Felix “Tito” Trinidad, ish-kampioni legjendar i botës në tri kategori boksi ka rivënë “dorezat”, por këtë herë për të sfiduar në ring bankat e Wall Street, që sipas tij i kanë shkaktuar një humbje në 63 milionë dollarë të ardhura, që i kishte grumbulluar gjatë karrierës së tij, e cila u mbyll 6 vjet më parë. Në anën tjetër të “ringut” janë bankat Ubs, Wells-Fargo e Popular, të akuzuara se kanë investuar paratë e ish-boksierit në bonot e Bashkisë së Portorikos, pa e paralajmëruar për rrezikun me të cilin shoqërohej ky investim. Kreu i gjithë këtij “operacioni” mendohet se është Jose “Pepe” Ramos (ai e mohon tërësisht), ish-agjent i sportistit portorikan, i cili ka ndikuar në dërgimin e një pjese të madhe të parave të grumbulluara nga Trinidad drejt obligacioneve të ishullit.
Investimi në bursë është pjesa e dytë e karrierës së suksesshme të Titos, e cila është mbyllur me 3 tituj botërorë, 42 fitore në 45 ndeshje të zhvilluara dhe vetëm me 3 humbje. Boksieri portorikan nuk është i vetmi investitor që ka përfunduar në kurthin e obligacioneve lokale. Në vitet e fundit, mijëra kursimtarë janë bindur nga bankat që të investojnë në këto instrumente financiare, të favorizuara edhe nga regjimi fiskal, lokal. Shumë familje, nisur edhe nga kërkesa, kanë hyrë në borxhe duke çuar në shtëpi investime që kanë humbur ndjeshëm vlerën e tyre nominale me rreth 30% nga viti 2009 deri në 2013-n, ndërsa bankat kanë mbledhur komisionet nga emetimi i titujve dhe më pas, duke i qarkulluar te këta persona. Ashtu sikundër ndodh me “flluskat e fryra”, edhe obligacionet portorikane humbën rreth 50% të vlerës së tyre. Agjencitë e klasifikimeve kanë ulur ndjeshëm vlerësimet për to dhe tashmë “loja” ka mbetur në duart e kursimtarëve dhe të “dorezave” të Trinidad. “Nuk mund të komentoj asgjë, po kaloj një moment të vështirë”, – thotë Tito. Avokatët e tij tashmë kanë depozituar një akuzë kundër autoriteteve të Wall Street. Çështja tashmë ka kaluar në gjykatë dhe duke marrë parasysh se cilët janë palët, vështirë të mos besohet se do të ketë një KO.