Flet Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë
Në opinionin tuaj, si po ndikon situata politike aktuale në vend te biznesi?
Zhvillimi i brendshëm i ekonomisë së vendit është i ndërlidhur me situatën aktuale të politikës shqiptare.
Viti 2017 është një vit specifik për ekonominë kombëtare për arsye të lidhura me zhvillimet e brendshme dhe nga ngjarjet që priten të ndodhin gjatë tij në Shqipëri. Gjendemi në një vit zgjedhor dhe si pasojë, zhvillimet e pritshme në ekonomi janë të lidhura me efektin që mund të ketë fushata zgjedhore. Vitet elektorale kanë sjellë lëkundje të rritjes së ekonomisë si pasojë e efekteve negative të zgjedhjeve në ecurinë e ekonomisë shqiptare. Një faktor tjetër që mund të penalizojë apo të tkurrë iniciativën private dhe rrjedhimisht ekonominë, është gjendja politike e krijuar.
Partitë politike, me mençuri duhet të bien dakord që vendi ka nevojë për një strategji konsensuale të zbatimit të reformave të ndërmarra dhe në veçanti të Reformës në Drejtësi, një reformë kjo e kërkuar dhe e mbështetur kaq fort nga sipërmarrja shqiptare. Reforma në drejtësi dhe zbatimi i saj është themelore dhe pa të, asnjë reformë tjetër ekonomike e ndërmarrë apo që do të ndërmerret në të ardhmen, do të mund të sjellë qëndrueshmërinë ekonomike që sipërmarrja ka nevojë.
Si e vlerësoni klimën aktuale në të cilën ndodhet biznesi dhe a mund të cenohet ecuria e investimeve të parashikuara?
Vitet zgjedhore janë komplekse dhe të vështira për ekonominë dhe klimën e biznesit. Zhvillimi i sektorit privat ka nevojë për një klimë sa më të sigurt dhe sa më të qëndrueshme që të shtohen investimet e huaja, të shtohen investimet vendase, në mënyrë që ekonomia të ketë rritje.
Duhet të mos harrojmë që realizimi i investimeve private, nga vetë sipërmarrja shqiptare, mbetet vitale në zhvillimin ekonomik.
Në këto kushte, cilat mund të jenë planet afatshkurtra të biznesit?
Deri në gjysmën e parë të vitit 2017, mendoj se do të ketë një frenim të investimeve private, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit mund të projektohen investime afatgjata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.