Inventarët, kush duhet t’i dorëzojë; Afati përfundon më 10 janar

09/01/2017 12:56 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Afati për dorëzimin e inventarëve analitikw për bizneset do të përfundojë ditën e nesërme, në datë 10 janar. Një pjesë e bizneseve kanë pasur paqartësi se cilat kategori duhet të dorëzojnë inventarët, kryesisht ato të vogla, pa TVSH.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, e pyetur nga “Monitor”, ka sqaruar se ligji nuk parashikon detyrim për dorëzimin e inventarëve për bizneset me xhiro nën 5 milionë lekë, por është vetë administrata tatimore e cila kur e gjykon, kërkon informacion nga biznesi. Sipas saj, kjo është një kërkesë e përvitshme, duke qenë se ka tatimpagues të cilët mund të kalojnë pragun e xhiros 5 milionë lekë. Dhe në këtë rast, Dega Rajonale e Tatimeve të Tiranës e ka kërkuar këtë informacion për të gjitha bizneset, qofshin ato edhe të vogla pa TVSH.
Për sa u përket bizneseve në rrethe, kërkimi i inventarëve për bizneset me xhiro nën 5 milionë lekë do të mbetet në gjykimin e administratës tatimore dhe vlerësimeve që do të bëhen nga ana e tyre, duke qenë se nuk ka një përcaktim detyrues në ligj.

Në çdo rast, informacioni në lidhje me inventarin do të ngarkohet elektronikisht në e-filling.

Për të dorëzuar inventarët në mënyrë elektronike, një tatimpagues duhet të ndjekë hapat e mëposhtëm:

1.Bën Log-in në llogarinë e tij të deklarimit elektronik, në tatime.gov.al, e-shërbime

2.Në menynë e-filing Im, përzgjedh Çështjet e Mia, për të bërë të mundur krijimin e një çështjeje të re

3.Pamja Çështje të Padërguara, përzgjedh Krijo Çështje

4.Pasi klikon Krijo Çështje, përzgjedh llojin e çështjes – GeneralQuestion,Pyetje e Përgjithshme

5.Më pas shfaqet pamja e Krijimit të pyetjes së përgjithshme, në të cilën tatimpaguesi duhet të plotësojë fushën Pyetje: Inventari i datës 31.12.2016, dhe më pas duke klikuar Zgjidhni Skedar do të përzgjedhë skedarin e inventarit të ruajtur në kompjuterin e tij. Pas përzgjedhjes së skedarit, duke klikuar mbi Ngarko skedari ngarkohet në sistem dhe materiali është gati për t’u ruajtur ose dorëzuar.

6.Duke klikuar Dorëzo, tatimpaguesi dorëzon në mënyrë elektronike Inventarin e datës 31.12.2016, siç është kërkuar nga Administrata Tatimore.

Gjatë këtij viti, kontrolli i bizneseve me bazë inventarin do të bëhet me bazë risku. Tashmë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka analizuar bizneset që kanë informalitetin më të lartë dhe mbi këtë përzgjedhje do të bëhet edhe verifikimi i bizneseve në lidhje me inventarët.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz