Itali, tregu i makinave në përkeqësim

07/08/2011 00:00 0 komente

tregu i makinave në Itali vazhdon të përkeqësohet, duke shënuar në korrik rënie në masën 11% ose me rreth 137,442 njësi (përkundrejt 153,886 regjistrimeve të korrikut 2010). Statistikat u bënë të ditura nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, i cili tha se në qershor rënia ishte rreth 2%. “Fiat” regjistroi ulje të ndjeshme në shitje. Në muajin korrik regjistrimet u ulën me rreth 9% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2010.
Për sa i takon shitjeve të realizuara nga shtëpitë e huaja të prodhimit të makinave, rënia u llogarit në 11,3%, përjashtim bëjnë makinat me volum të vogël si “Mitsubishi” e “Lexus”, por edhe “Mini” e “Nissan” e nga koreania “Kia”.

Markat e huaja, niveli më i ulët që nga viti 1983

Tregu i makinave në muajin korrik shënoi shitje në 137,442 njësi, niveli më i ulët që nga viti 1983, kur u shitën 127,193 makina. Ky është përcaktimi i bërë nga “Unrae”, shoqata që përfaqëson shtëpitë automobilistike në Itali, gjatë komentit lidhur me statistikat e botuara nga Zyra e Transportit. “Edhe gjatë krizës së viteve 1993-1996, tha drejtori i përgjithshëm i ‘Unrae’, Gianni Filipponi, kur tregu italian i makinave regjistroi shitje vjetore në masën 1.7 milionë, muaji korrik nuk ishte në nivele kaq të ulëta. Në përgjithësi, blerja e makinave ka shënuar rënie për sa i takon 6-mujorit të parë të vitit, tha Filipponi, duke iu referuar të dhënave të qendrës së tyre të kërkimeve me rreth 16%. Në vlerë shifrat përkthehen nga 14.2 miliardë euro që u regjistruan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në 12 miliardë euro për këtë vit.
“Situata, thotë Filipponi, rezulton të jetë edhe më e rëndë, nëse merret parasysh se te familjet rëndon edhe kostoja e lartë e mirëmbajtjes së makinës, karburanti, figuracioni, taksat e tatimet”. Trendi i shitjeve me porosi, sipas vlerësimeve të para të bëra nga “Unrae” e “Anfia”, regjistroi në muajin korrik rënie me 5%, me rreth vetëm 123,000 kontrata, gjë që tregon për një ridimensionim të portofolit të porositësve.

Franga zvicerane në nivele të larta

Franga zvicerane është shtrenjtuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, duke arritur në nivele të reja të larta kundrejt euros dhe rekord të ri ndaj dollarit, teksa shqetësimet në rritje rreth eurozonës dhe frika për një ngadalësim ekonomik global nxitën kërkesën për monedhën që konsiderohet si e sigurt.
Franga arriti deri në 1.0848 SFr kundrejt euros, lëvizja më e madhe që nga marsi 2009, teksa frika e infektimit uli nivelin e besimit, duke e çuar yield-in (interesin) për borxhin qeveritar italian dhe spanjoll në nivele të larta për zonën euro. Analistët thonë se shqetësimet rreth rritjes së eurozonës kanë përkeqësuar ankthin se kriza e borxhit në vendet periferike mund të përhapet në ekonomi më të mëdha.
Kërkesa për monedhën zvicerane u rrit, teksa indeksi i menaxherëve në sektorin e prodhimit në Zvicër tregoi se aktiviteti i sektorit ishte gjallëruar, pavarësisht situatës në eurozonë. Adam Cole, i RBC Capital Markets, tha se, me tregjet që janë të mbërthyera midis dollarit të dobët dhe rënies së oreksit për rrezik, franga zvicerane po rezultonte të ishte valvula më e mirë për të mbajtur presionet e tregut.
Ai tha se edhe ndërhyrjet e qeverisë për të frenuar rritjen e frangës në të kaluarën kishin rezultuar pa efekt. “është e vështirë që të shihet një frenim i rritjes së frangës në afatin e shkurtër,” tha z. Cole. “Megjithëse jo një ndikues kryesor, të dhënat e brendshme më të mira sesa priteshin po ndikojnë me siguri në këtë situatë.”

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.