Pescara del Tronto, ishte ndërtuar në një zonë malore para qindra viteve, pikërisht për sigurinë që ofronte ky rajon.
Sot qyteti është i rrënuar për shkak të goditjes së fuqishme sizmike në orët e para të mëngjesit të 24 gushtit. Forcat e shpëtimit po përballen me vështirësi, pasi asnjë mjet motorik nuk mund të hyjë në zonën e prekur.
Ndërkohë që kërkimet për të mbijetuarit nën rrënoja vijojnë, toka nën këmbët e tyre lëkundet herë pas here.
Për më tepër, në këtë periudhë të vitit, qyteti turistik malor, është i mbushur me vizitorë, që arratisen nga qytetet e nxehta për të shijuar klimën malore. Këto ditë, në qytet do të zhvillohej Festivali i Ushqimit dhe numri i turistëve ishte i lartë dhe asnjë nuk di të thotë sa është numri i atyre që kanë mbetur nën rrënoja.
Numri i viktimave është tronditës, 247 persona kanë humbur jetën, ndërsa forcat e shpëtimit vazhdojnë kërkimet me shpresën se nën rrënoja ka të mbijetuar. Pjesa më e madhe e viktimave kanë qenë fëmijë, sipas deklaratës së ministrit të Shëndetësisë.
Ende nuk flitet për dëme materiale, por shumica e ndërtesa të shembura, janë të vjetra, të bëra nga materialet e gurit dhe drurit.
Banorët e Amatrices e kanë kaluar natën e djeshme jashtë nga frika e lëkundjeve sizmike.
Italia është e njohur për aktivitetin sizmik që ka. Një nga viktimat, foshnje 18 muajshe, ishte i biri i një nga të mbijetuarve të tërmetit të fuqishëm në 2009 në L’Aquila. Martina Truco ishte shpërngulur në Amatrice fill pas asaj përvoje.
Tërmetet janë një rrezik i vazhdueshëm për të gjithë ata që banojnë përgjatë vargmaleve Apenine. Gjatë shekujve, me mijëra njerëz kanë humbur jetën për shkak të tërmeteve. Aktiviteti sizmik i zonës së Mesdheut shkaktohet nga bashkimi i dy pllakave tektonike të Afrikës dhe Euroazisë.