Investimet në vendet e varfra

04/01/2019 10:05 PM 0 komente

A do të funksionojnë zonat e mundësive? Apo janë thjesht një ulje taksash për amerikanët e pasur?

 

Zona 3 e Censusit në Cumberland, Maine përfshin një pjesë të qytetit të Portlandit, i cilësuar edhe si destinacioni kryesor i Amerikës në drejtim të kulinarisë, sipas revistës Bon Appétit. Në portin e tij priten të zbresin rreth 200,000 turistë gjatë këtij viti. Megjithatë, zona 3 e Censusit është përcaktuar edhe si një zonë mundësie, politika e re e parapëlqyer e Amerikës për rritjen e investimeve në vende të varfra.
Këto zona janë pjesë e reduktimit të taksave të vitit të kaluar.

Kjo politikë i tundon investitorët që t’i investojnë paratë në zonat e varfra me taksa të ulëta, gjë e cila u lejon që të shtyjnë tatimin për çdo fitim të parealizuar të kapitalit që ata riinvestojnë në këto zona. Nëse investimi rezulton të mbahet për shtatë vjet, 15% e çdo fitim kapitali lidhur me tatimin në fitim për këtë periudhë hiqet fare. Ndërsa nëse investimi mbahet për më shumë se dhjetë vjet, çdo fitim kapitali i lidhur me tatimin në fitim gjatë atij dhjetëvjeçari hiqet.

Shtrirja e kësaj politike, por edhe kostoja e saj në të ardhurat e taksave të paregjistruara, është e madhe, rreth 35 milionë amerikanë jetojnë në vendet e përcaktuara si zonat e mundësive. Më 10 nëntor të këtij viti, Anthony Scaramucci, këshilltar i Presidentit Donald Trump, njoftoi se do të krijonte një fond të pasurive të paluajtshme për të investuar në të tilla zona. Mbështetësit i referohen triliona dollarëve të fitimeve të parealizuara të kapitalit, të gatshme për t’u shpërndarë. Ndërsa Steven Mnuchin, sekretari i Thesarit të Shtetit, u shpreh se mund të shpërndahen deri në 100 miliardë dollarë amerikanë në rreth 8,761 zona.

Sipas Komitetit të Përbashkët të Tatimeve, kjo skemë do të kushtojë 1.6 miliardë dollarë gjatë parashikimit dhjetëvjeçar. Duke qenë se skema është e pacaktuar, shuma përfundimtare mund të jetë më e lartë se vlera e lartpërmendur. Një prej problematikave të kësaj politike, ashtu si dhe ajo e shumë të tjerave përpara kësaj është se për pjesën e varfër të amerikanëve po bëhet më i vështirë fakti që ato të ecin me hapin e të pasurve.

Në teori, shkurtimet apo subvencionet e taksave të orientuara në mënyrë gjeografike mund të nxisin grupet e reja të aktivitetit ekonomik të formojnë zona të reja, duke hequr vendet me depresion. Por rezultatet e duhura nuk mund të arrihen në mënyrë të menjëhershme.
Politikat e mëparshme kanë qenë të vështira për t’u vlerësuar, pjesërisht për shkak se disa prej tyre janë vlerësuar ndoshta në ato zona ku ato nuk janë zbatuar.

Ato kanë për tendencë të jenë të shumëllojshme, duke e vështirësuar zbulimin e faktorëve që kanë ndikuar në suksesin e tyre. Në vitin 1994, Kongresi krijoi një numër të Zonave të Fuqizimit, duke ofruar grante dhe ulje taksash për punëdhënësit, në vende ku niveli i varfërisë ishte i lartë apo në zona të cilat kanë vuajtur shumë si pasojë e flukseve të emigrantëve. Kjo politikë ka ndikuar në rritjen e punësimit dhe nivelit të pagave në këto vende.

Kohët e fundit, Kredia e Taksave të Tregut të Ri ka dhënë kredi tatimore për investitorët në zona të caktuara. Referuar të dhënave të një studimi të botuar në vitin 2012, skema e rriti nivelin e punësimit dhe e uli pak nivelin e varfërisë në zonat e prekura. Sipas verifikimit, të dhënat nuk ishin shumë pozitive sepse vetëm 16% e kërkesave të aplikantëve për kredi rezultuan të suksesshme midis viteve 2003 dhe 2017.
Dëshmitë e tjera variojnë sipas shteteve të ndryshme. Kështu për shembull, zonat e Ndërmarrjeve në Britani dhe Francë, ofruan ulje taksash dhe rritje të nivelit të punësimit për bizneset që veprojnë në zona të caktuara, por në kurriz të zonave aty pranë. Bashkimi Europian caktoi “fondet strukturore” për investime në rajonet më të varfra, të cilat ndikuan në rritjen e prodhimit lokal dhe punësimit, por ende shoqërohen me pyetje në drejtim të efekteve të tyre në një periudhë më të gjatë kohore.

Në Amerikë, qeveria qendrore dhe ato lokale konkurrojnë me njëra-tjetrën për të tërhequr biznese, duke u ofruar atyre paketa me ulje të konsiderueshme taksash, dhe mesa duket këto oferta kanë rezultuar me përfitime të shumta për komunitetin lokal. Këto prova nuk mjaftojnë për të vërtetuar se kjo është më tepër se një lojë mes vendeve që do të përfundojë me një shumë të ardhurash në vlerën zero.
Zonat e mundësive ndryshojnë nga përpjekjet e mëparshme, duke qenë se ato duhet të përmbushin më pak kushte. Investitorët do të jenë të lirë nga çdo lloj procesi miratimi.

Kufizimet janë në drejtim të asaj që konsiderohet si investim kualifikues. Fushat e golfit dhe sallonet e bukurisë nuk përfshihen.
Zhvilluesit e pasurive të paluajtshme duhet të bëjnë “përmirësim thelbësor” ndaj një prone gjatë një periudhë 30-mujore që nga koha e blerjes së saj, ekuivalente me dyfishimin e vlerës së ndërtesave ekzistuese. Ky ligj nuk është i vlefshëm për investimet në korporatat e mëdha.
Për t’u kualifikuar, kompanitë që marrin investime duhet të kenë të paktën 50% të aktivitetit të tyre dhe 70% të kapitalit të tyre fizik brenda një zone të caktuar. Një shqetësim në këtë drejtim është se investitorët do të marrin fitimet e taksave për investimet që ata gjithsesi do të kishin bërë.

Përfitimi për vendasit nuk mund të jetë me të njëjtën vlerë të të ardhurave të taksave të paregjistruara, të cilat mund të përdoren për gjëra të ndryshme. Pastaj është edhe çështja e krijimit të një sistemi të ri të reduktimit të taksave për investitorët, të cilët zakonisht janë amerikanët më të pasur në vend.

 

Mundësia në shtetin e Maine

Zona 3 e Censusit në Portland, apo zona të tjera si ajo, mbartin me vete edhe një paralajmërim. Ideale do të ishte që kreditë tatimore të bënin më të mirën e tyre në zona që nuk tregojnë shenja të ringjalljes ekonomike. Në një studim të kryer nga Hilary Gelfond dhe Adam Looney nga Instituti Brookings, u zbulua se 89% e zonave të zgjedhura si “zona të mundësive” kanë norma varfërie më të larta se mesatarja kombëtare.
Doug Ray, i cili ndihmoi guvernatorin e Maine, Paul LePage, për të hartuar listën e vendeve të këtij shteti, shpjegon se për t’u zgjedhur zonat e mundësive, duhet të kishte vende të gatshme për investime, si dhe një ekip të caktuar punëtorësh.

Por, shumë prej zonave që mund të konsiderohen si zona të mundësive, ndodhen aty ku ndoshta investitorët nuk duan që t’i investojnë paratë e tyre, shpjegon më tej z. Ray. Ndoshta elementi më shqetësues i politikës në këtë drejtim është se do të jetë e vështirë të arrijmë të kuptojmë plotësisht nëse ajo ka qenë ndonjëherë e suksesshme apo ka qenë thjesht një humbje e madhe parash.

Deri më tani nuk është e qartë nëse qeveria do të gjurmojë se si përdoren fondet e zonave të mundësive. Nëse shteti apo qeveritë lokale po i përdorin ato thjesht për të turbulluar politikat ekzistuese të zhvillimit, apo janë të detyruar të shfrytëzojnë investimet hyrëse, duke ofruar më shumë lehtësi tatimore, izolimi i ndikimit të tyre do të jetë edhe më i vështirë. Grupi i parë i rregullave ndaj kësaj skeme u vendos më 9 tetor të këtij viti, ndërsa pjesa tjetër pritet do të vendoset në fund të këtij viti.

John Lettieri, nga institucioni Grupi i Inovacionit Ekonomik, shprehet se ka një dështim në drejtim të pritshmërive në lidhje me atë se çfarë këto skema mund të jenë në gjendje të bëjnë, gjithmonë nëse realizohen ashtu siç duhet. Megjithatë, duke qenë se kjo lloj skeme është ende në fillimet e saj, edhe skepticizmi që ekziston në drejtim të tyre është më se në rregull.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of