IPARD , Peleshi: Hapja e thirrjes së parë pas datës 10 maj, sfidë kapacitetet e përthithjes dhe formalizmi

10/04/2018 4:55 PM 0 komente

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri me dije se thirrja për aplikimet për programin e mbështetjes IPARD do të hapen pas rreth një muaji, me shumë gjasa rreth datës 10 maj. Në një takim me grupin e Shoqatës së Industrialistëve të Ushqimit ministri Niko Peleshi u shpreh se aplikanëve do t’ju jepet asistenca e nevojshme hap pas hapi por sfidë sot mbetet përthithja e fondeve.” Ne jemi pak në tension, dhe ndjehemi goxha të sfiduar nga përthithja, pra a do kemi ne kapacitete të mjaftueshme, fermeri shqiptar, apo agropërpunuesi shqiptar, do të jetë dot i mundur që të aplikojë dhe të përthithë në masë të kënaqshme këtë fond? Kjo është sfida që ne kemi. Dhe ne, besojmë, që mënyra më e mirë, për të patur më shumë sukses në përthithje është që të punojmë individualisht me të gjithë interesuarit, duke e energjizuar shumë dhe organizatat, pra shoqatat ku ju jeni të grupuar” tha Peleshi.

Sipas tij një faktor disi frenues mund të jetë formalizmi ende i ulët në radhët e fermerëve. “Çështja është që duhet ta pranojmë, ne jo gjithmonë i plotësojmë dot, apo i kemi plotësuar standardet e ligjit tonë shqiptar, qoftë në agropërpunim, qoftë në ferma. Per shembull formalizimi mund të bëhet një pengesë për të përfituar nga IPARD-i. Edhe nga skema jonë kombëtare e mbështetjes, ku ne kërkojmë vetëm NIPT-in e fermerit, edhe aty ndonëse NIPT-i nuk ka asgjë detyrim fiskal, ne kemi diçka më shumë se 10 % e fermerëve të pajisur me NIPT. Pra pengesa nuk është burokracia apo dokumentacioni që IPARD-i kërkon, pengesa është fakti që ne nuk i kemi respektuar si shoqëri, po them, 100% standardet që ligji ynë detyron” tha ministri.

Thirrja e parë do të përfshijë vetëm dy masa atë të investimeve në fermë dhe në industrinë agropërpunuese ndërkohe që në një moment tjetër do të jetë e orientuar edhe tek ekonomitë e tjera jobujqësore dhe agroturizmi.

Përmes programit të IPARD janë të paktën 93 milionë euro në dispozicion për t’u përthithur sipas tre masave të paracaktuara. Qeveria nga ana tjetër ka vënë në dispozicion 20 milionë USD për skemën kombëtare të mbështetjes.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of