ISO 22000 për sigurinë ushqimore, DPS: Kompanitë e ceritifkuara tre vite kohë për kalimin në versionin e ri

15/08/2018 12:00 PM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit bëri me dije se kompanitë e certifikuara në standardin ISO 22 000 për sistemet e menaxhimit të sigurisë ushqimore kanë tre vite kohë për të kaluar në versionin e ri. Ndryshimi fillestar u bë nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) e cila sapo ka publikuar standardin ISO 22000:2018 “Sistemet e menaxhimit të sigurisë ushqimore – Kërkesat për çdo organizatë në zinxhirin ushqimor”. Ky standard është adoptuar tashmë edhe nga DPS duke sjellë si detyrim edhe rifreskimin e tij nga gjithë kompanitë që kanë versionin e vjetër ISO 22 000 :2005.

“Me mbi rreth 200 lloje sëmundjesh të shpërndara nëpër zinxhirin  ushqimor, një nga sfidat tona më të mëdha, është prodhimi i sigurt dhe i qëndrueshëm i ushqimit. Siguria ushqimore ka të bëjë me parandalimin, eliminimin dhe kontrollin e rreziqeve, që vijnë nga ushqimi, që nga vendi i prodhimit deri në pikën e konsumit. Për arsye se, rreziqet e sigurisë ushqimore mund të jenë në çdo fazë të procesit, çdo kompani duhet të ushtrojë kontrolle të përshtatshme për rrezikun në zinxhirin e furnizimit ushqimor. Siguria ushqimore mund të zbatohet vetëm nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta të të gjitha palëve: qeverisë, prodhuesve, shitësve dhe konsumatorëve” thuhet në publikimin e bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit.

Ky standard i ri konsiderohet i përshtatshëm për të gjitha kompanitë e industrinë ushqimore, pavarësisht nga madhësia apo lloji i veprimtarisë. Standardi kërkon marrjen e masave parandaluese për sigurinë e ushqimit, duke ndihmuar në identifikimin, parandalimin dhe zvogëlimin e rreziqeve në zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë.

Standardi ofron një kontroll dinamik të rreziqeve të sigurisë ushqimore, duke kombinuar në vijim elementët kryesore të njohur në përgjithësi: komunikimin interaktiv, menaxhimin e sistemeve, programet paraprake (PRP) dhe parimet e analizës së rrezikut dhe kontrollit në pikat kritike (HACCP).

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of