Intervistë me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z.Niko Peleshi…
Ekuacioni i ri i qeverisë për zhvillimin e bujqësisë ka vënë theksin në rritjen e mirëqenies dhe kontributit të sektorit në ekonomi. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pritet që përmes Skemës së Mbështetjes të korrigjojë pikërisht ato variabla që premtojnë sukses duke nxitur bashkimin e fermerëve në grupe, kultivimin e kulturave që sot janë lider në eksport apo do zëvendësojnë importin si dhe nxitjen e të rinjve që janë e ardhmja me ide inovative.
Agroturizmi me shumë gjasa do të marrë një lehtësim nga taksat për të paktën 10 vjet dhe TVSH 6 për qind, por kjo mbetet për t’u parë.
Programet ekonomike të qeverive kanë përmbysur njëri-tjetrin duke sjellë ndryshime radikale në politika dhe konfuzion në sektorët e ekonomisë. Mazhoranca aktuale ka prezantuar objektivat e reja në 4 vjet dhe bujqësia është një ndër to. Ekuacioni i ri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural qartësohet në një intervistë për Monitor nga Ministri Niko Peleshi.
Ky ekuacion nuk ndryshon tërësisht variablat e tij të ndjekur në 4 vitet e mëparshme, duke siguruar vijimin e rrugës së nisur, por korrigjon disa aspekte mund të përmirësojë rezultatin final. Së pari prezantohet ndarja njëherë e mirë e fermerit individ që ka një ngastër të vogël dhe prodhon për konsum vetjak dhe fermerit biznes që kontribuon në punësim dhe rritje ekonomike.
Së dyti janë zgjedhur produktet që do të mbështeten përmes skemës së re të cilat janë rezultat i një analize të mirëfilltë për potencialin në eksport, punësimin në tërësi dhe mundësinë e zëvendësimit të importit. Edhe në këtë pjesë disa prej këtyre produkteve nuk janë surprize pasi edhe në të kaluarën janë mbështetur me segmente të veçanta financimi apo projektesh.
Së treti është vendosur nxitja e bashkëpunimit të fermerëve duke i stimuluar me një bonus 25 për qind më shumë nëse aplikojnë në grup dhe jo më vete. Në këtë kontekst një mbështetje e veçantë është lënë edhe për fermerët e rinj që sipas numrit një të Ministrisë së Bujqësisë do të jenë fermeri i së ardhmes me ide inovative dhe dëshirë për të bërë investime të zgjuara.
Pavarësisht dëshirës, sipas Peleshit, bujqësia nuk mund të ofrojë mirëqenie për të gjithë dhe në këtë kontekst duhet të nxiten sektorë të tjerë si agroturizmi, agropërpunimi dhe për këtë sot po hartohen akte ligjore që premtojnë një zhvillim dinamik. Për agroturizmin sot po punohet për përcaktimin e standardit dhe pas kësaj do të mendohet për lehtësimin fiskal që sipas diskutimeve aktuale ende të pambyllura do të jetë përjashtimi nga taksat për 10 vite dhe ofrimi i furnizimit të shërbimeve me 6 për qind.
Fshati do të marrë një fokus të ri duke kërkuar jetësimin e fshatit të së nesërmes me cilësi shërbimesh më të mirë për të gjithë banorët që jetojnë në këto zona. Projekti 100 fshatrat ka pikërisht këtë synim.
Për fat të mirë nuk është se jam shumë i ri në raport me sektorin, për shkak se dhe në pozicionin e mandatit të parë e kam pasur si një nga fushat që mbuloja. Problematikat i kam njohur dhe objektivi i qeverisë për zhvillimin e bujqësisë, agropërpunimit, sigurisë ushqimore ka qenë shumë i qartë. Nuk kam pasur surpriza, por problematika që ka bujqësia është më ndryshe sesa sektorët e tjerë, më specifike, strukturore dhe më e komplikuar. Besoj se nuk e ekzagjeroj kur them se është sektori më i ndërlikuar.
Edhe për shkak të karakterit apo profilit të vet, në çdo vend është e vështirë, por edhe për shkak se ne e kemi ndërlikuar me formulën e ndarjes së tokës në vitin 1991 dhe më pas, me ligjet e ndryshme që pasuan ligjin 7501. E kam fjalën për fragmentarizimin e tokës për frymë. Por edhe për ato parcela që mesatarisht kanë qenë një hektar vijoi copëzimi dhe nuk ishin të gjitha në një vend. Kjo ka ulur shumë produktivitetin e bujqësisë, ka rritur koston e prodhimit dhe e ka mbajtur në vite fermerin shqiptar të dobët, të pafuqishëm për të investuar. Profili i fermerit shqiptar ka nevojë të modernizohet dhe të komercializohet.
Deri më sot, bujqësia më shumë ka qenë dhe vazhdon të jetë një ekonomi për mbijetesë apo për të siguruar një minimum mirëqenie, sesa ka qenë një bujqësi komerciale dhe e orientuar nga parimet e tregut dhe biznesit. Kjo sfidë do të vazhdojë por roli i shtetit është për t’i përshpejtuar proceset apo për të shkurtuar afatet, pasi forcat e ekonomisë së tregut do të bëjnë të vetën. Në treg do të ngelet gjithmonë ai që e kap ritmin dhe bën në kohën e duhur, investimin e duhur.
Struktura e ekonomisë ndryshon dhe investimet alokohen nga një sektor në tjetrin dhe është tregu që i lëviz ato. E rëndësishme është që të ketë sa më pak kosto tregu për fermerin në rastin tonë dhe të shkurtohet rruga për të kaluar nga kjo strukturë e bujqësisë shqiptare te një strukturë e re, e cila përqaset më shumë me tregun.
Lehtësi të pritshme në agroturizëm
Standardi i ri që po përgatisim parashikon që kush do të marrë statusin në agroturizëm duhet të kujdeset të ketë në fshat një fermë të paktën një hektar, restorant, ku 30 % të prodhimeve i merr nga ferma e vet dhe 70% të prodhimeve nga zona përreth dhe të paktën 6 dhoma hoteli. Po mendohet përjashtimi nga taksat për 10 vjet dhe TVSH në 6%.
Për shembull, një nga dallimet që duhet të bëjmë është që t’i japim fund përkufizimit të njëjtë për të gjithë ata që jetojnë në zonat rurale dhe konsiderohen fermerë. Normalisht fermer është ai individ apo ajo familje që siguron të ardhura primare nga bujqësia, ndërkohë në kushtet kur ferma shqiptare është 1.2 hektarë në mesatare, nuk mund të konsiderojmë me këtë madhësi ferme një fermer si fermer. Në këtë sipërfaqe, duke shtuar këtu faktin që pjesa më e madhe e fermerëve kultivojnë kultura tradicionale të vjetra, që mund të duan më pak punë e investim, më pak ujë. Duhet të themi që në katër vite kemi dyfishuar sipërfaqen e ujit dhe sot, sipërfaqja e ujitur ka shkuar 225-240 mijë hektarë. Duhen rreth 100-120 mijë hektarë të tjerë të shtohen në këtë sipërfaqe që të thuhet që kemi çuar ujin në çdo parcelë, por pavarësisht kësaj, sado të përmirësohet situata me ujitjen apo kullimin, fermeri me sipërfaqen mesatare të tokës nuk siguron dot atë lloj mirëqenie që ne duam të çojmë në zonat rurale.
Ky nuk është një lajm i keq për fermerët, as qasje pesimiste, përkundrazi unë jam optimist, por dua të them se duhet të ndërtojmë politika të ndara. Pra një politikë për atë fermer që tenton të rritet, ka një sipërfaqe të madhe toke, do të bëjë një fermë më të madhe, të investojë, të marrë kredi dhe e sheh të ardhmen tek ky sektor si biznes. Dhe për këtë tipologji fermeri duhet një politikë e veçantë siç janë skemat tona kombëtare të mbështetjes apo IPARD që, me shumë shpresë do të fillojë pranverën që vjen. Ndërsa një fermer që ka një sipërfaqe toke aq të vogël sa siguron vetëm prodhime për konsum vetjak dhe disa të ardhura modeste nga shitja e atyre pak prodhimeve që prodhohen në 1 hektar tokë dhe që shkojnë më pak se një ndihmë ekonomike në muaj duhet një qasje tjetër. Për këtë kategori të fermerit apo banorit të zonave rurale që përbëjnë mbi 85 për qind të popullsisë në këto zona ne duhet të hartojmë politika të tjera.
Natyrisht që skema paraqet këtë qasje që po flasim. Nuk ka ndonjë zhvendosje domethënëse nga ajo çfarë ka bërë Ministria e Bujqësisë në katër vitet e kaluara. Është një model i ndryshëm por jo i përmbysur tërësisht.
Thjesht janë reflektuar ato që janë mësuar nga e kaluara për ta bërë më eficiente. Është më e fokusuar dhe më e qartë. Në skemat tona të mbështetjes, ne kemi vendosur të japim grante dhe subvencione në gjithë zinxhirin e vlerës për 15 produkte të përzgjedhura si produkte me konkurrueshmëri të lartë. Pra, në potencial eksporti, që aktualisht eksportohen ose në potencial për të zëvendësuar importet.
Ndryshimi është që në vend të nisemi nga shpërndarja apo thërrmimi i subvencioneve për të kapur sa më shumë fermerë, pavarësisht sesa konkurrues janë ata, apo pavarësisht sesa fermerë janë ata. Ne tani skemën e mbështetjes do ta fokusojmë tek ajo kategori produktesh dhe kulturash që premtojnë rritje ekonomike, sepse ky është kuptimi i mbështetjes dhe paratë e buxhetit të shtetit duhet të shkojnë në një drejtim me politikat e zhvillimit social.
Ndërkohë për të nxitur apo për të tejkaluar handikapin e madh që ka bujqësia shqiptare, fragmentarizimi i tokës, ne kemi vënë një masë të shtuar për kooperimin pra, për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, grup fermerësh apo për fermat me kontratë. Nuk bëhet fjalë për model të bashkimit të tokës dhe prodhimit, por për forma të ndryshme dhe moderne kooperimi të cilat krijojnë ekonomi shkalle dhe i japin vlerë të shtuar fermerit. Ferma me kontratë është një lloj kooperimi, ku situata rrotullohet rreth grumbulluesit apo tregtarit. Me këtë qasje të fermës me kontratë, tregtari mund të marrë dhe një rol tjetër përveç atij të blerjes nga fermerët dhe shitjes apo eksportimit të produkteve.
Ai mund të jetë furnizuesi i inputeve bujqësore, mund të jetë edhe këshilluesi për fermerët. T’i orientojë për llojin e farës apo fidanit që duhet të kultivojnë dhe natyrisht t’ju garantojë edhe blerjen, sepse një nga dhimbjet më të mëdha të kokës që ka fermeri, është shitja e prodhimit. Kjo që po flasim nuk është një teori por kemi disa praktika tashmë të konsoliduara në Shqipëri. Unë kam vizituar para pak ditësh zonën e Beratit, ku është në fakt përqendrimi më i madh i serave të domateve dhe specave. Tre katër grumbullues kishin filluar ta merrnin këtë rol. Pra, ishin pranë fermerit që në momentin e përzgjedhjes së kultivarit, në trajtimet që i bënin gjatë sezonit të mbjelljes së kultivarëve dhe deri në garantimin e shitjes, duke futur aty dhe një marketim të përbashkët.
Pra, domatet e gjithë asaj zone, ambalazhoheshin në një kuti kartoni, të branduara dhe të gjitha këto ishin të destinuara për eksport. Ka shumë pak Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor dhe kemi nevojë të zgjidhim një handikap për ta nxitur këtë. Nga njëra anë, ne mbështesim fermerin duke i kthyer mbrapsht TVSH, por ndërkohë që SHBB janë shoqëri që bëjnë volum shitjesh më të madh se 5 milionë lekë të reja, çka do të thotë që nuk përfitojnë nga kthimi pas i TVSH-së. Kjo është diçka që ne duhet ta korrigjojmë. Jemi në diskutime me ministrin e Financave dhe ai është i angazhuar për të gjetur një zgjidhje që edhe nga pikëpamja fiskale i stimulon fermerët të bashkohen. Nga ana tjetër, ne jemi duke i stimuluar përmes skemës së mbështetjes.
Nxitje e produkteve vendase
Kemi një projekt, për ndërtimin e një rrjeti dyqanesh të prodhimeve ushqimore shqiptare. Do të brandohet me një emër nga ana e ministrisë. Do të ndërtojmë modelin e parë dhe do ta përhapim në të gjithë Shqipërinë. Do të jetë një lloj franchaise, por që do të mbështetet nga shteti me subvencionimin e një pjese të qirasë apo me grante për investimet e hapjes së dyqaneve.
Pra, japim më shumë subvencion nëse janë të grupuar dhe kooperojnë sesa po të aplikojnë si fermerë individualë. Thënë shkurt, risitë e kësaj skeme për vitin 2018 janë: e para fokusohemi në 15 kultura që janë analizuar jo vetëm nga ne por edhe nga takime me grupe ekspertësh, universitete, kompani me përvojë, eksportues të mëdhenj të produkteve bujqësore. Ky produkt është diçka që ka dalë nga ky bashkëpunim. Pra këto 15 kultura nuk janë diçka që janë përzgjedhur pa ndonjë metodologji.
Mund të përmend disa: domatja, bimët mjekësore, lajthia, gështenja, molla, shega, bostanet agrumet. Këto janë pak a shumë produktet e përzgjedhura. I mbështesim këto në gjithë zinxhirin e vlerës. Pra, nëse do të mbështesim domaten, skema jonë parashikon subvencion për mbjelljet e reja, pra në prodhim, grante për investime në sera të reja, mbështetje për pikat e grumbullimit që grumbullojnë domate ndër të tjera, një mbështetje për paketimin dhe gjithë proceset e marketingut për të cilat jemi pas, duhet ta pranojmë, dhe në fund certifikimi si një nga hallkat e zinxhirit të vlerës. Tek certifikimi ka disa pionierë të bujqësisë shqiptare që kanë filluar të certifikohen me “Global gap”, një certifikatë që shumë rrjete supermarketesh europiane e kërkojnë. Nuk është detyrues, por në atë rrjet supermarketesh nuk hyn dot pa këtë certifikatë.
E mora vetëm si shembull, kemi rreth 10 kompanitë e para të certifikuara, ndërkohë që ne planifikojmë ta rritim më shumë numrin duke i mbështetur dhe duke subvencionuar kostot e certifikimit me “Global gap”, apo certifikata të tjera për prodhuesin apo grumbulluesin shqiptar. Risia e tretë është mbështetja e kooperimit me një masë të shtuar shumë të dukshme nga 25-50 për qind, ndonëse jemi në kushtet e një draft-skeme. Pra, nëse fermerët vendosin të bashkohen dhe të krijojnë një fermë mbi 5 hektarë ata marrin për mbjelljet e reja mbi 25 për qind më shumë. Pastaj kemi dhe masat e reja të bujqësisë së të rinjve, sepse ka një trend shumë interesant.
Të rinj të studiuar, kryesisht jashtë, që jo domosdoshmërisht vijnë nga zonat rurale madje ata pak që kam takuar janë nga zonat urbane, kanë studiuar, janë kthyer dhe kanë zgjedhur bujqësinë për t’u vetëpunësuar apo për të nisur një biznes. Kanë krijuar disa ferma shumë interesante, inovative, të përqendruara tek serat e vogla të produkteve organike të shoqëruara dhe me dyqane të tregtimit të tyre në qendër të Tiranës. Duam ta nxisim këtë lloj trendi, sepse në fakt këta të rinj të shkolluar unë i shoh si fermerët e së ardhmes dhe që nuk futen në këtë sektor për mbijetesë, por për biznes, pra me synimin e ndërtimit të një bujqësie komerciale.
Ne po tentojmë të bëjmë një ndarje të politikës për 10-15 për qind të fermerëve që mund të quhen komercial dhe pjesës tjetër. Folëm për pjesën e mbështetjes që ka në objektiv bujqësinë komerciale. Synojmë ta nxisim këtë bujqësi, pra fermën më të madhe, kooperimin, rritjen e produktivitetit, plotësimin e gjithë hallkave të zinxhirit të vlerës etj. Ndërkohë që për pjesën tjetër, mbi 85 për qind e fermerëve, ne mendojmë që shpëtimi është diversifikimi i ekonomive në zonat rurale. Pra mbështetja jo vetëm e bujqësisë si një aktivitet që nuk është primar, por edhe i ekonomive të tjera jobujqësore në fshat, siç është agroturizmi, turizmi rural, përmirësimi i shërbimeve publike në fshat.
Sikurse keni ndjekur edhe programin tonë nga Rilindja urbane e suksesshme në 4 vitet e kaluara, ne duam ta vëmë theksin te rilindja rurale. Kështu që kemi mjaft financime për rrugët rurale dhe shërbimet publike si ujësjellës. Janë rreth 100 milionë euro me një program të Bankës Botërore që vijon prej kohësh për rrugët rurale. Po kështu, veç shërbimeve publike, ne duam të mbështesim edhe ekonomitë e tjera jobujqësore në fshat. Produktet jotipike mund të mos jenë një bujqësi komerciale, por nëse ato tregtohen si të tilla dhe nëse i lidhim me treguesit gjeografikë të zonës, vlera e tyre të cilët kanë një lloj autenticiteti apo një lloj veçantie rritet. Janë unike në teknologjinë që përdoret, artizanati apo teknologjia e vjetër që në shumë vende mund ta kenë humbur.
Nëse e shesim të mbështjellë me këto lloj veçorish, atëherë edhe çmimi i këtyre produkteve rritet më shumë. Edhe nëse e fokusojmë në një sektor të posaçëm tregun, siç është tregu i turistëve të huaj apo vendas, çmimi i tyre rritet, të ardhurat rriten dhe furnizimi me këto produkte i turizmit rural, agroturizmit apo shërbimeve të tjera në fshat mund të plotësojë të ardhurat e munguara nga ferma e vogël që kanë. Ne do të jemi shumë konkretë këtë vit. Jemi duke përmbyllur standardin për agroturizmin. Pra çfarë do të quhet agroturizëm. Këtë natyrisht do ta sanksionojmë me norma ligjore dhe nënligjore dhe jemi duke përgatitur një incentivë shumë të fortë për ata që do të marrin statusin në agroturizëm.
Në vija të trasha, mund të them që standardi i ri që po përgatisim parashikon që kush do të marrë statusin në agroturizëm duhet të kujdeset të ketë në fshat një fermë të paktën një hektar, të ketë restorantin, ku 30 për qind të prodhimeve i merr nga ferma e vet dhe 70 për qind të prodhimeve nga zona përreth. Pra lejohet vetëm 30 për qind t’i ketë prodhime jashtë zonës. Duhet të ketë akomodim, strukturë akomoduese me të paktën 6 dhoma, por dhe kjo është skicë. Duhet të kujdeset që krahas shërbimeve dhe biznesit që ofron atje, të ofrojë dhe guidë për vizitorët. Pak a shumë, ky do të jetë standardi dhe kush e plotëson këtë, do të marrë mbështetje me incentiva fiskale që në diskutime me Kryeministrin ndoshta është e parakohshme ta them, por po mendohet përjashtimi nga taksat për 10 vjet dhe TVSH do të shkojë në 6 për qind.
Ka një nismë të lakuar nga qeveria e njohur si “100 fshatrat”. Çfarë është në fakt ky projekt?
Duke qenë se nevojat janë gjithmonë më të mëdha sesa mundësitë financiare që kemi në drejtim të mbështetjes së fshatrave në ekonomitë jobujqësore, jemi fokusuar përmes një programi që e quajmë “100 fshatrat”. Jemi bërë bashkë katër ministri, ministria jonë, Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë, Ministria e Kulturës dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit. Kemi hartuar në bashkëpunim me kryetarët e bashkive dhe Agjencitë e Zhvillimit të Rajoneve një hartë me 100 fshatra në gjithë Shqipërinë. Çdo bashki ka kontribuar me propozimet e veta.
Janë propozuar në total 188 fshatra dhe tani jemi në proces të përzgjedhjes për programin tonë. Por çfarë është më saktë ky projekt dhe pse jemi bërë bashkë katër ministri? Ne duam që në këto 4 vjet të ndërtojmë 100 modelet e para të fshatit të së nesërmes, pra të fshatit që ofron jo vetëm shërbime publike të përmirësuara nga pikëpamja urbane, por edhe mirëqenie ekonomike. Kjo mirëqenie, marr guximin ta shpjegoj, nuk vjen dot 100 për qind nga bujqësia, por përmes këtij programi ne do të mbështesim banorët e këtyre zonave të ndërtojnë ekonomi të tjera. Aty ku ka një monument kulture, ndaj kemi Ministrinë e Kulturës më vete, në këto 100 fshatra ne do të bëjmë restaurime të monumenteve jo vetëm për hir të restaurimeve, por për ta lidhur këtë me elemente të tjerë, që e kthejnë në vlerë ekonomike, pra për ta bërë një atraksion turistik.
Por, për ta kthyer në një atraksion duhet rruga dhe ndaj kemi Ministrinë e Infrastrukturës, ashtu siç duhen edhe shërbime publike si ujësjellësi, kanalizimet, furnizim me energji. Ministria e Turizmit dhe ajo e Mjedisit është në këtë grup për të marrë përsipër të gjithë çështjet mjedisore dhe për të mbështetur këto që po themi, strukturat akomoduese dhe ato turistike të këtyre fshatrave. Ministria e Bujqësisë ka në plan mbështetjen e produkteve tipike dhe ngritjen e inkubatorëve për produktet tipike. Ideja është që në krye të 4 viteve të kemi në çdo bashki të Shqipërisë një deri në dy fshatra të cilët plotësojë të gjithë standardet e infrastrukturës, por edhe sigurojnë mirëqenie të kënaqshme për fermerët.
Natyrisht këto modele pastaj do të duhet të vijojnë, sepse Shqipëria nuk ka vetëm 100 fshatra, por është e rëndësishme të vendosim këtë standard dhe bazë që shërben si model. Sot nuk po përzgjedhim fshatrat me më shumë nevojë, por ata me më shumë potencial dhe që në gjithë këto vite, ndonëse s’ka pasur kujdes të posaçëm, ia kanë dalë të ndërtojnë restorante apo bujtina, kanë arritur të tërheqin turistët apo të nxjerrin një prodhim të tyre tradicional, verë, raki apo reçelra. Ato që kanë treguar diçka deri tani ne do t’i mbështesim për të ecur përpara.
Komercializimi i bujqësisë dhe formalizimi i saj, përveç shumë të mirave që kanë, sjellin edhe një problem. Ato asgjësojnë prodhimet artizanale shqiptare, sepse këto prodhime nuk mund të licencohen dot si ushqime, nuk mund të vërtetohen se plotësojnë kushtet higjieno-sanitare dhe si të tilla, sa më shumë që ne bëjmë progres në këto dy procese, aq më shumë pakësohen prodhimet tipike. Kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera.
Futja në Bashkimin Europian e Polonisë, Hungarisë, Bullgarisë, Rumanisë ka vrarë shumë lloj produktesh që nuk plotësonin dot standardet e BE-së. Sot, Bashkimi Europian, ashtu sikurse duam të bëjmë dhe ne, ka ndërtuar politika të posaçme për produkte tipike, duke i trajtuar si produkte të veçanta dhe duke mos i futur në të njëjtin kuadër të standardeve të sigurisë ushqimore të të gjithë produkteve të tjera.
Edhe ne duam të bëjmë diçka të ngjashme sa i përket kuadrit rregullator por, nga ana tjetër, duam të ndërtojmë në këto 100 fshatra disa inkubatorë ku me të njëjtën teknologji, fermerët apo banorët e fshatit, mund të prodhojnë produkte tipike të zonës, pa ndryshuar teknologjinë, pa industrializuar prodhimin, por duke punuar brenda një ambienti, i cili plotëson kushtet higjieno-sanitare dhe ka marrë certifikatën përkatëse. Duke dalë të njëjtat prodhime me të njëjtën teknologji, pra rakia me të njëjtën mënyrë si distilohet në kazanin e rakisë apo reçelrat me të njëjtën formë artizanale, por brenda një ambienti të certifikuar, ato mund dalin që andej si këto produkte të licencuara si ushqime.
Ne do të mbështesim edhe proceset e ambalazhimit dhe marketimit të tyre. Paralel me këtë kemi dhe një projekt tjetër, që është ndërtimi i një rrjeti dyqanesh të prodhimeve ushqimore shqiptare. Do të brandohet me një emër nga ana e ministrisë. Ne do të ndërtojmë modelin e parë dhe do ta përhapim këtë model dyqani në të gjithë Shqipërinë, përmes një modeli që me shumë gjasa do të jetë një lloj fanchaise, por që do të mbështetet nga shteti me subvencionimin e një pjese të qirasë apo me grante për investimet e hapjes së dyqaneve. Këto janë ende ide që po diskutohen dhe besoj se deri në fund të vitit do të kemi mbyllur gjithë skemat e mbështetjes dhe ta çelim sa më shpejt në janar të vitit që vjen thirrjen për skemën e mbështetjes që këtë vit do të jetë rreth 20 milionë dollarë.
Ka sektorë specifikë, siç është peshkimi apo akuakultura. Si keni menduar të mbështeten këta sektorë? Flota që ka Shqipëria për peshkim, për shembull, lë për të dëshiruar…
Në fakt, peshkimi në eksporte mban vendin e parë përkrah me bimët medicinale. Natyrisht nuk është i gjithi peshk që prodhohet në Shqipëri, jo i gjithë peshku peshkohet nga flota jonë, një pjesë është fasoneri, por duhet të themi që janë 39 milionë euro investime në këtë industri. Ka një industri fantastike të standardeve europiane me 2800 të punësuar.
Produkti është i gjithi për eksport, 90 e ca për qind për eksport. Tregjet janë kryesisht ato të Europës, përfshirë edhe atë të Veriut, pra vende të BE-së, që do të thotë që kemi arritur standarde të larta. Eksporti është në rritje të jashtëzakonshme. Ne besojmë se këtë vit do të kemi një rritje të mirë dhe po ashtu edhe vitin tjetër, edhe për shkak të mbështetjes së posaçme që duam t’i japim peshkimit.
Në skemën kombëtare, ne kemi parashikuar deri tani një subvencion për açugen, pra subvencion për kilogramë të kapura, ndërkohë që duam që përmes këtij subvencioni, të rrisim sasinë e açuges së kapur në mënyrë që pastaj siç kemi filluar negociatat, të rrisim kuotat në Bashkimin Europian, për açugen dhe të shtojmë punësimin, sepse llogaritet që vetëm nga ky subvencion, por duhet ta shohim sesa do të rezultojë e vërtetë, ne do të shtojmë 1 – 2 mijë vende të reja pune. Pra nga sasia e shtuar e açuges së kapur. Në takimin që pata me komisionerin e Bashkimit Europian të DG Mare kemi ngritur çështjen e kuotave të açuges. Çështja është që për të marrë më shumë kuota duhet të tregojmë që ne arrijmë të peshkojmë aq açuge sa na kanë përcaktuar dhe nëse e tejkalojmë pastaj kemi mundësi të kërkojmë për më tepër.
Ndërkohë negociuam me shumë sukses kuotat e tonit dhe arritëm që pothuajse t’i dyfishojmë nga 57 tonë në 100 tonë kuotat e tonit dhe kjo do të ketë impakt edhe për industrinë dhe për punësimin. Ndërkohë që kemi rënë dakord me Organizatën Ndërkombëtare të Administrimit të Kuotave të Peshkimit për rritjen e kuotave të tonit me 20-30 për qind nga viti në vit deri në vitin 2019, për kuotat e tonit. Siç e thatë dhe ju, flota jonë ka nevojë të rritet, t’u nënshtrohet përmirësimeve dhe remontit. Ne kemi marrë një masë shumë të rëndësishme të përjashtimit nga TVSH-ja, të rreth 50 artikujve dhe mjeteve të bordeve të anijeve, gjë që lehtëson dhe ndihmon rreth 2 mijë peshkatarë në gjithë vendin, sepse të gjithë kanë nevojë për rrjeta dhe mjete të tjera.
Është gjithashtu një program i Bashkimit Europian, IPA, me një fond prej 3 milionë eurosh të orientuara tek investimet në anije. Ne kemi menduar gjithashtu një masë të ngjashme për investimet në motorët e anijeve, por do ta shohim që të mos kemi mbivendosje me skemën e BE-së, sepse morëm një lloj reagimi nga ana e tyre për të mos mbivendosur skemën. Rendësi ka që në fillim të 2018-s do të ketë disa mbështetje për peshkatarët dhe flotën e peshkimit që nga subvencionimi i peshkut të kapur për açugen, mbështetje për investime dhe përjashtimin nga TVSH për gjithë mjetet e anijeve.
Ne jemi anëtarë të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe anëtarësia atje do të thotë që ne kemi vendosur të heqim dorë nga proteksionizmi si masë mbrojtëse për prodhimin vendas. Kështu që masa e vetme që na mbetet, me përjashtim të disa lloj prodhimeve që kanë rregullime të veçanta, për shembull peshku që ka kuota apo prodhime bujqësore që vendet e BE, por ne nuk jemi aty ende, është tregtia e lirë. Ne kemi pranuar globalizmin si qasje, konkurrencën e lirë dhe të hapur, pa barriera tarifore dhe jotarifore, duke menduar se është rrugë më e mirë sesa proteksionizmi. Kështu që çfarë na mbetet? Na mbetet të rrisim konkurrueshmërinë e industrive tona në përgjithësi.
Në rastin konkret të bujqësisë dhe agropërpunimit. Ndaj po flisnim për rëndësinë e bujqësisë komerciale, për rritjen e standardeve dhe të agropërpunimit. Ndaj kemi filluar një aksion që është edhe i dhimbshëm, edhe i fortë për disiplinimin e mishit, por ende më i fortë do të jetë aksioni për disiplinimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij. Të gjitha këto janë masa të forta, por të domosdoshme, sepse ne e kemi shumë të qartë ku do të shkojmë.
Kemi një avantazh që shumë vende janë para nesh dhe ne kemi shumë për të mësuar nga ato, se çfarë kanë pësuar vendet që janë anëtarësuar më vonë në Bashkimin Europian këtë 10-vjeçarin e fundit, natyrisht që ajo na pret edhe ne nëse nuk nxjerrim mësime dhe nuk reagojmë shpejt. Pra shumë industri, që nuk ishin ndeshur dhe nuk ishin përpjekur për të arritur standardet e BE-së, në momentin që këto shtete u anëtarësuan, këto industri u mbyllën dhe u zëvendësuan me të tjerë, vendas apo të huaj që kuptonin rolin e ri të tregut në të cilin ishin futur këto vende.
Është e paimagjinueshme të mendosh sesi mund të mbijetojë industria e mishit apo qumështit, por dhe gjithë ushqimet në përgjithësi, në rast se nuk përshtatemi me standardet e BE-së. Legjislacionin e kemi të përafruar, por çështja është sa respektohet ky legjislacion. Për shembull, aksioni që bëmë me thertoret nuk ishte ekzagjerim i kërkesave tona për të arritur në standarde europiane. Unë nuk kam nxjerrë asnjë udhëzim të ri, thjesht kam kërkuar zbatimin e ligjit dhe standardet e vendosura nga ish-ministri. Çështja ishte që realiteti ishte shumë larg çfarë shkruhej nëpër letra. 90 për qind e thertoreve ishin larg standardit shqiptar. Nuk po pretendojmë për standardin europian por për standardin shqiptar, që është i përafruar me BE.
Subvencionet
Në skemën kombëtare, kemi parashikuar një subvencion për açugen për kilogramë të kapura. Duam që përmes këtij subvencioni, të rrisim sasinë e açuges së kapur që më pas, të rrisim kuotat në Bashkimin Europian, dhe të shtojmë punësimin. Llogaritet që vetëm nga ky subvencion, të shtojmë 1 – 2 mijë vende të reja pune.
Tek qumështi gjithashtu, tek nënproduktet e qumështit edhe aty kemi problemin e fermerit të vogël. Fermerë që kanë një, dy apo tre lopë dhe një punishteje të vogël i duhet të kontraktojë 300, 400 apo 500 fermerë për të mbledhur sasinë e nevojshme që i duhet për baxhon e vet apo punishten e vet. Imagjinoni sesa e vështirë është të kontrollosh standardin për 500 fermerë. Megjithatë nuk jemi këtu për të treguar cilat janë pengesat, por për të treguar cilat janë zgjidhjet dhe unë jam optimist që ne do t’ia dalim. Ambicia jonë është të ndërtojmë sistemin e gjurmueshmërisë, mundësisht më të mirin në Europë.
Kjo duket pak e ekzagjeruar sepse duhet thënë që as me Maqedoninë nuk krahasohemi sa i përket sigurisë ushqimore për produktet shtazore, mishin, qumështin dhe nënproduktet e tij, imagjinoni me vendet e tjera. Por kjo është ambicia. Këtë e kemi diskutuar edhe me komisionerin e BE të DG Sante, ku kemi kërkuar të na rekomandojnë modelin më të mirë në Europë dhe ne do të ndjekim atë model. Na kanë sugjeruar Irlandën. Do të dërgojmë një mision aty për të parë nga afër këtë sistem. Duhet të kemi parasysh që për çështjet e sigurisë nuk ka një sistem të unifikuar, ka herë pas here devijime, rrjedhje dhe situata të pakëndshme edhe në Bashkimin Europian për çështjet e sigurisë ushqimore. Ne do të marrim modelin më të mirë dhe do ta implementojmë këtu.
Së pari, ne duam që këtë zinxhirin e gjatë ta bëjmë të shkurtër. Që do të thotë të zvogëlojmë hallkat e zinxhirit të kontrollit të sigurisë ushqimore, sepse ky është problemi më i madh që ne kemi, mbivendosje të institucioneve të ndryshme për të njëjtin funksion. Për të njëjtin zinxhir kontrolli, disa institucione ndajnë hallka apo segmente të ndryshme të tij, çka do të thotë në jetën reale pasimin e topit nga njëri te tjetri dhe në fund përgjegjësinë nuk e mban askush.
Për të qenë më konkret, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të jetë autoriteti përgjegjës për të kontrolluar nga ferma në tavolinë gjithë ciklin e zinxhirit të ushqimit. Sot, për shembull, nëse marrim mishin, AKU nuk është e lejuar të kontrollojë se çfarë ndodh në fermë apo në tregun e kafshëve, apo çfarë ndodh gjatë transportit të kafshëve për në thertore. Por është i lejuar të kontrollojë vetëm pasi kafsha është therur kur shkon në dyqan.
Ndërkohë sistemet funksionojnë të lidhura me njëra-tjetrën dhe nëse në dyqanin e mishit konstatohet një problem me cilësinë e mishit apo me analizat do të duhet të shkohet mbrapsht dhe të gjendet se ku është problemi. Ai mund të jetë në fermë, gjatë transportit në treg; mund të jetë që kjo kafshë nuk vjen fare nga një fermë, por nga mali dhe është totalisht e pakontrolluar. Problemi mund të jetë që matrikulli është vendosur fals nga një veteriner dhe ky veteriner duhet gjetur dhe të përgjigjet para ligjit. Për të gjitha këto arsye, ne jemi duke ristrukturuar institucionet tona, që kanë lidhje me veterinarinë dhe që janë disa, po përmend këtu AKU, ka lidhje Shërbimi Veterinar Shtetëror brenda drejtorive të bujqësisë, janë veterinerët e bashkisë, kemi veterinerët e klinikave veterinare dhe veterinerët autonomë.
Janë pesë lloje veterinerësh që ndajnë përgjegjësi të caktuara gjatë zinxhirit. Do t’i përqendrojmë tek AKU-ja dhe pas shpërbërjes së drejtorive të bujqësisë, që teorikisht i bëjnë të gjitha, por praktikisht asgjë siç duhet. Do të krijojmë Agjencinë e Shërbimit Veterinar Shtetëror që do të ketë në përgjegjësi vetëm shëndetin e kafshëve. AKU, nga ana tjetër, do të ketë përgjegjësinë nga ferma në tavolinë për gjithë ushqimet jo vetëm për mishin.
Ndërkohë po punojmë për një skemë inteligjente dhe inovative të gjurmimit të gjithë produkteve apo përbërësve të produkteve ushqimore mundësisht dhe nga konsumatori i fundit. Pra kjo është ambicia dhe jemi ende në kuadrin e konceptimit të idesë, por duam që çdo konsumator, kur të shkojë në një dyqan dhe të ketë një produkt në dorë, të ketë mundësi të nxjerrë gjithë të dhënat që nga skandenca deri tek përbërësit, origjinën e përbërësve dhe emrin e fermerit që ka furnizuar qumështin.
Të gjithë këtë do ta bëjmë sipas modelit më të mirë që ka pilotuar BE, sepse dhe aty ka pilotim. Kjo është e rëndësishme për dy gjëra: së pari, sepse për hir të shëndetit publik për sigurinë ushqimore të konsumatorit shqiptar dhe e dyta, për hir të rritjes ekonomike. Nëse arrijmë standardet, na hapen dyert e eksporteve, na krijohet mundësia reale për të hyrë në tregjet europiane. Këto tregje janë me standarde më të larta por janë tregje me fuqi blerëse më të lartë.
Intervistoi: Nertila Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Un do kisha nje mendim ne qofte se do merret ne konsiderate, Apikultura nuk u permend fare e cila ka njw peshe jo te vogel ne rendimentin e kulturave bujqesore si dhe nga produktet qe marrim prej saje, aq te kerkuara dhe te domosdoshme per konsumatorin shqipetare dhe mos te drejtojme syte nga importi i mjaltit nga tregu i huaj. Nxitja dhe shtimi i produkteve nga bleta duhet vlersuar ne shkallen me te larte sic e vlerojne qeverit e shteteve te ndryshme europiane e boterore.