Parlamenti italian ka miratuar një plan qeveritar prej 20 miliardë dollarësh për shpëtimin e bankave në vend.
Ka të ngjarë se Thesari italian do t’i duhet të shpëtojë huadhënësin e tretë më të madh në vend, bankën Monte dei Paschi, në fundin e javës që vjen.
Fondi i Shpëtimit do të përdoret për të mbështetur edhe banka të tjera gjithashtu.
Më herët, Monte dei Paschi deklaroi se mund të drejtohet me anë të fondeve deri në prillin e ardhshëm, duke përdorur asetet financiare me vlerë deri në 11 miliardë dollarë.
Më parë kishte deklaruar se kishte fonde për të mbijetuar për 11 muaj.
Themeluar në 1472, Monte di Paschi është banka më e vjetër në të gjithë botën.
Banka ka pezulluar tregtimin e aksioneve, çmimi i të cilëve ka rënë në nivele më të ulëta që nga viti 1999 në bursa.
Monte dei Paschi ngeli në testin e stresit të Bashkimit Europian në korrik pasi ka në libra miliarda euro kredi të këqija, të krijuara nga klientë që nuk mund të përballojnë ripagimin e tyre.
Situata është përkeqësuar që nga korriku.
Banka është përpjekur të rrisë kapitalin me 5 miliardë euro deri në fund të muajit për të shpëtuar vetën, por deri tani ka arritur të rritet vetëm më 500 milionë euro.
Nëse banka nuk realizon një shpëtim nga fondet private, qeveria italiane do të ndërhyjë.
Kryeministri i ri italian, Paolo Gentiloni, ka premtuar se nuk do të lejojë që banka të falimentojë për shkak të frikës se falimentimi i saj do të prekte pjesën tjetër të bankave italiane të renduara me borxhe.
Falimentimi i bankës do të kërcënonte kursimet e mijëra qytetarëve italianë.
Fondet për shpëtimin shtetëror janë miratuar nga të dy dhomat, e Ulët dhe e Lartë në Parlamentin italian.
Ministri italian, Pier Carlo Padoan, tha se ndikimi tek kursimet nga shpëtimi shtetëror do të jetë minimal apo inekzistent.