ndërmjetësit financiarë mund të luajnë një rol të dukshëm) nuk kushtëzohet dhe nuk mund të jetë detyrë vetëm e tyre. Është një detyrë parësore e qeverisë që të kombinojë masa ligjore dhe instrumente financiarë e fiskalë të koordinuar, të cilat mund të çonin në uljen e barrierave për të hyrë në tregun formal të sa më shumë pjesëve të ekonomisë gri dhe ndërmjetësit financiarë mund të përbënin një instrument të privilegjuar në këtë proces.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.