Në vitin 2016 investimet janë parashikuar të rriten me 5.8% me një kontribut prej 1.0 pikë përqindjeje në rritjen reale ekonomike. Ndërsa investimet private sugjerojnë për një ecuri pozitive të tremujorëve të fundit të këtij viti. importi i makinerive dhe pajisjeve u rrit me 14.1% në tremujorin e dytë. Flukset hyrëse të investimeve të huaja, përjashtuar të ardhurat nga privatizimet, u rritën me 4.6% në këtë tremujor. Bazuar në vrojtimin e bizneseve, balanca e investimeve të reja është ulur pak, në krahasim me përmirësimin e theksuar në gjashtëmujorin e kaluar. Megjithatë, ajo qëndron mbi mesataren afatgjatë. Sipas sektorëve, kontributin kryesor pozitiv e dha rritja e investimeve të reja të kryera nga sektori i shërbimeve dhe më pak nga sektori i industrisë dhe i ndërtimit.
Rritja e investimeve private është ndikuar pozitivisht nga përmirësimi i besimit të bizneseve, nga rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre, nga rritja e porosive të reja dhe nga lehtësimi i kushteve të kreditimit. Vijimi i rikuperimit të investimeve, do të varet nga gjallërimi i kërkesës konsumatore, si dhe nga vazhdimi i përmirësimit të kushteve financiare. Gjithashtu kredia dhënë për qëllim investimi regjistroi rritje pozitive në këtë periudhë, ndërsa, duke iu referuar të dhënave cilësore nga vrojtimi i besimit të bizneseve, gjendja financiare e bizneseve është vlerësuar e përmirësuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.