Ndonëse shteti grek prej disa vitesh po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri përsa i përket stokut të investimeve të huaja direkte për vitin 2013.
Të dhënat janë bërë publike sot nga statistikat e Bankës së Shqipërisë, e cila ka publikuar tabelën që paraqet stokun vjetor të investimeve të huaja direkte në Shqipëri sipas shteteve dhe aktivitetit ekonomik.
Shteti grek mban kryesimin, me një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40% në raport me një vit më parë. Investimet kryesore të këtij shteti janë në fushën e telekomunikacioneve.
Në vend të dytë është Kanadaja, me një stok prej 797 milionë euro dhe rritje prej 13% me bazë vjetore, me investime kryesore në fushën e industrisë nxjerrëse (naftës).
E treta është Austria, me 378 milionë euro, por me rënie prej 2.2%, në krahasim me një vit më parë, me investime kryesisht në shërbime financiare dhe energji.
E katërta është Holanda, me një stok investimesh të huaja prej 350 milionë euro, rritje 17% me bazë vjetore, kryesisht në energji.
Më pas renditet Turqia, me 279.3 milionë euro (rritje 19% me bazë vjetore) dhe Gjermania, me stok 107 milionë euro (16% zgjerim në raport me një vit më parë).
Kryesojnë telekomunikacionet, shërbimet financiare, industria nxjerrëse
Sipas aktivitetit ekonomik, stokun më të lartë të investimeve të huaja direkte në fund të vitit 2013 e zinte sektori i “Ndërmjetësimi monetar dhe financiar”, me 788 milionë euro, me një rritje prej gati 9% me bazë vjetore.
Sektori i dytë është ai i postës dhe telekomunikacioneve, stoku i investimeve të huaja direkte të së cilës është dyfishuar në vitin 2013, për të arritur në 690 milionë euro, duke dhënë ndikimin kryesor në performancën e mirë të Greqisë.
E treta renditet nxjerrja e mineraleve energjetike, me një stok prej 660 milionë euro, me një tkurrje prej 9.2% me bazë vjetore.