Nga Alket Braho
Fillimisht ishte një vizitë familjare në vendlindjen e mikut të tij shqiptar dhe më pas erdhi ideja për të investuar. George Andrews, një shtetas australian me origjinë greke, ka nisur prej pak kohësh të zbatojë një plan biznesi në Zagorie, një prej krahinave më të bukura në Jug të vendit, që prej vitesh vuan zbrazjen nga emigrimi dhe mungesa e vëmendjes shtetërore. Në vendlindjen e Andon Zako Çajupit, në fshatin Sheper, po ndërtohet me ritme të shpejta një fabrikë e ambalazhimit të ujit të pijshëm. Financimi jepet prej kompanisë ndërkombëtare “Skyton Development”, me qendër në Australi dhe shtrirje në shumë vende të botës, ndërsa zbatimi në Shqipëri i projektit kryhet prej kompanisë “STS Development” sh.p.k.
Kjo e fundit është një shoqëri me bashkëpronësi investitorin australian George Andrews dhe sipërmarrësin shqiptar me origjinë nga fshati Nivan i Zagories, Sotir Çoni, i cili është njëkohësisht edhe administratori i kompanisë “STS Development” sh.p.k. Pas më shumë se tre vitesh përpjekje dhe burokraci të pafundme nëpër zyrat e shtetit shqiptar, investitori australian dhe miku i tij shqiptar, prej pak kohësh kanë nisur zbatimin në terren të investimit. Përveç tyre, jashtëzakonisht e interesuar për realizimin e këtij investimi ka qenë Bashkia e Libohovës, pasi ky biznes i ri pritet të krijojë një perspektivë të re për të gjithë zonën. Kryebashkiakja Luiza Mandi ka krijuar të gjitha lehtësitë për investitorët dhe ka ofruar gjithë mbështetjen për t’i hapur rrugën këtij projekti ambicioz. Investimi kap vlerën e rreth 5.5 milionë dollarëve dhe parashikohet që fabrika e ujit të nisë nga puna në pranverë të vitit 2017.
Ndikimi ekonomik i këtij investimi në Zagorie dhe Libohovë pritet të jetë i ndjeshëm. Fillimisht është parashikuar që të punësohen rreth 50 vetë, ndërsa në të ardhmen numri do të rritet edhe më. Nën markën “Living Water”, stabilimenti që po ndërtohet në Sheper do të ketë kapacitet për të prodhuar rreth 12 mijë shishe uji në orë. Bëhet fjalë për ujë natyral dhe ujë të gazuar. I gjithë prodhimi do të jetë i destinuar për eksport jashtë vendit, kryesisht në Australi, Azi, Afrikë, Qipro e Amerikë. Shumëkush, me të drejtë, mund të pyesë se si ka mundësi që një investitor të shkojë në Zagorie, po të kemi parasysh infrastrukturën e keqe rrugore dhe rrjetin elektrik tejet të amortizuar që përshkruan gjithë këtë zonë. Dy janë arsyet pse australiani George Andrews dhe zagoriti Sotir Çoni investojnë 5.5 milionë dollarë në fshatin Sheper. Së pari, është dëshira e një biri të kësaj zone për t’i kthyer shpresën dhe vëmendjen vendlindjes së tij, për të bërë diçka për të. Së dyti është natyra e bukur dhe mjedisi i pandotur i Zagories, që ofrojnë garanci për produktin final të këtij biznesi. Burimi i “Bambullit” ka ujë me veti të jashtëzakonshme kurative dhe dietike. Kjo e konfirmuar dhe certifikuar përmes analizave në laboratorë të specializuar jashtë vendit.
Që në nisje të projektit, investitorët janë përballur me infrastrukturën e keqe rrugore, çka vështirësonte transportin e makinerive të rënda dhe materialeve të ndërtimit, si dhe me rrjetin elektrik të amortizuar, që nuk përballon tension më shumë se 130 volt. Zgjidhja e problemit të energjisë është parashikuar të kryhet përmes një investimi shtesë me vendosjen e akumulatorëve. Ndërsa do të ketë një ndërhyrje të pjesshme nga vetë investitorët edhe në segmentin rrugor nga Kthesa e Libohovës dhe deri në Sheper. Investitori australian dhe ortaku i tij shqiptar kanë vendosur t’i japin edhe një dimension të rëndësishëm social biznesit që po ndërtojnë në Sheper. 10% e fitimit të kompanisë së tyre do të mbetet në komunitet. Në vëmendje të veçantë janë familjet e varfra në Bashkinë e Libohovës dhe fëmijët jetimë që do të përfitojnë nga ky program mbështetës i kompanisë “STS Development” sh.p.k.
Në fshatin Sheper është parashikuar të vendoset vetëm fabrika e ambalazhimit të ujit, ndërsa magazinat qendrore të kompanisë pritet të ndërtohen në pjesën e poshtme të Libohovës. Ky investim i rëndësishëm në Zagorie hap një perspektivë të madhe për gjithë këtë zonë, ndonëse ndodhet disi e izoluar mes maleve, për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore dhe braktisjes ndër vite nga njerëzit. Sipërmarrje të tilla të guximshme japin shpresë për vendasit, por nxitin me siguri edhe investitorë të tjerë për të kthyer sytë nga Zagoria, e cila ka ende të pashfrytëzuara resurset e saj turistike. Zhvillimi i turizmit jo vetëm që rrit punësimin dhe sjell të ardhura për ekonominë lokale, por në shumë raste vizitat e thjeshta turistike bëhen edhe shkak për t’u rikthyer më pas me plane biznesi. I tillë ishte rasti i australianit George Andrews, i cili pasi mbërriti në Zagorie si i ftuar prej mikut të tij shqiptar, Sotir Çoni, u kthye sërish pas pak kohësh me një plan biznesi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.