Pritet të vijë për disa muaj, më saktë me versionin 11.4 të iOS dhe premton kohëra të vështira për ata që përpiqen të marrin të dhëna nga një iPhone i bllokuar. Po flasim për një funksion që quhet USB Restricted Mode, i zbuluar së fundi nga ElcomSoft në brendësi të kodit të iOS.
Bëhet fjalë për një funksion që çaktivizon, në mënyrë të përhershme, transferimin e të dhënave nëpërmjet një porte lightning të një pajisje me sistem operativ iOS, kur kjo e fundit nuk zhbllokohet asnjëherë për një javë.
Përdorimi tipik i këtij funksioni lidhet me një pajisje të humbur ose të vjedhur nga përdoruesi – në mënyrë që askush të mos ketë akses në të dhënat e telefonit.
Çaktivizimi në mënyrë të plotë i portës fizike i bën të papërdorshëm edhe ato sisteme si IP-Box apo GreyKey, që përdorin mënyra të jashtëligjshme për të identifikuar kodin e zhbllokimit të smartphone.
Ky funksion do të bëjë të lumtur përdoruesit e pajisjeve iOS, por më pak forcat e rendit që kanë përdorur në të kaluarën të dhënat në brendësi të pajisjeve për hetime të rëndësishme të kronikës.