Intervistë nga Ardiola Hristic, Anëtare e Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank Shqipëri
Ka një interes në rritje për ato që quhen investime miqësore me mjedisin dhe që tek energjia i gjejmë të reflektuara te projektet e eficencës apo parqet fotovoltaikë. Ardiola Hristic, Anëtare e Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank Shqipëri në një intervistë për “Monitor”, tregon se stoku i kredisë për investimet EKO ka arritur 50 milionë euro.
Sipas saj, një interes të veçantë ka lidhur me parqet fotovoltaikë deri në 2 MW, të cilët nxiten edhe nga çmimi i favorshëm prej 100 euro MW që është përcaktuar në një vendim të veçantë të Entit Rregullator të Energjisë.
Sa interes ka sot nga individët dhe bizneset për një kredi “te gjelbër” në kuptimin e eficences së energjisë, por edhe investimit në impiante fotovoltaike?
Mbrojtja e mjedisit dhe kontributi aktivisht në zhvillimin ekonomik, me përgjegjshmëri sociale dhe mjedisore, është një komponent qendror i misionit të Grupit ProCredit. Duke u nisur nga ky qëllim, banka është e fokusuar në promovimin e kredisë Eko dhe ofrimit të këshillimit për klientët e saj, lidhur me investimet Eko që ata mund të realizojnë në banesa dhe biznese. Mund të themi që nga viti në vit, ndërgjegjësimi për përfitimet afatgjata që investime të tilla sigurojnë ka ardhur në rritje.
Nëse flasim për investimet në biznese investimet me tipike janë zëvendësimi i linjave të prodhimit/makineri, pajisje, apo dhe asete të tjera fikse me linja apo makineri të reja eficente. Këto investime ulin kostot dhe rrisin eficencën, cilësinë e produkteve që ata prodhojnë dhe tregtojnë, duke siguruar avantazh konkurrues në treg për këto biznese. Ndikim kryesor gjatë vitit 2017 ka pasur sektori i prodhimit, i cili ka synuar që me investime të tilla të rrisë kapacitetin prodhues, të reduktojë konsumin e energjisë elektrike, kostot e mirëmbajtjes, defekteve për të krijuar një ide më tepër rreth interesit që këto kredi kanë, gjatë vitit 2017 banka ProCredit ka pasur rritje të portofolit të kredisë së gjelbër me 20%, krahasuar me vitin 2016.
Për sa i përket shprehjes së interesit për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, interesi ka qenë i lartë, sidomos në investime në parqe fotovoltaike deri në 2 MW, pasi tarifat 100 euro/MW për blerjen e energjisë nga impiantet fotovoltike është realisht një tarifë e leverdishme. Një avantazh tjetër është edhe çmimi i paneleve fotovoltaike, i cili ka rënë ndjeshëm dy vitet e fundit, gjë që bën të mundur kthimin e investimit në një periudhë prej 7 vitesh, nga 25 vjet që e ka jetëgjatësinë vetë parku.
Të gjithë investitorët duhet të tregojnë kujdes të veçantë në momentin që bëjnë planin e tyre të biznesit, pasi rreziqet për përfundimin e ndërtimit dhe operimin e parkut janë nga më të ndryshmet. Rreziku fillon që me përzgjedhjen e teknologjisë, dhe cilësinë e pajisjeve dhe materialeve që do të përdoren për realizimin e projektit. Të gjitha pajisjet duhet të përshtaten me vendin dhe klimën se ku do të ndërtohet parku fotovoltaik.
Cili është ngërçi që mund të ndikojë në financimin e një projekti, a janë të gjithë aplikimet fizibël në kuptimin e një plani të plotë biznesi?
Nëse konsiderojmë një plan investimi standard EKO nuk ka asnjë arsye që mund të çojë në mos financim. Nëse do të trajtojmë financimin e një projekti fotovoltaik në tërësi, kujdes i veçantë duhet të tregohet nga investitorët në kontratat që lidhin midis palëve, ku fokusi kryesor është zbutja dhe shpërndarja e rrezikut. Mospërcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe garancive të materialeve mund të ndikojë në krijimin e një ngërçi gjatë procesit të financimit. Gjithashtu një tjetër problematike që mund të sjellë bllokimin e financimit është edhe mungesa e lejes ndërtimore, si dhe lejet dhe licencat e tjera nga autoritetet përkatëse.
Aplikimet e realizuara deri tani kanë qenë në nivele të kënaqshme dhe me problematika të vogla teknike. Gjithsesi, në bashkëpunim të ngushtë me klientët dhe me ekspertizën profesionale nga staf i specializuar në fushën e Energjive të Rinovueshme, punohet çdo ditë që t’i ofrohen zgjidhje alternative.
Sa favorizuese janë normat e interesit sot për këtë lloj kredie në kushtet kur ka një rënie të përgjithshme të normave edhe si efekt i politikës monetare lehtësuese të BSH?
Vendosja e normave të interesit për financimin është pjesë e analizës së marrëdhënies së bashkëpunimit që klientët kanë me bankën, sido qoftë çdo financim që cilësohet Eko është pjesë e një analize të kujdesshme financiare dhe ofertohet me një normë interesi 1% më pak se norma e një kredie standarde.
Sa e marketon banka juaj këtë lloj kredie dhe sa të informuar janë njerëzit që vijnë në sportelet tuaja për këtë opsion?
Ndjeshmëria për çështjet mjedisore dhe eficencën e energjisë është artikuluar që në vitin 2009, duke qenë banka e parë në Shqipëri që ka promovuar dhe ofruar kredi eficente ndaj energjisë. Që nga ky vit, banka ka financuar rreth 50 milionë euro projekte përmes kredisë Eko, që kanë pasur për qëllim investime në eficencë të energjisë, energji të rinovueshme dhe investimeve të tjera “miqësore me mjedisin”.
Me synim rritjen e ndërgjegjësimit në publik dhe vizibilitetit, ne jemi përfshirë në projekte lokale të ndryshme mjedisore, jemi angazhuar në seminare të shumta në lidhje me investimet Eko për bizneset, agrobizneset, bashkitë, nxënësit, etj.
Këshilluesit tanë ofrojnë në çdo moment, këshillimin në lidhje me investimet Eko, me të përshtatshme për banesën/biznesin, në mënyrë që investimi të sjellë një vlerë të shtuar për të gjithë. Në takimet me klientë kur diskutohen plane investimi gjithmonë konsiderohet “a është eko ky investim”, këshilluesit tanë janë të fokusuar të analizojnë, argumentojnë dhe këshillojnë klientët, në mënyrë të përfitojnë nga kryerja e investimeve Eko. Mund të them me siguri që përpjekjet jo vetëm për ta promovuar, por edhe për ta aplikuar gjerësisht kanë rezultuar të suksesshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.