Aplikimi i TVSH në shkallën zero të xhiros do të ishte i vlefshëm dhe i realizueshëm nëse do të aplikohej me një prag më të vogël
Shpresa Ismaili, eksperte fiskale me përvojë, thotë se përfshirja e bizneseve të vogla në TVSH dhe të atyre me prag zero do të krijojë falimente të mëdha në këtë kategori të biznesit. Ajo shpjegon se bizneset e vogla me xhiro 2 milionë lekë, zakonisht kanë normë të ulët fitimi jo më shumë se 5-10%.
Ndaj përfshirja e tyre në pagesën e TVSH-së do t’i detyrojë të rrisin automatikisht çmimin, për shkak të deklarimit të tatimit në faturën e shitjes. Mirëpo rritja e çmimeve i bën ato jokonkurruese, shumica e tyre do të falimentojnë, thotë Ismali, sidomos bizneset e vogla. Për bizneset që mund t’i mbijetojnë kësaj politike, qëndrimi në treg do të bëhet shumë i vështirë, pasi do të punojnë vetëm për një rrogë minimale. Ndaj shumë prej tyre do të preferojnë më vonë të punësohen me një rrogë mujore se ta mbajnë aktivitetin hapur.
Imagjinoni që një kilogram oriz mesatar, që tani kushton 170 lekë, do të shitet me 180 lekë minimumi pas aplikimit të TVSH. Konsumatorët do të përballen me rritje çmimesh në të gjitha produktet e pakicës, ndaj përballë këtij ndryshimi, do të bëhen selektivë. Sigurisht që kundrejt një çmimi të njëjtë, ata do të furnizohen nga supermarketet e mëdha.
Ismaili sugjeron se aplikimi i TVSH në shkallën zero të xhiros do të ishte i vlefshëm dhe i realizueshëm nëse do të aplikohej me një prag më të vogël.
Nëse pragu i TVSH-së do të ulej në 15 apo 10% në disa linja produktesh, aplikimi i tatimit në grupe më të vogla të biznesit do të ishte disi më i zbatueshëm. Ismaili thotë se kjo politikë do të godasë shtresën më vulnerabile të biznesit, pikërisht ata që do të nxjerrin vetëm jetesën nëpërmjet këtyre aktiviteteve. Në këtë mes fiton arka e shtetit, e cila do të arkëtojë më shumë të ardhura nëpërmjet deklarimeve. Gjithashtu Ismaili shpjegon se bizneset e mëdha do të fitojnë nga kjo politikë e qeverisë, për shkak se aktiviteti i tyre do të zgjerohet nga falimenti i bizneseve të vogla.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.