Çdo investim i huaj është një lajm i mirë për shqiptarët. Por, pas nxitimeve për të shpallur investime, tepër gjigante për këllqet e shqiptarëve, lind pyetja: a do të realizohej me të vërtetë një objekt i tillë? Dhe, më tej, a ka ndonjë biznesmen shqiptar që fshihet pas kësaj ideje?
Projekti
Qeveria në mbledhjet e saj të fundit miratoi rojektligjin përkatës, i cili lejon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e kullës më të lartë në kryeqytet. Investitori quhet “Al Habtoor Investment LLC”, kurse projekti “Kulla Ikonike e Tiranës”. Sipas relacionit të qeverisë, në kërkesën e interesit nga ana e kësaj kompanie është kërkuar transferimi pa kosto dhe në pronësi i një sipërfaqeje prej 25.000 m2, të një parcele trekëndore në zgjatim të bulevardit të ri në Tiranë në këmbim të ofrimit të një sipërfaqeje ambientesh për Bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë, kërkohet përjashtimi nga taksat doganore, TVSH-ja, tatimi mbi fitimin apo çfarëdolloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi i veprimeve tregtare.
Fjala është për një kullë ikonike që ndahet midis tre objekteve kryesore: rezidenca banimi, hoteleri dhe shërbime administrative. Ajo do të jetë e aftë të punësojë gjatë ndërtimit 6 mijë persona dhe pas ndërtimit 3 mijë persona.
Kompania
“Al Habtoor Investment” është pjesë “Al Habtoor Group”, i themeluar nga sheiku Khalaf Ahmad Al Habtoor. Aktualisht ajo ka disa investime të rëndësishme në Dubai dhe zotëron shtatë prona luksi, kryesisht hotele në Vjenë, Budapest, Londër, Beirut dhe në Springfilld të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Leverdia
Sipas të dhënave të ofruara, kompania do të përfitojë 25.000 metra katrorë në qytetin e Tiranës, ku do të ndërtojë objektin gjigand. Në dukje, shifra 250 milionë euro është shumë e madhe për sytë e shqiptarëve. Por sa realiste është ajo, parë nga këndvështrimi i leverdisë ekonomikë të një ndërtimi të tillë? Në qoftë se llogaritet një sipërfaqe shfrytëzimi prej 10.000 metrash katrorë, nga trualli që do të vihet në dispozicion, dhe supozohet që objekti do të shkojë deri në 80 kate i lartë, shifra “gjigande” shfryhet befas. Sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit do të dilte 800 mijë metra katrorë, ku një metri katror të ndërtuar, me fondin e premtuar nga arabët, do t’i dilte çmimi final … 312 euro! A ka ndërtues, në Tiranë apo edhe në Theth, që të llogaritë kosto të tilla? Zakonisht ndërtuesit flasin për 1.000-1.500 euro për metër katror kosto në pallate në kryeqytet. Po kostot për një qiellgërvishës do të ishin pa dyshim shumë më të larta, nisur nga lartësia dhe vështirësia për përfaqëson ndodhja e Tiranës në një zonë me sizmicitet jo të pakët.
Dhe, llogaritëm një koeficient të vogël shfrytëzimi (10 mijë metra, nga 25 mijë). Po sikur sipërfaqja e shfrytëzuar të ishte më e madhe, kostoja për metër katror ndërtim do të dilte fare qesharake.
Dyshimet
Në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese pati një diskordancë të vogël lidhur me shmangien e premtuar nga taksat (TVSH, tatim fitimi për 15 vjet, etj). Po këto në një masë të caktuar njihen edhe me ligj për investime që sigurojnë punësim të lartë.
Ajo që nuk i ra asnjërit prej deputetëve në sy ishte pikërisht fakti se llogaritjet nxjerrin shifra të çuditshme. Kush është ai investitor, aq më tepër që paska ndërtuar në Dubai, SHBA, etj., i cili llogarit kosto ndërtimi 300 euro për një metër katror për një gjigant të tillë?
Sipas burimeve tona, pas propozimit fshihet një biznesmen shqiptar, që ka “peshkuar” arabët dhe i ka joshur me projektin. Ai nuk është kryesisht ndërtues, por qëndron prapa disa propozimeve të tilla në sektorë të ndryshëm ku mund të thithen investime të huaja, të cilat nuk janë konkluduar, pavarësisht se kanë marrë miratimin e qeverive shqiptare.
Pas propozimeve të tilla fshihen shpesh spekulime financiare. Ideatorët e tyre marrin një OK nga qeveria e një vendi të caktuar për një projekt konkret, kjo përdoret si garanci për një kredi të fuqishme bankare në vendin e tyre, por financimi nuk hidhet në vendin e parashikuar për investimin. Fondi përdoret për interesa të tjera të spekulantëve. Le të kujtojmë këtu një megaprojekt me vlerë të deklaruar prej 2.4 miliardë eurosh në Seman të Fierit për një stacion të madh stokimi të gazit të lëngshëm, rigazifikimit të tij dhe ndërtimit të një HEC-i. Nga ai projekt, me të cilin u mburr gjatë Berisha, nuk u realizua kurrë asgjë.
Po kështu, së fundmi u mësua se edhe një kompani izraelite, që kishte marrë licencë për kërkime nafte në det, mbeti pa licencë, pasi nuk ka kryer asnjë punim.
Pas këtyre nismave fshihen gjithnjë disa biznesmenë nga Shqipëria apo diaspora, që dinë të nxjerrin përfitime, pa bërë asnjë punë. Ndërkohë që qeveritarët shqiptarë mburren me projekte, që mbeten veç në letër.
Nga qeveria ‘Rama’ është dhënë gjithashtu OK për ndërtimin e një porti transoqeanik në Karpen të Kavajës, projekt që çuditi opinionin. Deri tani edhe për këtë nuk është kryer asnjë veprim konkret.
A mos vallë edhe kulla arabe e Tiranës do të kishte të njëjtin fat?
Investitori
“Al Habtoor Investment” është pjesë “Al Habtoor Group” nga Dubai. Ajo deklaron se zotëron prona luksi, kryesisht hotele në Vjenë, Budapest, Londër, Beirut dhe në Springfilld të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Projekti
Sipas burimeve tona, pas propozimit fshihet një biznesmen shqiptar, jo ndërtues, që qëndron prapa disa propozimeve të tilla në sektorë të ndryshëm ku mund të thithen investime, të cilat s’janë konkluduar. –
/Shqiptarja.com
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.