Të ardhurat nuk janë në nivelin e duhur dhe për këtë shkak, Ministria e Financave po shikon marrjen e masave, duke shkurtuar shpenzimet. Propozimi final i ministrisë konsiston në reduktimin e 18 miliardë e 381 milionë lekëve shpenzime, ne mesin e vitit 2011 ku gati gjysma i takon investimeve publike. Këto masa vijnë për shkak se nga të ardhurat planifikohet po me rreth 18 miliardë lekë më pak arkëtime, ose gati 5 për qind më pak se programi i fillimvitit.
“Monitor” disponon të dhënat e rishikuara të buxhetit, hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Financave dhe që presin rregullimin final, në rast se do të ketë, të Këshillit të Ministrave.
Plani i ri i investimeve konsiderohet pjesa më e diskutueshme, jo vetëm nga ekspertët, por edhe nga vetë institucionet, të cilave u ra barra e heqjes dorë nga disa projekte, të planifikuara për t´u kryer këtë vit.
Nga 18.3 miliardë lekë shpenzime që do të reduktohen, rreth 9.2 miliardë, ose 50 për qind, i takojnë investimeve publike. Për këtë vit ishin parashikuar për t´u investuar nga qeveria projekte me vlerë rreth 82.5 miliardë lekë, por me planin e ri, objektivi tkurret me 9.2 për qind. Pra, duke filluar nga ky muaj, korriku, do të kemi 9.2 për qind më pak investime në krahasim me projektin e para ndryshimit të buxhetit, ndërsa në raport me vitin 2010, rezulton gati 11 për qind më pak shpenzime publike.
Vitin e kaluar, qeveria vendosi ta shkurtonte buxhetin e investimeve me rreth 20 miliardë lekë, ndërsa këtë vit ndërhyrja konsiderohet më e butë.
Shkaqet që detyruan qeverinë të reduktonte buxhetin lidhen me mungesën e të ardhurave të mjaftueshme në buxhet. Por Ministria e Financave shton një tjetër argument. Sipas saj, investimet reduktohen në pjesën më të madhe nga sektori i financimeve të huaja, duke mos përbërë ndonjë rrezik të madh në ndërprerjen e projekteve.
66% e kanë të huajt
Të shkurtosh investimet në mes të vitit padyshim që ndikon negativisht tek ecuria e projekteve, ngadalësimin e tyre, e madje edhe ndërprerjen. Një pjesë projektesh edhe mund të mos nisë, fakt ky i pranuar nga Ministria e Financave.
Shkurtimi i investimeve me rreth 9.2 miliardë lekë do të bazohet në masën 66 për qind nga projektet e huaja. Pra, 6.1 miliardë lekë më pak investime do të jenë tek ato sektorë ku donatorët dhe institucionet e huaja financiare ishin angazhuar në fillim të vitit se do të na mbështesnin. Ky plan i ri konsiston në një realizim investimesh me fonde të huaja me 16 për qind më pak se buxheti i fillimvitit, por duke qëndruar mbi 35 për qind më lart se në 2010-n.
Në total, investimet me financim të huaj do të jenë rreth 31 miliardë e 467 milionë lekë, nga 37.5 miliardë që ishin planifikuar më parë. Drejtoria e Menaxhimit të Investimeve sqaron se reduktimi i këtyre fondeve erdhi për shkak se donatorët kanë rishikuar planin e tyre të investimeve. Kjo drejtori sqaron se çfarë projektesh kanë nisur nuk do të kenë mundësi të ndërpriten, por vetëm pjesa ku të huajt mendojnë të shtrëngojnë dorën e investimeve.
Shkurtimet
Plani i ri konsiston në një realizim investimesh me fonde të huaja me 16% më pak se buxheti i fillimvitit, por mbi 35% se në 2010-n
Vijojnë projektet e brendshme
Nga kjo situatë kanë përfituar projektet me investim nga buxheti i shtetit, ose siç thuhet projektet vendase. “Nga planifikimi paraprak që kemi bërë, sikurse shihet nga tabela, investimet me financim të brendshëm janë prekur shumë pak. Jemi treguar të kujdesshëm për të mos cenuar vazhdimësinë e projekteve”, thotë Dorian Teliti, drejtor menaxhimit të investimeve, në Ministrinë e Financave.
Investimet me financim të brendshëm, pra direkt nga arka e shtetit do të shkurtohen në masën 3.1 miliardë lekë, duke zënë 34 për qind ndaj pjesës totale që shkurtohen. Me planin e ri, investimet bëhen 41 miliardë e 635 milionë lekë, ose 7 për qind më pak se plani paraprak dhe 10 për qind më pak se viti i kaluar.
Në total, investimet e brendshme dhe të huaja do të jenë për të gjithë vitin rreth 73 miliardë e 302 milionë lekë, ose 9 për qind më pak se plani i fillimvitit dhe 11 për qind më ulët se viti i kaluar.
Ulja
Investimet bëhen 41 miliardë e 635 milionë lekë, ose 7 për qind më pak se plani paraprak dhe 10 për qind më pak se viti i kaluar
Rezerva
500 milionë lekë
Plani për të reduktuar investimet me rreth 9.2 miliardë lekë mund të pësojë ndryshime në momentet e fundit, kur anëtarët e kabinetit “Berisha” do të diskutojnë mbi mundësinë e rishikimit të projekteve. “Monitor” mëson se Ministria e Financave ka në dispozicion edhe rreth 500 milionë lekë, të pashpërndara, rezervë, të cilat mund ta zbusin edhe më tej reduktimin e buxhetit për investimet, pra nga 9.2 të bëhet në 8.7 miliardë. Nga diferenca mund të përfitojnë jo më shumë se tre-katër projekte.
Punët Publike
Hiqen 2.5 miliardë
Në raport me institucionet e tjera, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit është institucioni që preket më tepër nga reduktimi i investimeve publike në vlerë absolute. Këtij dikasteri i hiqen rreth 2.5 miliardë lekë, ose më pak se 5 për qind nga plani fillestar i buxhetit. Mësohet se reduktimi i shpenzimeve prek më së shumti projektet me financim të huaj. Ky shkurtim zë 27 për qind ndaj totalit të shkurtimeve që do t´i bëhen institucioneve të tjera. Pas kësaj ministrie, Bujqësia është më e prekura, me 1 miliard lekë.
Buxheti i ri prek edhe familjet në nevojë
Efekti domino i rishikimit të planit të të ardhurave është shtrirë pothuajse në të gjithë zërat kryesorë të buxhetit. Kështu, në total shpenzimet shkurtohen me rreth 18.3 miliardë lekë, ku 9.3 miliardë i takojnë shpenzimeve korente. Nga kjo pjesë, 5 miliardë lekë janë reduktime që bëhen te pjesa e shpenzimeve operative, duke i ulur ato me 15 për qind, në raportin me planin fillestar të buxhetit.
Duke vështruar me vëmendje tabelat e shpenzimeve të rishikuara duket qartë se “gërshëra” ka prekur edhe zërin që mbulon nevojat e familjeve me probleme ekonomike apo atë kategori që pret rimbursim nga shteti.
Kështu, ndihma ekonomike do të reduktohet me 300 milionë lekë, nga 17 miliardë lekë që është në total aktualisht, pagesës së papunësisë i hiqen nga fondi rreth 50 milionë lekë, ose 4.5 për qind më pak dhe më keq akoma, për pagesën e kompensimit të energjisë elektrike, fondi i të cilit zerohet, nga 500 milionë lekë që ishte.
Zërat e tjerë në “buxhetin” e familjeve tkurren me rreth 30 për qind, konkretisht te politika për rritjen e pagave dhe pensioneve, ku nga 3.5 miliardë lekë, bëhet me 2.5 miliardë lekë.
Shkurtime parashikohen edhe në fondin e kompensimeve, si për ish-pronarët, ashtu edhe për ish të përndjekurit politikë. Buxheti për kompensimin e pronarëve të tokave zbret në 1.7 miliardë lekë, nga 2 miliardë, ose me zbritje 15 për qind, sikurse edhe te të dënuarit politikë, fondi i të cilëve tkurret me 10 për qind, ose 200 milionë lekë.
Ndryshimi i shpenzimeve sociale dhe kompensimi
Qeveria pret 5 për qind më pak arkëtime nga taksat
Të ardhurat, gropa e TVSH-së
Zanafilla e buxhetit të ri lidhet me nivelin e të ardhurave nga taksat. Deri në fund të muajit maj, qeveria mundi të mblidhte rreth 130 miliardë lekë të ardhura, dhe nëse ecën me rimtin mesatar rritës mujor prej 30 miliardë lekësh, atëherë deri në fund të vitit do të realizohen rreth 320 miliardë lekë të ardhura. Kjo llogaritje e thjeshtë, nisur nga ecuria e deritanishme dhe nga mesatarja na nxjerr në konkluzionin se qeveria rrezikon të dështojë sërish me mbledhjen e të ardhurave edhe pas rishikimit të planit.
Ashtu si shpenzimet, rrjedhimisht edhe të ardhurat për të gjithë vitin 2011 do të jenë rreth 18.3 miliardë lekë më pak se plani i vendosur kur u miratua për herë të parë buxheti në nëntor të vitit të kaluar. Ky ndryshim konsiston në mbledhjen e rreth 5 për qind më pak të ardhurave në raport me planin, kurse me vitin e kaluar, sipas buxhetit faktik, rezulton me rreth 6 për qind.
Në total, qeveria planifikon të mbledhë për këtë vit rreth 343 miliardë e 842 milionë lekë, ose sikurse thamë, gati 18 miliardë lekë më pak se plani. Nga kjo diferencë, pjesën më të madhe e zë taksa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. TVSH-ja vijon të mbetet tatimi që shqetëson më tepër Ministrinë e Financave. Nga kjo taksë parashikohen të mblidhen për këtë vit rreth 16 miliardë lekë më pak, duke zënë mbi 90 për qind të peshës ndaj totalit të reduktimit. Për këtë vit do të mblidhen 120 miliardë lekë nga TVSH, ose 12 për qind më pak se plani i vendosur në buxhetin para ndryshimeve. Kjo taksë dëshmon situatën aspak komode që po përjetojnë bizneset, për shkak të uljes së konsumit. Por Ministria e Financave gjykon se ulja e të ardhurave nga kjo taksë ka ardhur kryesisht nga rritja e detyrimeve për të rimbursuar bizneset. Sipas ministrisë, importet e makinerive kanë qenë të larta, por pagesa e TVSH bëhet me këste dhe deri në dy vjet vonesë.
Të ardhurat tatimore në total, duke futur të gjitha taksat, parashikohen të jenë për të gjithë vitin 2011 rreth 17.3 miliardë lekë, ose 5.3 për qind më pak se plani i fillimvitit. Në total do të mblidhen 315 miliardë lekë nga tatimet, ose 8.5 për qind më shumë në raport me vitin 2010. Nëse do të krahasonim planin e të ardhurave pa ndryshime me vitin 2010, rritja do të ishte rreth 13 për qind.
Plani
Nga kjo taksë parashikohen të mblidhen për këtë vit rreth 16 miliardë lekë më pak, duke zënë mbi 90 për qind të peshës ndaj totalit të reduktimit
Luan Bregasi, president i “BiznesAlbania”-s: Qeveria duhet të na dëgjojë edhe ne
“Buxheti, dy anët e medaljes”
Reduktimi i shpenzimeve në buxhet parashikon të prekë në masën gati 50 për qind edhe investimet publike. Për këtë fakt biznesi nuk ndihet komod kur mëson se qeveria do të ulë investimet dhe për ta nuk do të ketë shumë projekte financimi në dispozicion. Por nga ana tjetër, sipërmarrja private e kupton se një masë e tillë i vjen në ndihmë stabilitetit financiar të vendit në aspektin e uljes së borxhit.
Luan Bregasi, presidenti i “BiznesAlbania”-s, organizmi që mbron interesat e mbi 25 shoqatave nga sektorë të ndryshëm, analizon për “Monitor” efektet ekonomike që sjell shkurtimi i shpenzimeve. Sa i takon rekomandimeve të FMN-së për rritjen e disa taksave, Bregasi gjykon se efekti në buxhet nuk do të jetë dhe aq pozitiv, madje mund të shkaktojë pasoja me minus për ekonominë. Sipas tij, ka ardhur koha që qeveria të pyesë edhe biznesin kur vjen momenti i rishikimit të buxhetit, sikurse bën edhe me taksat.
Reduktimi i buxhetit prek me rreth 50% edhe investimet publike, masë kjo në shërbim të ruajtjes së borxhit. Pozicion i vështirë për të gjykuar, gjithsesi në cilën anë është biznesi?
Ulja e shpenzimeve nga qeveria shqiptare me rreth 20 miliardë lekë është lajm i mirë, por edhe i keq.
Është i mirë, pasi gjysma e reduktimeve i takon shpenzimeve të administratës publike, dhe në këto kushte të situatës së dobët ekonomike që po kalon e tërë bota, rajoni dhe vendi ynë, të tilla shpenzimesh, pra 10 miliardë lekë, do të ishin një luks.
Nga ana tjetër kemi uljen e investimeve publike, pra gjysmën tjetër, me rreth 10 miliardë lekë. Ky, natyrisht që nuk është një lajm i mirë, pasi e vendos sipërmarrjen private në kushte të vështira. Mungesa e investimeve nga shteti sjell vështirësi në likuiditet, gjetjen e projekteve dhe disa efekte të tjera negative. Reduktimi i planit të investimeve do të thotë më pak projekte për biznesin dhe në tërësi nuk do të ishte një veprim i duhur për ekonominë tonë.
Por, sigurisht më e rëndësishme është menaxhimi me kujdes i buxhetit, mbajtja nën kontroll i borxhit publik dhe përkushtimi i qeverisë për të gjetur financime të punëve publike dhe kredi me interesa të ulëta.
Mësova se për rrugën Tiranë-Elbasan u sigurua një kredi me vlerë 25 milionë dollarë, me interes 2 për qind. Kredi të tilla duhet të zëvendësojnë të gjitha huatë që ka marrë shteti shqiptar nga banka të ndryshme me interesa të larta.
Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandoi, ndër të tjera, edhe për rritjes e taksave, gjithnjë në shërbim të stabilitetit të financave. Si e shikon biznesi këtë propozim?
E kam dëgjuar disa herë edhe në vitet e mëparshme që FMN-ja ka si politikë të sajën rritjen e të ardhurave në buxhet dhe uljen e borxhit, përmes rishikimit të taksave.
Personalisht nuk do të isha pro kësaj rruge. Në situata të vështira ekonomike, ku biznesi ndien ngërç për likuiditete nuk do të ishte një propozim i drejtë rritja e taksave.
Me taksat e ulëta të aplikuara në këto vitet e fundit Shqipëria ka ecur më mirë, të ardhurat kanë qenë më të mëdha, sepse fenomeni i uljes së taksave rrit nga ana tjetër edhe bazën e tatimpaguesve.
A do të ishte më mirë nëse qeveria, ndryshimet në buxhet, te pjesa e investimeve t´i diskutojë edhe me grupet e interesit?
Sigurisht do të ishte më mirë. Përgjithësisht për politikat ekonomike dhe ato fiskale, ka një traditë diskutimi me përfaqësuesit e qeverisë, ndërsa për shpenzimet e buxhetit dhe akoma e më pak për ndryshimet e tij nuk ka ndodhur ndonjëherë. Pse jo, ndryshimet në buxhet të diskutohen edhe me biznesin, fundja hartimi i tij bazohet mbi kontributet që japim ne, si privat.
Qëndrimet
Investimet
Mungesa e investimeve nga shteti sjell vështirësi në likuiditet, pasi do të thotë më pak projekte për biznesin privat
Taksat
Në situata të vështira ekonomike, ku biznesi ndien një ngërç për likuiditet, nuk do të ishte një propozim i drejtë rritja e taksave
Konsultimet
Pse jo, që ndryshimet në buxhet të diskutohen edhe me biznesin, fundja hartimi i tij bazohet mbi kontributet që japim ne, si privat
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.