Prodhimi i perimeve vitin e kaluar u rrit me 8.4 për qind sipas statistikave të INSTAT. Në vitin 2015 gjithsej u prodhuan mbi 1 milionë tonë perime nga 950,000 tonë më 2014, teksa sipërfaqja e mbjellë më këtë kulture është shtuar me 1.6%. Pjesa dërmuese prodhimit vjen nga zona e Fierit e cila prodhoi rreth 35 për qind të totalit të perimeve.
Qarku i Tiranës edhe pse nuk e ka dominonte bujqësinë në strukturën e ekonomisë, vjen i dyti në 12 qarqet për prodhimin perimeve. Berati dhe Durrësi siguruan prodhim afërisht nga 100 mijë tonë secili teksa sasite me te pakta i kanë dhënë rrethet e Kukësit dhe Gjirokastrës, përkatësisht me nga 13 dhe 17 mijë tonë secila.
Ministria e Bujqësisë ka orientuar investimet në bujqësi drejt ndërtimit të serave për prodhimin e perimeve. Vetëm sipërfaqja e serave me perime u shtua me 14 për qind vitin e kaluar dhe prodhimi perimeve nga serat u rrit me rreth 15 për qind, raportoi INSTAT.
Teksa statistikat e bujqësisë japin të dhëna të bollshme mbi ecurinë e prodhimit sipas kulturave dhe qarqeve nuk ka të dhëna mbi të ardhurat e familjeve fermere.
Adrian Mile në Krutje të Lushnjës pohoi pak ditë më parë se pësoi rreth 50 mijë lekë humbje nga kultivimi i kungullit në serën e re rreth 900 metër katror. Prodhimi tij mund të ndikuar në rritjen prodhimit të përgjithshëm të perimeve dhe eksportit tyre, por të ardhurat kanë qenë sa 50 për qind e shpenzimeve.
Nga ana tjetër ritmet e rritjes së sektorit kanë nisur të ngadalësohen qysh në vitin 2013. Rënia me fortë ishte në tremujorin e fundit të 2015 me 1.9%. Kështu kontributi negativ i bujqësisë në rritjen ekonomike për tremujorin e fundit të 2015 ka qenë 0.37%.
Sektori është përfshirë në një sërë vështirësish ciklike, pa mundur të orientohet drejt zinxhirit të vlerave. Pas shkëlqimit në dukje të rritjes së eksporteve me 25% më 2015 dhe gati 40% në katërmujorin e parë të 2016-s, totali i prodhimit bujqësor ka pësuar një rënie me 0.93% më 2015-s, sipas të dhënave të iNSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.