Cilësi dhe stabilitet. Janë këta faktorët që Apple ka marrë në konsideratë për zhvillimin e iOS 12, versioni i ri i sistemit operativ mobil që do të prezantohet në shtator së bashku me modelet e tjera të iPhone X 2018.
Kompania me seli në Cupertino ka ndryshuar edhe strategjinë: funksionet e reja do të zhvillohen në harkun e dy vjetëve e jo një viti.
Kjo për të shmangur gabimet.
Më shumë kohë, cilësi më e lartë
Disa probleme që u hasën në versionet e fundit të iOS e kanë bërë Apple të reflektojë. Vetëm kështu mund të shpjegohet vendimi për t’i dhënë më shumë kohë zhvilluesve të saj për të realizuar funksionet e reja që do të përmirësojnë sistemin operativ mobil. Ndërsa në vitet e kaluara, funksionet e reja prezantoheshin gjatë WWDC (konferenca që organizon Apple çdo vit, në qershor, për programuesit, ku shfaqen risitë e sistemeve operative të pajisjeve që do të dalin në shtator), nga ky vit, zhvilluesit dhe programuesit kanë dy vjet kohë.
Kjo zgjedhje është menduar për të përmirësuar cilësinë dhe stabilitetin e sistemit operativ mobil të kompanisë me seli në Cupertino. Një ndër sekretet e suksesit të iPhone lidhet pikërisht me stabilitetin e sistemit operativ iOS dhe humbja e kësaj karakteristike do t’i krijonte dëme të mëdha kompanisë.
Risitë e iOS 12
Janë pak, por të rëndësishme, risitë e pranishme në sistemin operativ iOS 12. Pas shumë kohësh do të shohim aplikacionet e para të zhvilluara nga palë të treta që do të integrohen tek iPhone, iPad dhe Mac dhe do të përmirësojnë funksionin e gjithë këtyre pajisjeve. Ndër to duhet të jetë edhe aplikacioni Home, për të menaxhuar pajisjet për smart home. Për prindërit do të jetë i integruar një kontroll i ri prindëror, që do të përcaktojë kohën e përdorimit të pajisjeve nga ana e fëmijëve.
Risi sa i përket edhe Animoji, emotion me realitet virtual, që do të bëjnë debutimin e tyre tek iPad (mund të prezantohet edhe një model i ri me FaceID) dhe mund të përdoren edhe FaceTime (aplikacioni i Apple për të bërë video-thirrje). Sa i përket realitetit virtual do të integrohet multiplayer online në lojëra të zhvilluara nga ARKit. Po ashtu do të shtohet edhe opsioni Do not Disturb, për të menaxhuar më mirë telefonatat hyrëse.
iOS 12 do të prezantohet gjatë WWDC 2018 (Worldwide Development Conference) që zakonisht zhvillohet në qershor dhe do të dalë në mes të shtatorit.