Edhe pse emigrantët ekonomikë po shtohen dita-ditës në Itali, BE-ja pothuajse nuk po bën asgjë për t’i ardhur në ndihmë këtij shteti
Kampi nuk ka një emër të vetin. Aty nuk ka energji elektrike, ujë dhe mbi të gjitha ai nuk ka të drejtë të qëndrojë në atë vend që është vendosur, në një park të braktisur autobusësh, në lindje të stacionit hekurudhor Tiburtina në Romë. Shumica e afrikanëve që qëndrojnë aty në mesin e një asfalti me një nxehtësi tipike të një vere romake, nuk kanë leje për të qëndruar aty, shkruan The Economist.
Shumë prej tyre vijnë direkt nga anijet, shprehet Andrea Costa, kreu i Organizatës Jofitimprurëse, Baobab Experience, që drejton kampin. Për shumicën prej tyre, kjo është vetëm faza përfundimtare e udhëtimit të tyre dyvjeçar, tha ai më tej.
Këtë vit, numri i emigrantëve që kanë ardhur në Itali nëpërmjet detit është rritur me 17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016-s, ku u regjistruan rreth 93,335 emigrantë.
Ndryshe nga sirianët që lundruan nëpër Egje në vitin 2015, shumica e tyre nuk po i largohen luftës apo persekutimit, por po udhëtojnë drejt brigjeve të reja për arsye ekonomike. Ata nuk kualifikohen për mbrojtje humanitare dhe në shumicën e rasteve nuk duan të qëndrojnë në Itali, por të kalojnë në vende të tjera ku tregu i punës në të zezë është më shumë i përhapur.
Sipas Rregullores së Bashkimit Europian të Dublinit të vitit 2013, vendi ku azilkërkuesit kanë si ndalesë të parë është zakonisht edhe ai që duhet të merret me ta. Shumica e atyre që janë në kamp bëjnë pjesë ndër të ashtuquajturit dublinas (“Dublinasit”), të cilët janë përpjekur të largohen nga Italia dhe janë kthyer mbrapsht. Shumë prej tyre janë kapur në kufirin francez ku janë rritur masat e kontrollit. Madje ka disa prej tyre që janë kapur dhe janë kthyer mbrapsht mbi tre apo katër herë, shprehet z. Costa.
Sipas Carlotta Sami nga UNHCR, agjencia e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, është më shumë se 170,000 numri i emigrantëve në qendrat e pritjes italiane të cilët po strehohen nga autoritetet lokale. Bllokada franceze është një tjetër motiv për rritjen e vazhdueshme.
Bllokada franceze është një prej shembujve të rritjes së masave të kontrollit. Të tjerat përfshijnë rritjen e kontrollit për sa i përket mjeteve të identifikimit, siç është marrja e gjurmëve të gishtërinjve, masë kjo e cila i pengon emigrantët që të aplikojnë për azil në vende të tjera.
Teksa kjo situatë duket se vetëm po përkeqësohet, protesta të shumta po zhvillohen në qytete të ndryshme të Italisë. Dhe me zgjedhjet e përgjithshme që përfunduan në maj, Kryeministri Paolo Gentiloni, nuk mund të injorojë këtë pakënaqësi të madhe në popull. Qeveria e tij dëshiron që vendet fqinje të pranojnë anije shpëtimi emigrantësh kur numrat e emigrantëve që mbërrijnë në Itali janë jashtëzakonisht të larë. Ai gjithashtu dëshiron që të ndërmerren masa në nivel ndërkombëtar, për të frenuar këtë fluks emigrantësh në rritje.
Me kërkesë të Italisë, shtetet anëtare të agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, u takuan në Varshavë më 11 korrik për të diskutuar ndryshimin e rregullave që qeverisin Triton, operacionin e kërkim-shpëtimit të agjencisë në Mesdheun qendror. Një ditë më pas, Kryeministri Gentiloni i thirri drejtuesit e Francës dhe Gjermanisë në një samit në Trieste.
Më 13 korrik, ministri i Brendshëm, Marco Minniti, fluturoi në Libi për të takuar kryetarët e bashkive të qyteteve bregdetare dhe atyre të kufirit jugor. Ndërkohë politikanët në Romë po punojnë për një kod sjelljeje për OJQ-të që ndihmojnë në kërkimin dhe shpëtimin e emigrantëve, disa prej të cilave janë akuzuar për hyrjen në ujërat e Libisë, edhe pse në gatishmërinë e tyre për të shpëtuar jetën e emigrantëve.
Më 18 korrik, ministri i Jashtëm, Mario Giro, përsëriti një kërcënim të mëparshëm (edhe pse pa aprovimin e disa kolegëve të tij) në lidhje me nxjerrjen e vizave urgjente që do t’u lejojnë emigrantëve të udhëtojnë kudo në zonën Shengen.
Deri më tani, si taktikat e ashpra kërcënuese edhe ato më të buta nuk kanë dhënë efekt. Është rënë dakord për një rishikim të marrëveshjes së Tritonit, por pa asnjë formë të saktë garancie, ajo mund të ndryshohet në favor të Italisë.
Handikapi i Italisë
Një nga handikapët më të mëdha të Italisë është se për shkak të neglizhencës dhe zemërbutësisë, ajo është shndërruar në një vend që konsiderohet “i butë” nga emigrantët ekonomikë. Plani i veprimit i lëshuar këtë muaj nga Komisioni Europian është shumë i rëndësishëm.
Ai i kërkon Italisë të zgjasë paraburgimin pas mbërritjes (momentalisht i kufizuar në 72 orë), të angazhohet më shumë për të bindur emigrantët që të pranojnë të kthehen në vendet e tyre të origjinës, të përshpejtojë procedurat e azilkërkimit dhe të jenë më pak bujarë në ofrimin e mbrojtjes.
Për shembull, ky vit ka sjellë një rritje të çuditshme në numrin e emigrantëve nga Bangladeshi për në Itali. Ata formuan grupin më të madh pas nigerianëve. Kjo mund të lidhet edhe me faktin se në vitin 2016, viti i fundit së cilit ne mund t’i referohemi duke marrë për bazë të dhënat, gjykatat italiane i dhanë njëfarë forme mbrojtjeje 24% të emigrantëve nga Bangladeshi, një vend i varfër por jo i Sirisë.
Italia ka një nga normat më të ulëta të lindjeve në botë dhe të pakta janë ato shtete që kanë nevojë më të madhe për emigrantë.
Por një fluks i emigrantëve pa dokumente, shumë prej të cilëve përfundojnë duke u marrë me punë ilegale në kampe të improvizuara, nuk është mënyra e duhur për ta trajtuar këtë çështje.
Për italianët, kriza e emigracionit mesdhetar përbën një barrë humanitare. Pozita e tyre gjeografike ia ka ngarkuar këtë barrë ndërsa çorganizimi i qeverive të tyre e ka përkeqësuar atë edhe më shumë. Edhe anëtarët e tjerë të BE–së duket se nuk kanë aspak dëshirë për t’i ardhur në ndihmë.