Intesa San Paolo dhe Veneto Banka kanë të dyja filiale në Shqipëri….
E PERDITESUAR Intesa San Paolo Bank është drejt finalizimit të blerjes së pjesës së mirë (good Bank) të aktiveve të Bankave të provincës së Veneto-s. (Veneto Banca dhe BancaPopolare di Vicenza), në një lëvizje, që së bashku me dekretin e Qeverisë Italiane për likuidimin e pjesës së keqetë tyre, (bad Bank) pritet t’I japë fund një krize që po vazhdonte të paktën prej dy vitesh dhe që po testonte sistemin financiar Italian, të zhytur në barrën e kredive të këqija.
Financial Times shkruan se Intesa Sanpaolo — banka më e madhe vendase e Italisë dhe që konsiderohet ndër më të shëndetshmet e sektorit— ka pohuar se do të miratojë një marrëveshje për të blerë asetet e “mira” të rivalëve të vegjël problematikë për një çmim simbolik prej 1 euro, me kushtin që marrëveshja të mos ketë ndikimin në normën e kapitalit bazë apo në politikën e dividendit. Blerja do të përjashtojë huatë e këqija, koston e të paktën 4,000 fshirjesh dhe rreziqet ligjore.
Lajmi është konfirmuar pasditen e të dielës dhe nga vetë banka Intesa, e cila ka mandatuar CEO-n, Carlo Messina, për të mbyllur blerjen e dy bankave të provincës së Veneto.
Mediat italiane kanë raportuar se kanë vijuar gjatë të shtunës dhe të dielës diskutimet teknike mes qeverisë italiane, Intesa dhe autoriteteve të BE-së për të arritur nëmarrëveshjen për të aktivizuar dekretin e nevojshëm për të nisur likuidimin e dy Bankave te provincës së Veneto-s.
Dekreti pritet të hyjë në fuqi Brenda ditës së Diel, në një publikim të jashtëzakonshëm të të dielës së«Fletores Zyrtare », e ndjekur nga një dekret ministror mbi likuidimin si dhe emërimin e komisarëve nga Banka qendrore e Italisë.
Me Intesa ka vazhduar diskutimi për blerjen dhe kushtet, ndërsa dy ishin temat kryesore të konfrontimit me autoritetet e BE-së: prejardhja e më shumë se 4 miliardë euro që do duhet për të ndarë pjesët “e këqija” të Veneto Banca dhe Banca Popolare di Vicenza, dhe mundësia për të financuar fonde shtesë për të menaxhuar ristrukturimin pa pasur pengesa nga ligji për ndihmën shtetërore europiane.
E ardhmja e bankave Veneto kishte qenë në diskutim dy vitet e fundit, teksa rregullatorët e ECB-së kishin zbuluar një gropë nëkapital si rrjedhojë e rritjes së kredive të këqija.
Në Shqipëri
Intesa San Paolo dhe Veneto Banka kanë të dyja filiale në Shqipëri.
Intesa San Paolo është banka e katërt më e madhe në Shqipëri, sipas aktiveve. Në fund tëvitit 2016 totali i aseteve të saj ishte rreth 1.1 miliardë euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, apo rreth 11% të totalit të sistemit. Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri, Intesa Sanpaolo është nga më të shëndetshmet dhe më fitimprurëset e sistemit bankar shqiptar. Në vitin 2017, filiali i Shqipërisë raportoi një fitim prej rreth 17 milionë eurosh.
Veneto Banka në Shqipëri ka një peshë të vogël në sistemin bankar vendas. Ajo renditet e 12-a, me një total aktivesh prej 190 milionë eurosh, apo 1.8% të totalit të sistemit bankar.
Sipas ligjeve shqiptare, të gjitha bankat me kapital të huaj konsiderohen filial dhe veprojnë të pavarura nga mëmat, duke iu bindur ligjeve të Bankës së Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.