Sërish thashetheme të reja sa i përket iPhone 8, i cili do të dalë në treg në fund të muajit shtator të këtij viti.
Lajmet e fundit konfirmojnë zërat që qarkullonin prej kohësh: iPhone 8 do të ketë një ekran të përthyeshëm në të dy anët.
Ekranet do të prodhohen nga Samsung
Në fazën fillestare, ekranet do të prodhohen nga rivali kryesor, Samsung. Muaj më parë, sipas disa zërave, kompania amerikane i kishte kërkuar Samsung më shumë se 100 milionë ekrane OLED. Ekrani do të jetë OLED i përthyeshëm.
Përveç ekranit të përthyeshëm, ashtu si Samsung, iPhone 8 mund do t’i thotë lamtumirë butonit “Home”. Gjithashtu flitet për praninë e një kamere 3D dhe një sensori për skanimin e irisit të syve. iPhone do të ketë një kamera dual-lens që do t’i mundësojë të bëjë foto me cilësi të lartë dhe të regjistrojë video me rezolucion 4K.
Me përdorimin e ekranit OLED, Apple është e detyruar të ndryshojë tërësisht strukturën e telefonit të vet.
iPhone 8 premton të jetë revolucionar në të gjitha drejtimet dhe do të jetë një pikë kthese për kompaninë me bazë në Cupertino.
Një risi tjetër lidhet me azhurnimin e sistemit operativ, që do t’i përshtatet ekranit të ri që do të përdoret nga Apple.
Ashtu si iPhone 7, iPhone 8 pritet të jetë rezistent ndaj ujit (falë edhe certifikimit IP68)
Sipas zërave, iPhone mund të karikohet nëpërmjet wireless-it.
iPhone 8 mund të kushtojë më shumë se 1000 dollarë
Një nga pyetjet më të shpeshta të përdoruesve është: sa modele do të jenë?
Disa zëra nënvijëzojnë që iPhone 8 mund të jetë në tre versione dhe në materiale të ndryshme. Versioni i parë me ekran 4,7 inç, do të jetë në alumin; ai me ekran 5,8 inç në çelik inoks dhe xham, ndërsa sa i përket iPhone me ekran 5,5 inç nuk ka ende ndonjë informacion.
Por ka disa zëra rreth çmimit. iPhone me ekran 5,8 inç mendohet se do të kushtojë më shumë se 1 mijë dollarë. Prezantimi i iPhone 8 do të bëhet si gjithnjë në shtator, ndërsa për daljen në treg do të jetë e nevojshme të presim fundin e shtatorit.