Ivica Todoric, njeriu i cili e shndërroi kompaninë e tij të luleve në një nga perandoritë më të mëdha të Ballkanit, Agrokor, tani po përballet me mundësinë e falimentimit,për shkak të borxheve të shumta
Pronari i kompanisë më të madhe në Kroaci dhe një prej njerëzve më të pasur të vendit, Ivica Todoric, është në qendër të një stuhie politike dhe ekonomike, pasi një prej bizneseve gjigante rrezikon falimentin për shkak të borxheve të shumta.
Nëse kompania falimenton, do t’i jepte një goditje ekonomisë kroate dhe do të shkatërronte fermerët e vegjël të rajonit, të cilëve kompania iu detyrohet shuma të mëdha.
Todoric ishte i detyruar që t’ia kalonte drejtimin e Agrokor shtetit, me caktimin e “menaxherit të jashtëzakonshëm” që do të drejtonte konglomeratin me probleme financiare.
Me kështjellën e tyre, një ishull privat, jahte dhe miq të njohur, familja e Todoric ka qenë nën vëmendjen e publikut për vite me radhë si një nga anëtarët më të rëndësishëm të pas luftës dhe në një mënyrë apo në një tjetër, ai ishte i destinuar për të qenë në qendër të vëmendjes së medias.
Fillesat e bizneesit
Todoric lindi në vitin 1951 në fshatin Klostar Ivanic, 50 kilometra larg Zagrebit. Babai i tij, Ante, ishte kryetar ferme nën drejtimin jugosllav në mesin e viteve ’50. Ai, gjithashtu, ishte anëtar i Bankës së Zagrebit dhe mbante të tjera poste të rëndësishme në ekonomi dhe politikë.
Në vitin 1963, ai u bë drejtor i përgjithshëm i një kompanie të madhe të mishit dhe prodhimit të vezëve, Agrokombinat.
Gjithsesi, në vitin 1971, babai i Ivica Todoric u burgos për shpërdorimin e 6 milionë markave gjermane, për të cilat thuhet se ai ia dha Matica Hrvatska, institucionit më të vjetër kulturor kombëtar, me qëllim blerjen e armatimeve gjatë trazirave që kishin shpërthyer në Kroaci në atë vit.
Pas përfundimit të dënimit në vitin 1976, Ante dhe i biri çelën një biznes privat, ku merreshin me rritjen dhe shitjen e luleve. Në mes të viteve‘80, biznesi u përhap dhe me shpërbërjen e Jugosllavisë, Ivica themeloi Agrokor si një shoqëri aksionere në vitin 1989.
Në ’90, Ivica Todoric luajti një rol të rëndësishëm në procesin e privatizimit, gjatë të cilit shumë ish-kompani shtetërore u shitën me çmim qesharak dhe shpesh me një proces të parregullt dhe të korruptuar.
Rritja
Pasi bleu disa kompani, familja Todoric e shndërroi Agrokor në vitin 1993 në një shoqëri aksionere, Unikonzum, i cili ishte shitësi më i madh me pakicë në të gjithë rajonin e Zagrebit.
Ai bleu aksione nga punëtorët në vitin 1994, ndryshoi emrin, Konzum, dhe hapi dyqanin më të madh në Zagreb në 1995.
Në fund të viteve ‘90, ai ishte bërë pronari i shumë kompanive në sektorin ushqimor, i cili i ishte nënshtruar tranzicionit të një ekonomie të tregut kapitalist: nga kompania e ujit Jamnica, te kompania e produkteve të ngrira dhe akulloreve dhe deri te fabrika e madhe e përpunimit të mishit.
“E konsideroj veten një njeri të pasur, pasi kam një familje të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Gjithsesi, nuk jam i pasur prej ndonjë kriteri… Nëse nuk do të merrja një pagë, nëse djali dhe vajza ime nuk do të ishin në punë, dhe nëse babai im nuk do të kishte pension, mezi do t’ia dilja në fund të muajit”, – tha Todoric për të përditshmen kroate Vjesnik në vitin 2000.
Gjithsesi, në atë kohë, Todoric ishte shndërruar në aktor rajonal, duke e zgjeruar biznesin e tij në Bosnjë, ku Konzum ishte kompania më e madhe e shitjes me pakicë, gjithashtu edhe në Serbi, ku Agrokor bleu kompaninë e shitjes me pakicë, Idea.
Edhe pse shpesh ai është cilësuar si manjat, Todorice refuzon kuptimin negativ të fjalës.
“Kjo fjalë i ka rrënjët nga këtu (Kroaci). Mund të them me besim të plotë se manjatët janë vetëm një pjesë e suksesit të ekonomisë kroate. Pa ata, nuk do të kishte prosperitet për vendin tonë. LutuniZotit që në të ardhmen të ketë sa më shumë të jetë e mundur manjatë”, – u shprehTodoric për Vjesnik në vitin 2000.
Ndërsa ai zgjerohej në Malin e Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Hungari, suksesi më i madh i Agrokor, por me shumë siguri dhe gabimi i tij më i madh, u bë blerja e kompanisë më të madhe sllovene, Mercator.
Në qershor të 2014-s, Agrokor bleu 53.12 të aksioneve të Merkator për 550 milionë euro, duke marrë kredi nga banka shtetërore ruse, Sberbank.
Disa analistë thonë se blerja e Mercator goditi financat e Agrokor duke rritur borxhin e kompanisë në një pikë të paparë më parë.
Ekspertët thonë gjithashtu se struktura e borxhit e Agrokor ishte problematike, pasi Todoric u përpoq që të mbulonte borxhin afatgjatë me hua të kushtueshme afatshkurtra.
Pritshmëria është se unë do të shkatërroj gjithçka, por ne do të krijojmë një mrekulli që ju nuk do ta besoni, tha ai në qershor të 2013-s, në përpjekjet e tij për të blerë Mercator, kur gazetari slloven Petra Sovdat e pyeti në lidhje me modelin e biznesit të tij.
Me Mercator-in në duart e tij në vitin 2014, Agrokor u bë lideri rajonal në sektorin e shitjeve me pakicë dhe të prodhimit të ushqimeve, së bashku me bizneset në sektorin e sigurimeve, pasurisë së paluajtshme dhe turizmit, ku kompania ishte më pak e suksesshme.
Midis 2009-2015, Todoric përfitoi rreth 100 milionë euro në formën e dividentit nga aksionet e Agokor.
Me kalimin e viteve, Todoric e drejtoi kompaninë si biznes familjar, duke punësuar djemtë e tij, Ante dhe Ivan, si dhe vajzën Iva, si bashkëpunëtoret më të afërt.
Prapaskenat e lidhjeve politike
Megjithëse Todoric nuk kishte qejf që të shfaqej, në 1999 ai bleu një kështjellë të shekullit të 16, ku njëherë e një kohë kishte jetuar Kulmerovi Dvori.
Kjo kështjellë, që dikur ka qenë në pronësi të familjes Kulmer në shekullin e 19, u dogj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë u shtetëzua nga autoritetet jugosllave.
Pasi mori pronën, Todoric investoi rreth 3 milionë euro në rindërtimin e kështjellës.
Megjithëse u kategorizua si hotel, në mënyrë që të rindërtohej në zonë pyjore, kështjella mbeti pronë e familjes Todoric.
Shumë spekuluan se familja e tij përdori lidhjet familjare për të thyer ligjet dhe rregullat në avantazhin e tyre, ai gjithmonë i mohoi lidhjet me politikanët dhe qëndroi larg partive politike.
Çfarëdo ligji që qeveria kalon, ata gjithmonë thonë se është bërë në favorin tim,- tha ai, duke u mbrojtur në shkurt të 2013-s, kur u pyet nëse qeveria po miratonte ligje në favor të interesit të tij.
Ndryshe nga pretendimet e tij, që nga 1990, Todoric ka qenë gjithmonë pranë politikanëve dhe zyrtarëve më të lartë, pavarësisht orientimit politik.
Ai ishte një nga të ftuarit e paktë VIP në trenin e parë që udhëtoi nga Zagrebi në Split në gusht të 1995-s, pasi ushtria kroate rimori pjesën e brendshme të Dalmacisë nga rebelët serbë në “Operacionin Stuhia”.
Së bashku me presidentin e asaj kohe, Franjo Tudjman, Todoric u ul në një vend special përkrah me ministrin e Financave, BozoPrka, i cili më vonë do të bëhej drejtor i bankës Privredna në Zagreb, zëvendëskryeministrin Borislav Skegro dhe të tjerë politikanë dhe biznesmenë me influencë.
Përveç kësaj, një numër zyrtarësh shtetërorë ishin të punësuar në Agrokor para se të merrnin poste publike.
Ministri aktual i Financave, Zdravko Maric, punonte si drejtor i Agrokor para se të bëhej ministër, ndërsa ish-guvernatori i Bankës Qendrore Kroate, Zeljko Rohatinski, punonte në Agrokor përpara se të bëhej guvernator dhe vazhdoi të qëndronte në bordin mbikëqyrës të Agrokor në dy vitet e para të mandatit të tij si guvernator.
Todoric është gjithashtu pronar i shtëpisë verore të shekullit të 19-të, Villa Castello në Medveja, në krah të resortit Opatija, në brigjet veriore kroate.
Megjithëse jeton në një kështjellë, fluturon shpesh me helikopter në vilën e tij në bregdet dhe herë pas here lundron me jaht nëpër Adriatik, prania e Todoric në media ka qenë e kufizuar,
Për më shumë se 20 vjet, ai vështirë se dha 20 intervista dhe raportimet e medias për të dhe Agrokor nuk ishin të shpeshta deri sa shpërtheu kriza në kompaninë e tij.
Ai vazhdoi të shijonte mbështetjen qeveritare në muajt e fundit, ndërsa bëhej edhe më e qartë se perandoria e tij ishte në telashe.
Agrokor shtetëzohet
Sipas një ligji të ri mbi procedurat për menaxhimin e jashtëzakonshëm të kompanive të një rëndësie të veçantë, të miratuar më 7 prill, Todoric kaloi menaxhimin e kompanisë së tij në duart e shtetit.
“Për 40 vite, kam investuar në ndërtimin e Kroacisë dhe të gjithë rajonit, prandaj, tani jam një njeri krenar pasi çdo gjë që kam ndërtuar ia kam dhënë shtetit kroat sot, me firmën time”,- tha Todoric në një deklaratë për shtyp, edhe një herë, duke shmangur kontaktin direkt me mediat.
BIRN