Intervistë e posaçme me ministrin e Financave, z. Shkëlqim Cani: “Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për të siguruar konsolidimin e mëtejshëm të borxhit publik, nëpërmjet përmirësimit të administrimit të taksave dhe rritjes ekonomike”
MONITOR PRINT/I mori në dorë financat e vendit më se një vit më parë, në një moment mjaft të vështirë. Kriza ekonomike, që nisi pas vitit 2008, kishte dobësuar biznesin dhe konsumatorët, borxhi publik ishte rritur dhe njohja e detyrimeve të prapambetura të krijuara ndaj sipërmarrjeve e përkeqësoi dhe më tej situatën. Ndërsa konsolidimi fiskal dukej i pashmangshëm, “dilema” për Shkëlqim Canin, ministrin aktual të Financave, ishte për rrugët që duhej të ndiqeshin për të sjellë financat e vendit në binarë, duke ndërhyrë, si në kahun e shpenzimeve ashtu dhe atë të të ardhurave. Një detyrë jo e lehtë në një ekonomi që shpresat e rimëkëmbjes i kishte pikërisht te politikat nxitëse që do të ndiqte qeveria e re, në mungesë të kreditimit të bankave dhe tkurrjes së investimeve të bizneseve.
Në vitin e parë të detyrës, që përkoi me hartimin e buxhetit 2014, u rezistoi presioneve të biznesit dhe zgjodhi rritjen e disa taksave, ku më kryesorja ishte ajo e tatimfitimit dhe e akcizave, si një rrugë drejt konsolidimit fiskal, krahas përpjekjeve për miradministrimin dhe kthimin e detyrimeve që shteti u kishte bizneseve, një lëvizje kjo e shumëpritur. Efekti final i këtyre masave pritet ende të shihet deri në fund të vitit, ndërsa të dhënat paraprake flasin për një rritje me 15% të të ardhurave nga tatimet e doganat, ndonëse taksat e rritura nuk dhanë efektin që pritej.
Edhe në buxhetin e 2015-s, rritja e taksave nuk mungoi, ndonëse me efekte më të ulëta financiare se një vit më parë, ku kryeson tatimi mbi të ardhurat përveç pagës, nga 10 në 15% dhe shtimi me 10 lekë/litër i taksës së qarkullimit për karburantet. Një rregullim do t’i quanin më shumë financat, që sërish “zemëroi” bizneset që, të lodhura nga kriza, kërkojnë stimuj. Për efektet duhet të presim deri në fund të vitit të ardhshëm.
Por, duket 2014-2015 do të jenë dy vitet më të vështira. Nëse ilaçet e injektuara në ekonominë e sëmurë do të funksionojnë, duket se 2015 do të jetë viti i fundit me rritje të taksave, si një mjet për të arritur shëndoshjen e financave dhe uljen e borxhit.
Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, pohon se po bëhen të gjitha përpjekjet për të siguruar konsolidimin e mëtejshëm të borxhit publik nëpërmjet përmirësimit të administrimit të taksave dhe rritjes ekonomike.
Ministri flet edhe për objektivat e buxhetit 2015, arsyet e rritjes së disa taksave dhe masat e tjera që pritet të ndikojnë si biznesin ashtu dhe konsumatorin vitin e ardhshëm, që pritet të bëjë kthesën në ekonomi.
Zoti ministër, cilat janë mesazhet kryesore të projektbuxhetit 2015? Sa prisni që ky buxhet ta mbështesë rritjen ekonomike dhe si?
Buxheti 2015, si pjesë e buxhetit afatmesëm 2015-2017, ka si synim kryesor garantimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike. E shprehur më konkretisht, rritja ekonomike e synuar për vitin 2015 është rreth 3%, nga rreth 2% të vitit 2014. Ajo që duhet të theksoj është se nuk mbetet objektiv në vetvete vetëm rritja e vitit 2015, edhe pse ky është një vit elektoral, por kthimi i normave të rritjes ekonomike më afër potencialit të zhvillimit të vendit. Kështu projektohet që ritmet e rritjes të jenë 4% për vitin 2016 dhe 4.5% për vitin 2017.
Buxheti 2015 jep kontribut konkret në sigurimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme në dy drejtime kryesore. Së pari, duke siguruar financim për investimet publike, në një masë rreth 5.4% të PBB-së, nivel i përshtatshëm për të mbështetur rritjen ekonomike. Së dyti, duke mbështetur konkretisht reforma të thella që përballen me rreziqet që i kanosen ekonomisë. Më konkretisht, po flasim për reformat në sektorin e Energjisë, Skemën e pensioneve, dhe stabilitetin e Financave publike apo uljen e nivelit të borxhit.
FMN ka kërkuar një konsolidim fiskal prej 1.5 pikë përqindjeje të PBB-së në projektbuxhetin 2015. Si do të arrihet kjo (në kahun e të ardhurave dhe shpenzimeve)?
Më lejoni që fillimisht të qartësojmë një parim; ulja e nivelit të borxhit nuk është një kusht i FMN-së, por një nevojë e vendit. Ne jemi në dakordësi, jo vetëm me FMN-në, por edhe me institucione të tjera ndërkombëtare, se niveli aktual i borxhit nuk është ai adekuati për vendin. Në përputhje me programin e dakordësuar me FMN, ne ndjekim një strategji për të ulur borxhin pa cenuar rritjen ekonomike.
Ne kemi programuar për vitin 2015 një deficit prej rreth 60.5 miliardë lekësh (4.1% e PBB-së), i cili është rreth 28 miliardë lekë më i ulët se viti 2014. Ne nuk jemi duke kaluar në suficit buxhetor për të financuar nivelin e borxhit, ku të ardhurat të jenë më të mëdha se shpenzimet. Projektbuxheti që i parashtrohet Kuvendit e arrin uljen e nivelit të borxhit përmes një deficiti të kontrolluar dhe rritjes ekonomike.
Nga rritja e të ardhurave edhe në raport me PBB-në, por edhe me krahasimet neto të këtij viti, me mbi 45 miliardë lekë, konsiderohet ambicioze. Ku jeni bazuar në këto pritshmëri?
Siç e kemi prezantuar gjerësisht edhe në Komisionin e Ekonomisë, burimet kryesore ku ne mendojmë se do të realizohen të ardhurat shtesë në buxhet janë: rritja ekonomike, përmirësimi administrativ dhe masat fiskale (ku rritja ekonomike dhe përmirësimi administrativ përbëjnë rreth 2/3 e efektit).
Për sa i përket efektit të rritjes ekonomike, parashikimet tona janë në sinkron të plotë edhe me parashikimin e FMN-së. Performanca e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave nga administratat fiskale (24.5 miliardë lekë më shumë se 2013 vetëm nga tatimet dhe doganat, 31 miliardë lekë më shumë në totalin e të ardhurave), përmirësimet legjislative që hynë në efekt (ligji i ri i TVSH-së, Kodi Doganor, Procedurat Tatimore), dhe zhvillimet e reja teknologjike (ku do të veçoja sistemin e ri të IT-së për Tatimet) na bëjnë konfident për arritjen e objektivave në luftën kundër informalitetit dhe evazionit, si dhe në përmirësimin e nivelit të shërbimit ndaj biznesit.
Opozita, por edhe deputetë brenda mazhorancës kanë kontestime se, buxheti nuk angazhon një mbledhje të drejtë të të ardhurave dhe gjithashtu një shpërndarje të drejtë të tyre. Cili është komenti juaj?
Nuk e di nëse do të arrijmë një kuptim të njëjtë me opozitën e sotme mbi mbledhjen e “drejtë të të ardhurave”. Paketa Fiskale 2015 mbështetet përsëri mbi parimin që barra më e madhe e taksës të mbartet nga ajo pjesë e shoqërisë që ka edhe mundësitë më të mëdha në të ardhura. Kam përshtypjen se pyetja juaj përqendrohet më shumë te komentet mbi ndryshimet në Tatimin e të Ardhurave Personale. Ndërhyrjet që janë bërë në aspektin e të ardhurave personale plotësojnë ndërhyrjet e vitit 2014, duke e bërë shpërndarjen e barrës më të drejtë dhe më neutrale ndërmjet komponentëve të TAP. Më konkretisht, tashmë një individ, i cili ka të ardhura të larta nga paga, taksohet në mënyrë më të drejtë në krahasim me një individ që këtë sasi të ardhurash e ka nga qiraja, apo interesat, apo dividend (kapitale pasive në ekonomi).
Një tjetër abuzim që është kryer kohët e fundit ka të bëjë me ndryshimin e TAP mbi interesat. Jo pak herë është shprehur “gabimisht” se do të aplikohet tatim 15% mbi depozitat, kjo është e gabuar! Tatimi është mbi interesat e depozitave. Dhe për të informuar publikun, janë më pak se 2% e depozituesve, kuptohet më të pasur, që do të mbartin 40% të kësaj takse. Pra, siç tregojnë faktet, në përputhje me parimin e qeverisë.
Për sa i përket shpërndarjes së të ardhurave, ato janë në përputhje me prioritetet e qeverisë. Reagimet që ju përmendni kanë të bëjnë kryesisht me buxhetin e pushtetit lokal. Shpërndarja e fondeve për pushtetin lokal bëhet në bazë të një formule të përcaktuar në ligj. Ne menduam se do të ishte joproduktive ndryshimi i saj në prag të zgjedhjeve lokale, dhe përpara aplikimit të reformës administrativo-territoriale. Pikëpamja jonë është që ndryshimi i mënyrës së ndarjes së buxhetit lokal të bëhet në buxhetin e ardhshëm, pasi të kemi edhe indikacione nga institucionet e reja lokale mbi nevojat e tyre. Kuptohet do të mbështetemi me ekspertizë ndërkombëtare për formulën e re.
Shpenzimet korrente janë rritur me 7% në krahasim me vitin e kaluar, shpenzimet e personelit janë rritur me 3.7%, ndërsa vlera e shpenzimeve kapitale thuajse ka mbetur e pandryshuar. Pse këto përparësi ndaj shpenzimeve që nuk nxisin rritjen ekonomike?
Shpenzimet kapitale, në vitin 2015, janë rreth 5.3% e PBB-së apo rreth 80 miliardë lekë (duke përfshirë edhe fondin e zhvillimit të infrastrukturës vendore). Ky fond nuk mund të konsiderohet i ulët dhe nuk mund të thuhet që nuk i është kushtuar vëmendje investimeve. Rritja me mbi 5% të PBB-së së investimeve publike në ekonomi është një impenjim konkret i qeverisë për të ndihmuar rritjen ekonomike të vendit. Nga ana tjetër, nuk duhet nënvlerësuar roli i shpenzimeve operative në zhvillimin e ekonomisë, pasi investimet në vetvete pa mbështetjen e duhur janë praktikisht joefektive.
Në paketën fiskale, përfitimet përfshijnë një grupim të vogël biznesesh. Kjo është vënë dukje edhe nga deputetët e mazhorancës, të cilët kanë njoftuar se do të rrezojnë disa nene të paketës fiskale, sidomos akcizës për pijet energjike? Çfarë keni synuar ju me këtë paketë?
Paketa fiskale është produkt i një konsultimi të vazhdueshëm me biznesin gjatë përgatitjes së buxhetit. Masat e përzgjedhura janë nga lista e propozimeve të biznesit me synimin e mbështetjes së atyre sektorëve me impakt më të lartë në rritjen ekonomike si: sektori i bujqësisë dhe peshkimit, ai financiar, sektori i industrisë përpunuese, etj.
Këto janë mbrojtje në parim të prodhimit vendas. Nuk ka rëndësi sa është numri i bizneseve që i përkasin degës së përpunimit të mineraleve që nxjerrin nga nëntoka dhe eksportojnë si lëndë të para me vlerë të ulët. Nxitja e përpunimit dhe shtimi i vlerës së produkteve bujqësore e mineraleve, mund të ketë pak njësi që i përpunojnë sot, por ne shpresojmë që me nxitjen që japin, do të shtohen nesër. Ky është synimi dhe qëndrim parimor.
Ndërsa për pijet energjike, veç faktit që ishin kërkesa nga biznesi vendas dhe i huaj, jemi të qartë që jo vetëm nuk është praktikë europiane, por dhe niveli i akcizës së vendosur ka qenë relativisht i lartë.
Këtë vit është provuar se, taksat e rritura në buxhet, nuk u realizuan sipas planifikimeve, madje ato krijuan një deficit para se të rishikohej buxheti. A është ky një precedent i rëndësishëm që qeveria të përdorë mjete të tjera për konsolidimin fiskal?
Nuk është se jam në të njëjtin mendim me konkluzionin në pyetjen tuaj. Performanca e të ardhurave gjatë këtij viti rezulton totalisht në kontrast me mosrealizimet e viteve të fundit.
Për herë të parë, pas shumë vitesh, ne bëmë rishikim me rritje të buxhetit 2014.
Edhe sa i përket performancës të zërave specifikë të të ardhurave, ato mbeten brenda pritshmërive tona. Për shembull thuhet se tatimfitimi nuk është realizuar, por e vërteta është se u realizua aq sa kishim parashikuar nga bizneset e tjera, veç atij publik (KESH dhe OSHEE), që janë me mosrealizim rreth 1 miliard lekë. Për më tepër të presim fundvitin.
Këtë vit pritet të alokohen 35 miliardë lekë detyrime të prapambetura dhe vitin tjetër, edhe 20 miliardë lekë të tjera pritet të shpërndahen. Në fakt, deri më tani, ne ende nuk dimë efektin që pati shlyerja e këtyre detyrimeve në ekonomi. A keni ju një analizë në këtë drejtim dhe çfarë prisni?
Ne premtuam shlyerjen e detyrimeve dhe po e realizojmë me sukses. Kemi paguar fatura që prisnin prej më shumë se 6 vitesh dhe nuk janë pak. Deri më tani kemi paguar më shumë se 450 milionë dollarë detyrime.
Në lidhje me efektet në ekonomi, pritshmëritë tona mbeten të njëjta me ato që kishim në fillim të këtij procesi. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura, së pari dhe mbi të gjitha, përmbush një detyrim ligjor të shtetit ndaj bizneseve dhe së dyti, në këtë situatë, është një injektim i drejtpërdrejtë likuiditeti në ekonomi, duke ndihmuar rimëkëmbjen e saj. Ne po e analizojmë në mënyrë më të detajuar procesin dhe impaktin e shlyerjes së këtyre detyrimeve të prapambetura, por është evident impakti negativ që mospagimi i tyre nga qeveria paraardhëse ka pasur në ekonominë e vendit.
Është i dyti vit radhazi që ka një rritje agresive në tatimin e karburantit, nëpërmjet rritjes së taksës së qarkullimit. Vetëm këtë vit, barra fiskale ndaj karburantit rritet me 12 lekë. Vendet e tjera janë të kujdesshme kur rrisin tatimin ndaj gazoilëve për vetë rëndësinë që produkti ka në rritjen ekonomike. Veç kësaj, në vendin tonë, çmimi i këtyre produkteve kalon edhe nivelet e BE-së. Pse keni zgjedhur këtë politikë, kur vetë e pranoni që evazioni fiskal në këtë segment është i lartë? Sa e keni llogaritur efektin zinxhir në çmimet e kësaj rritjeje?
Rritja e taksës së qarkullimit reflekton nevojat në rritje për mirëmbajtjen e rrugëve sa më pranë standardeve të BE-së. Aktualisht, totali i mbledhjes së këtyre taksave, ekonomikisht, nuk i mbulon plotësisht investimet me anë të buxhetit të shtetit në mbështetje të infrastrukturës rrugore. Me këtë masë të re, kuptohet që marrim në konsideratë edhe adresimin e efekteve anësore në lidhje me mjedisin duke vazhduar angazhimet ambientaliste të qeverisë.
Dua t’ju kujtoj se, edhe vitin e kaluar, spekulimet për çmime të larta dhe efekte të mëtejshme në ekonomi ishin nga më kreativet dhe ekstremet, e megjithatë, sot, jemi dëshmitarë që nuk ndodhi “apokalipsi” që u trumbetua. Ne besojmë që tregu i karburanteve ka rezerva për të mos reflektuar efektet e masës te konsumatori.
Në lidhje me sektorin, jemi duke punuar në disa drejtime për ta formalizuar. Ministria e Financave është e angazhuar me një grup pune në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë për krijimin e një sistemi për monitorimin e qarkullimit të karburanteve që nga momenti i nxjerrjes nga nëntoka deri në pikën e shitjes me pakicë. Sasia e matësve për pikat e karburanteve është rritur me mbi 110% dhe është rritur me 27% numri i kuponëve të lëshuar nga sistemet fiskale, në raport me 2013-n. Është krijuar harta e plotë dixhitale e pikave të karburantit dhe do të mbulohet 100% çdo stacion me pajisje fiskale me regjim automatik të pompave. Këto masa janë hapi i rëndësishëm në kuadër të luftës kundër evazionit dhe rritjes së konkurrueshmërisë në këtë sektor.
Shpenzimet kapitale këtë vit, në vlerë neto, ishin më të ulëtat e 5 viteve të fundit. Por edhe pse në këto nivele, ato nuk janë realizuar me gati 15 miliardë lekë në fund të nëntëmujorit, duke ndikuar edhe në frenimin e rritjes ekonomike. Ndërsa më 2015, shpenzimet për investime nuk janë më shumë se 64 miliardë lekë. A është kjo shumë e mjaftueshme për të gjeneruar rritje ekonomike?
Krahasimi i nivelit të investimeve publike duhet bërë duke përfshirë dhe fondet rajonale që janë investime të rëndësishme për të zbutur diferencat ndërmjet rajoneve. Duke përfshirë këtë fond, niveli i investimeve për ekonominë është mbi nivelin 5% që konsiderohet si niveli i domosdoshëm për të mbështetur rritjen ekonomike. Ndërkohë rezerva të tjera që mund të vijnë si rezultat i përshpejtimit të reformave apo dhe zhvillimeve të favorshme të tregjeve do të shkojnë për të rritur më tej nivelin e investimeve publike.
Në lidhje me vlerën, për 2015-n, parashikojmë rreth 80 miliardë lekë investime, shifër optimale në kushtet kur qeveria ka vendosur të ulë borxhin.
Pse nuk janë realizuar shpenzimet kapitale dhe a duhet të mbajë përgjegjësi ndonjë institucion për këtë mosrealizim, që është në nivelet më të ulëta historike?
Një pjesë e mirë të investimeve të këtij viti janë në vazhdim nga vitet e mëparshme. Një faktor që ka ndikuar në realizimin e ngadaltë të tyre ka qenë keqplanifikimi i zbatimit, duke filluar nga moszbatimi rigoroz i shpronësimeve të të prekurve nga këto investime. Me gjithë këto vështirësi janë rritur përpjekjet për zgjidhjen e kësaj problematike dhe zbatimit të një monitorimi të detajuar të zhvillimit të investimeve për të përshpejtuar projektet në vazhdim dhe në rast nevoje për të rialokuar në kohë këto shpenzime drejt projekteve të tjera që mund të realizohen në kohë.
Në ecurinë normale të ekonomisë, borxhi do të jetë 72% të PBB-së dhe nëse afekton negativisht, energjia elektrike, niveli i borxhit arrin në mbi 80% të PBB-së. A rrezikojmë një krizë borxhi?
Ulja e borxhit publik drejt niveleve më të përshtatshme dhe më pak të kushtueshme për ekonominë do të realizohet duke mbështetur reformën e sektorit të energjisë, i cili synon pikërisht vënien nën kontroll të rreziqeve që vijnë nga ky sektor dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji. Për këtë qëllim janë vënë në dispozicion rreth 20 miliardë lekë, të cilat do të shkojnë në investime për uljen e humbjeve, mbështetje për importe dhe mbështetje për të mbrojtur shtresat në nevojë nga ndikimet e reformës. Pra skenari që ju përmendni tashmë është i tejkaluar, pasi ka filluar reformimi i sektorit me Bankën Botërore.
Në lidhje me likuiditetin, strategjia e huamarrjes për vitin 2015 synon uljen e huamarrjes së brendshme, duke zgjeruar përdorimin e instrumenteve të tregjeve ndërkombëtare si Eurobondi, duke shfrytëzuar kushtet e mira të tregjeve ndërkombëtare. Në këtë mënyrë do t’i lihet më shumë hapësirë kreditimit të sektorit privat, duke ndihmuar në këtë mënyrë rritjen ekonomike.
Ju nuk e keni konsumuar të gjithë rezervën fiskale të sugjeruar në marrëveshjen me FMN. A do thotë kjo se konsolidimi fiskal do të vijojë edhe në vitet në vijim?
Konsolidimi fiskal është në funksion të uljes së rreziqeve që i kanosen rritjes ekonomike nga mbajtja e një niveli të lartë dhe të shtrenjtë të borxhit publik si ai aktual. Marrëveshja me FMN ndërmjetëson një tranzicion më të butë për arritjen e këtij objektivi duke ankoruar pritshmëritë e investitorëve që ne jemi të angazhuar për arritjen e këtij objektivi në periudhën afatmesme. Pritshmëritë pozitive të vlerësuesve ndërkombëtarë si S&P dhe Moodys tregojnë që jemi në rrugën e mbarë për të çuar sinjale pozitive drejt investitorëve ndërkombëtarë dhe lokalë, gjë që ndihmon në nivelin e HDI dhe mbajtjen e ulët të kostove të financimit, si për sektorin publik, ashtu dhe për atë privat. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për të siguruar konsolidimin e mëtejshëm të borxhit publik, nëpërmjet përmirësimit të administrimit të taksave dhe rritjes ekonomike.
Intervistuan:
Ornela Liperi
Blerina Hoxha