Rruga që kalon nga Reggio Emilia në Bolonjë të Italisë është shtëpia e markave më të njohura të makinave: “Ferrari” dhe “Ducati”, “Maserati” dhe “Lamborghini”.
Përreth tyre ka me dhjetëra biznese më të vogla që janë bërë të pasura, duke furnizuar me pjesë makinash dritat e frenave te sediljet prej lëkure.
Por kriza e borxheve kombëtare që ka prekur tregjet financiare të Italisë po ndikon në rajonin e dytë më të madh prodhues, i matur sipas prodhimit për frymë.
Ndërsa bizneset më të mëdha po mbijetojnë, shumë të vogla nuk po arrijnë t’ia dalin, komenton “Financial Times”.
“Ata më të zgjuarit dhe më novativë do të mbijetojnë, por nuk mund të injorojmë faktin që disa nga furnizuesit po vuajnë dhe nuk do t’ia dalin dot”, thotë Gabriele del Torchio, kreu dhe shefi ekzekutiv i “Ducati”.
“Ducati”, si të gjitha markat e suksesshme në Emilia Romagna, është një eksportues. 80% e biçikletave të tij shiten jashtë Italisë. Tregu më i madh është SHBA-ja,
ku shitjet u rritën me 42% vitin e kaluar në krahasim me 2010-n. Në mënyrë që të zgjerojë biznesin në Azi, vitin e kaluar hapi fabrikën e parë jashtë Italisë, në Tajlandë.
Z. Del Torchio pohon se fokusi i “Ducati”-t te risitë dhe pozicionimi i tij si një markë cilësore, dy aspekte që prodhuesit e suksesshëm italianë i kanë zhvilluar që të mposhtin konkurrencën nga Kina dhe India,
i japin atij besim se në 2012-n do të jetë në gjendje që të shesë më shumë biçikleta sesa vitin e kaluar. Edhe pse janari tenton të jetë një muaj i ngadaltë, ai thotë se portofoli i porosive është “premtues”.
Megjithatë, nëse do të linim mënjanë ekspozimin ndërkombëtar, situata do të dukej e dobët. Shitjet e motoçikletave ranë 23% në Itali në janar, në krahasim me një vit më parë.
Gaetano Maccaferri, kreu i Shoqatës së Punëdhënësve në Emilia Romagna dhe drejtues i konglomeratit “Maccaferri”, thotë se në një kohë stanjacioni të brendshëm,
kur Fondi Monetar Ndërkombëtar po parashikon dy vjet recesioni të thellë në Itali “është evidente se perspektiva e rritjes në rajon është e lidhur me eksportet dhe ndërkombëtarizimin”.
Ashtu si në rastin e “Ducati”, z. Maccaferri thotë se për sa i përket biznesit të tij, i cili ka 1 miliard euro të ardhura dhe interesa në sheqer, duhan, energji, pasuri të paluajtshme dhe konstruksione mekanike,
situata e përgjithshme është pozitive. “Europa e Vjetër”, siç e quan ai, ka mbetur në vend, por aktivitetet e “Maccaferri” përtej Europës po kompensojnë këtë situatë.
Por në ekonominë aktuale, realiteti i bizneseve të mesme e të mëdha është shumë i ndryshëm nga ato që përbëjnë pjesën më të madhe të bizneseve të vendit dhe që janë të lidhur me kërkesën e brendshme.
Një vëzhgim i kryer nga Konfindustria muajin e kaluar sugjeroi se prodhimi industrial i Italisë në 2012-n do të mbetej 20% poshtë kulmit të arritur në prill 2008.
Statistikat nga Markit/ ADACI pak ditë më parë paraqisnin një pikturë shumë më të zezë për Italinë, në krahasim me shtetet e tjera të Europës.
Porositë e reja të biznesit në janar vazhduan të binin me një ritëm të shpejtë, teksa efektet e krizës së gjerë ekonomike u përkeqësuan. Prodhuesit italianë gjithashtu reduktuan personelin me ritme të përshpejtuara.
Liderët e biznesit lokal thonë se sipërmarrësi italian, një figurë mit në kulturën kombëtare, në pjesën më të madhe e ka ruajtur me xhelozi mbretërinë e tij të vogël për gjenerata me radhë.
Nxitja e ndryshimit është e vështirë, veçanërisht kur kjo strategji ka rezultuar kaq frytdhënëse në të kaluarën.
Rajoni mburret me panairin më të madh të arteve të Italisë, “ArteFiera”, dhe klientët e saj të mëdhenj të artit. Standardet e edukimit janë më të larta sesa kudo tjetër në vend.
Të tilla janë dhe standardet e jetesës dhe të pasurisë private. “Osteria Francescana”, në qytetin e Modenas, votohet rregullisht midis pesë restoranteve më të mirë në botë.
Por kjo kulturë “I vogël është i mirë” po shkon drejt vdekjes, si rrjedhojë e krizës së borxheve dhe masave të rrepta, sipas të dhënave të përkeqësuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave dhe Banka e Italisë.
Teksa porositë nga Italia kanë rënë, kredia e bankave po tkurret dhe pasuria e familjeve e mbledhur gjatë gjysmës së shekullit po shteron për të mbajtur gjeneratat e reja më të varfra.
Rastet konkrete të bizneseve të vogla tregojnë se mungesa e financimeve ka bërë që të mos ketë mundësi zëvendësimi apo rinovimi të makinerive.
Giovanni Cavallini, kreu i “Interpump”, një prodhues i pompave me presion të lartë që është bërë një lojtar global duke blerë lojtarë të vegjël nëpër Emilia Romagna,
përpara se të bënte të njëjtën gjë në Gjermani dhe SHBA, thotë se kriza do të orientojë procesin aq shumë të nevojshëm të konsolidimit.
Si një hap i brendshëm po zhvillohen rrjetet lokale të biznesit, ku kompanitë me 10-15 punonjës, po ndajnë funksionet e prapavijës së zyrave.
Liderët e biznesit gjithashtu kanë shpresa në qeverinë teknokrate të Mario Monti-t dhe reformat e propozuara për ligjet e kushtueshme të punës, që po e bëjnë të vështirë marrjen dhe pushimin nga puna.
Rodolfo de Benedetti, shef ekzekutiv në CIR, një grup industrial, thotë se “Italia po bën përpjekje të jashtëzakonshme”, me masa që synojnë të nxisin konkurrueshmërinë.
Por ai tërheq vëmendjen se pasi ka mbetur mbrapa për dhjetë vjet, do të duhet kohë për të bërë reforma të thella strukturore që janë të nevojshme. “Nuk do të arrini t’i shihni këto ndryshime menjëherë”.
Për disa mund të jetë shumë vonë. Z Maccaferri i “Confindustria” thotë se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë “shumë të vështirë”.
Për më tepër që bizneset po vuajnë efektet e muajve të fundit të vitit të kaluar, kur yield-i (interesi) i obligacioneve qeveritare 10-vjeçare arriti në nivele të paqëndrueshme.
“Në rast se kjo vazhdon, do ta bëjë sistemin tonë më pak konkurrues. Pa kredi, sistemi nuk mund të mbijetojë”.