Drejtori ekzekutiv i Organizatës Energjetike të Iranit ka njoftuar se kanë nisur bisedimet mes Iranit dhe katër shteteve anëtare të BE-së, për investime në ndërtimin e centraleve të energjisë me erë dhe energjisë diellore në Iran.
Jusuf Armudeli ka deklaruar se aktualisht bisedimet po zhvillohen mes disa kompanive nga Gjermania, Spanja, Portugalia dhe Italia, rreth investimeve për ndërtimin e centraleve të energjisë me erë dhe energjisë diellore në Iran, shkruan Agjensia e Lajmeve Iraniane IRIB.
Armudeli shtoi se investitorët evropianë aktualisht po shqyrtojnë dhe po vlerësojnë pozitat më të mira gjeografike për ndërtimin e centraleve të energjisë me erë dhe energjisë diellore brenda në Iran, prandaj për këtë qëllim po zhvillohen bisedimet mes dy palëve. Parashikohet se duke marrë parasysh zhvillimin e procesit të negociatave mes Iranit dhe Grupit 5+1, në një të ardhme të afërt do të nënshkruhen kontrata të mëdha për ndërtimin e centraleve për energji diellore dhe për energji me erë.
“ Në këtë drejtim kanë treguar interes edhe disa kompani kineze,” – theksoi në fund Jusuf Armudeli.